Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Zoja e Shkodrës

Eugjen Merlika | 02/07/2009 | Kulture | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Në vendin e "mbërritjes" së Zojës së Shkodrës, në Xhenacano, mbahet një nga meshat, më kryesorja në gjuhën shqipe


Xhenacano është një qytet i vogël kodrinor, në pjesën perëndimore të krahinës së Lacios, n'Italinë qëndrore. Ështe një qytet mesjetar që bënte pjesë në Shtetin papnor e gëzonte privilegjet e mospagimit të taksave, në sajë të mbrojtjes së princërve të fuqishëm Kolona.


Ndërmjet këtij qyteti dhe kryeqendrës veriore të Shqipërisë, Shkodrës, ekziston një lidhje e veçantë, që del nga të gjitha kornizat e zakonshme të marrëdhënieve që bashkojnë qytete e krahina të ndryshme në të katër anët e planetit.


Legjenda thotë se një ditë të vitit 1479, kur qëndresa shqiptare 35-vjeçare ndaj pushtimit turk ishte në grahmat e fundit, një ikonë e Zojës së Bekueme u shkëput nga kisha e kalasë së Shkodrës. Ajo fluturoi lart, duke kapërcyer detin dhe një pjesë të mirë të tokës përballë e u ndal në kishën e Xhenacanos.


E ndoqën këtë ikonë në fluturimin e saj, dy burra, të cilët e kaluan detin më këmbë, si duket edhe tek piktura në hyrje të kishës, e frymëzuar nga kjo legjendë.


Kjo ishte legjenda, ndoshta e vërteta i afrohet më shumë një tjetër versioni, atij që na thotë se këtë kuadër e prunë nga Shkodra, e rënë nën pushtimin turk, dy tregtarë të cilët deshën ta shpëtonin objektin e kultit të qytetit të tyre nga rreziku që i kanosej prej pushtuesve të një feje tjetër.


Zoja e Këshillit të Mirë ose Zoja e Shkodrës, iku larg dhe shkodranët kthenin kokën gjithmonë nga perëndimi kur vazhdonin t'i luteshin mbrojtëses së qytetit të tyre në vazhdimësi të shekujve. Me kohë ajo ikonë e Zojës së Shkodrës u bë objekti i kultit të gjithë shqiptarëve që, për t'ju shmangur rrezikut në dheun e lindjes, kapërcenin detin e strehoheshin në pjesë të ndryshme të Italisë fqinje.


Mërgata shqiptare në gjysmëishullin Apenin kishte filluar shumë para rënies së Shkodrës, por për të gjithë arbrit, ajo ikonë simbolizoi besimin e të parëve e shpresën për ditë më të mira.


Kulti i Zojës, i nënës së Krishtit, i gruas që do të lindte nga trupi i saj birin e Zotit, është më i përhapuri në botën e krishterë, madje ajo figurë shihet me nderim edhe në botën islame. Lurdi, Çestokova, Mezhdugorie, Fatima janë më të famshmet simbole të pranisë, madhështisë e forcës së pashterur të Zojës, kësaj figure hyjnore të gruas si përtëritëse e jetës njerëzore


Maji është muaji i Zojës e çdo ditë të këtij muaji besimtarët i drejtojnë asaj lutjet, shpesh të mbledhur në grupe. E diela e fundit e këtij muaji, për shqiptarët e krishterë në Itali, është dita e Zojës së Këshillit të Mirë.


Nga të gjitha viset e këtij vendi ata grumbullohen atë ditë në Xhenacano. Kështu ndodhi edhe në 31 majin e shkuar. Kisha ishte mbushur plot me besimtarë shqiptarë që luteshin në gjuhën e tyre, sepse atë ditë një nga meshat, më kryesorja, ajo e orës njëmbëdhjetë, thuhej në gjuhën shqipe.


Qe një ceremoni që sillte jehonën e një kohe të shkuar, e një epoke historike kur për shqiptarët, kisha nuk ishte vetëm vendi i lutjeve, i adhurimit të Zotit apo i rrëfimit të mëkateve, por edhe logu i shqiptarizmit, i idealeve atdhetare të një populli të robëruar, i aspiratës për liri.


"Fe e Atdhe", kjo qe emblema e Kishës katolike shqiptare gjatë kohëve. Misioni i meshtarëve nuk mbaronte me predikimin e Ungjillit e të mësimeve të tij morale, as me veprat e bamirësisë e të ndihmës për të vobektit, të sëmurët e të dobëtit. Ai kishte edhe një tjetër synim, atë të idealit atdhetar në një vend që lëngonte nën pushtimin e huaj. Meshtari duhej t'ishte njëherësh mësues, organizues, këshillues, propagandues i gjuhës, i historisë, i traditës, i frymës së kombit.


Meshtarët shqiptarë e kryen këtë funksion nën trysni, me çmimin e sakrificave, shpeshherë me jetën e tyre. Prandaj, Shqipëria e lirë u shprehu mirënjohjen e i vuri në piedestal e shumë prej tyre u bënë edhe drejtues politikë të shtetit të ri. Por provat e Kishës katolike nuk kishin mbaruar. Ato më të vështirat, më të pamundurat, do të vinin më pas, në ballafaqimin jo me pushtuesin e huaj, por me regjimin komunist.


Qe një kasaphanë e papërshkrueshme, prova më tragjike e kaluar që nga agimet e krishterimit. Numri i martirëve të gjysmë qindvjetit të kuq, ndoshta i kalonte ata të gjithë shekujve paraardhës të marrë së bashku. Mizoria komuniste nuk njohu asnjë cak e kisha shqiptare u bë shembulli më i shkëlqyer i qëndresës ndaj një ideologjie e praktike lirivrasëse, siç ishte enverizmi shqiptar.


Kur meshtari i ri, At Aurel Gjerkaj, që çonte meshën, u kërkoi besimtarëve të lexonin "Lutjen për kanonizimin e martirëve shqiptarë", si një zë i vetëm u dëgjua: "O Zot,


Atë i mirë dhe i mëshirshëm, me shembullin e ndritshëm të Krishtit Birit Tënd të kryqëzuar, që vdiq dhe u ringjall, i mbështete në Shqipëri ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët, dhe shekullarët tanë për të dëshmuar besnikërinë ndaj Ungjillit dhe Kishës në tortura dhe në martirizim, po të lutemi që t'i lumturosh edhe në tokë, duke na dhënë hirin që po ta kërkojmë duke iu porositur ndërmjetësimit të tyre..."


Cilitdo që njeh sado pak historinë e diktaturës së komunizmit shqiptar, nuk mund të mos i dilnin parasysh, n'ato çaste, ato qindra e mijëra krime, duke filluar nga këmbët e sharruara të Dom Lazër Shantojës, të pësuara nga klerikët katolikë, mjaft prej të cilëve ishin personalitete të njohura të kulturës së vendit të tyre.


Habit fakti i indiferentizmit të Evropës së lirë ndaj fatit të tyre, sikurse ndaj viktimave të komunizmit në përgjithësi... Edhe shteti shqiptar pas komunist, që vazhdon të ruajë formën në marrëdhëniet me besimet fetare, duke përjashtuar nisma vetjake studiuesish apo ndonjë institucioni kulturor, nuk ka bërë asgjë për të nderuar kujtimin e martirëve të klerikëve të ndryshëm, kryesisht atyre katolikë.


Çasti kulmor i meshës në Xhenacano ishte sjellja n'altar e flamurit shqiptar e mbyllja e saj me të kënduarit e Hymnit kombëtar të Shqipërisë, në përputhje të plotë me konsideratat e shprehura më sipër. Para këtij çasti e mori fjalën At Gazmend Tinaj, provinciali i fretërve të Shkodrës, që iu drejtua të pranishmëve, të gjithë të mërguar e larg atdheut.


U kujtoi atyre se atdheu ka ende nevojë për ta, se prania sot, në ditën e Zojës, i shëmbëllen kthimit të bijave tek nëna, tek vlerat e përbashkëta, tek historia e përbashkët, tek ëndrrat e përbashkëta për një vend të begatë e të përparuar.


Ishte një bisedë prekëse, që pohonte koncepte që nuk dëgjohen çdo ditë, që bënte levë mbi gjendje shpirtërore të trazuara të të mërguarvet, që korri një duartrokitje të zgjatur e të sinqertë të gjithë të pranishmëve. Midis tyre kishte edhe besimtarë jo katolikë që iu lutën Zojës së Këshillit të Mirë.


Duke dalë pak nga dogmat e fevet, kjo dukuri është shumë e bukur. Është diçka e mbetur nga regjimi i shkuar, kur besimi ishte ndaluar me ligj e ku filozofia e besimtarit pranonte se çdo objekt kulti ishte i përshtatshëm për t'u lutur, mbasi të gjithë i shërbenin Zotit e Zoti është një për të gjithë.


Mbas ceremonisë në Kishën e Zojës, festa u kthye në një piknik, ku njerëzit u takuan e u çmallën me miq e të njohur, ku bënë njohje të reja, ku kënduan këngët shqiptare e lojtën vallet e tyre.


Ishte një copë Shqipërie festive në vendin që zgjodhi Zoja e Shkodrës për banesën e saj. Qe një ditë larg shqetësimeve e problemeve të panumërta të çdo dite, e gjitha kjo edhe në sajë të meshtarëve të rinj, e të cilëve u shkon falënderimi ynë i veçantë.

-----------------------------------------------------------------------------------------------

"Shenjtorë të Adriatikut", arti bizantin ekspozohet në Bari


Prej dy javësh vazhdon të jetë e hapur në kështjellën "Svevo" të Barit, ekspozita "Shenjtorë të Adriatikut" . Falë iniciativës së një viti më parë prej "Cooperation @ Heritage", ky projekt bashkoi në një rrjet të vetëm pasuritë muzeale të muzeve kombëtarë shqiptarë dhe atyre puliezë.


Në ceremoninë e hapjes, Ardian Tana, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, theksoi rëndësinë e këtyre iniciativave për promovimin e kulturës së lashtë të shqiptarëve dhe ndryshimin e imazhit tek vizitori europian, si një vend që eksporton vlera kulturore dhe qytetare.


Ekspozita u bë e mundur në sajë të programit "Interreg Itali-Shqipëri", në të cilin bashkëpunuan Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Shqipërisë, muzetë e Beratit dhe Korçës, Rajoni i Pulias, Rajoni i Markeve, Drejtoria Rajonale e Pasurive Kulturore të Pulias etj.


Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur për publikun në një nga pikat më tërheqëse dhe të vizituara të Barit deri më 25 tetor 2009, është një rast unik për të njohur dhe shijuar artin bizantin, një copë historie nga muzetë shqiptarë.


"Kolonel Zogu", në shtator vjen në Tiranë


Alfred Trebicka ka shfaqur para pak ditësh në Elbasan premierën e tragjikomedisë, "Kolonel Zogu", të cilën do ta ngjisë në skenën e TK-së në muajin shator.


Pjesa e dramaturgut bullgar, Hristo Boiçev, është një komedi e zezë, ku stigmatizohet mendësia e Europës Lindore dhe në veçanti ajo e Ballkanit, pas rënies së komunizmit, pa lënë pas hipokrizinë e mbështetjes së Perëndimit në vendosjen e demokracisë në këtë pjesë të Europës. Trebicka e sjell "Kolonel Zogun" në interpretimin e aktorëve Romir Zalla, Marin Orhanasi, Erjona Kakeli, Salsano Rrapi, Ledio Lako, Roland Saro etj.


Grabitësi Al Pacino, në Marubi


Aktori Al Pacino shfaqet nesër në orën 19:00, në kinemanë e Akademisë "Marubi", me një nga rolet e parë të karrierës. "Day Dog Afternoon", i regjisorit Sidney Lumet, e sjell Pacinon në rolin e grabitësit të bankave Sonny Ëortzik. Filmi, prodhim i vitit 1975, zgjat 125 minuta, është në gjuhën angleze dhe shoqërohet me titra në anglisht.


Java në kinema


Në kinema "Millenium", së shpejti mbërrin filmi "Obsessed", i regjisorit Steve Shill. Drama ka për protagoniste këngëtaren Beyonce Knoëles, dhe aktorët Idris Elba, Ali Larter dhe Jerry O'Connell. Ndërkohë, në këtë kinema vazhdojnë projeksionet e sagës së katërt të "Fast and Furious".


Në sallën e "Imperial" shfaqet premiera "The last house on the left", e regjisorit Dennis Iliadis. Një film horror, i cili rrëfen historinë e dy adoleshenteve që torturohen dhe përdhunohen mizorisht nga një bandë psikopatësh. Mizoria e tyre përballet me hakmarrjen e familjarëve të të rinjve. Po në këtë kinema vazhdon të shfaqet filmi "Oskar" i 2009-ës, "Slumdog Millionaire", i regjisorit britanik Danny Boyle.


 

Komenti juaj

 

Kopje me Bluetooth

Qëndron i maskuar, poshtë flokëve ose në mëngët e gjata. Është sa një çamçakëz petë dhe nuk dallohet nga pedagogët....

Itali, deklarim i të ardhurave edhe për hyrjet afatshkurtra

Të huajt që hyjnë për një periudhë të shkurtër, si për vizita, biznes, turizëm, studim, duhet të provojnë se zotërojnë...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj