|
|
Kutitë e KZAZ 20 janë dërguar në kryeqytet mesditën e së enjtes nën masa të rrepta sigurie pas shumë debatesh
FIER - Konflikti mes dy partive kryesore lidhur me bllokimin e kutive të komunës së Libofshës është zhbllokuar mesditën e djeshme, ku tre kutitë e votimit të panumëruara, si dhe 100 kuti të tjera të numëruara të KZAZ-së nr.20 janë nisur për në Tiranë.
Këto kuti shkaktuan një protestë të madhe të qytetarëve fierakë. Kjo për vetë faktin se për këto kuti që i përkasin komunës Libofshë, dhe që socialistët e konsiderojnë bastion të tyre, komisionierët e KZAZ nr.20 me shumicën 4 të djathtë kundër tre të majtëve vendosën që t'i shpallin të pavleshme.
Pas këtij vendimi, u kërkua nga KQZ që tri kutitë të niseshin për në Tiranë. Por një gjë e tillë bëri që qytetarë fierakë, mbështetës së të majtës, të protestonin duke mos lejuar nisjen e kutive në errësirë për në kryeqytet.
Lëvizja e tyre është realizuar mesditën e së enjtes. I njëjti bllokim dhe për të njëjtat arsye është realizuar edhe në KZAZ nr.18 dhe 22 të këtij qarku, ndërsa rreth orës 22:00 të mbrëmjes në KQZ u mor vendimi që edhe këto kuti votimi të transferoheshin në kryeqytet, ndërsa bëhet fjalë pikërisht për katër kuti. Lëvizja e tyre është lënë për t'u realizuar ditën e sotme.
Sipas kandidatit të PS-së, Piro Lutaj, dy nga tre kutitë e hapura që u quajtën të pavleshme, jo vetëm që janë të vleshme, por aty ka fituar më shumë PS-ja dhe, sipas tij kjo ka qenë arsyeja që komisionerët demokratë kanë votuar për pavlefshmërinë e tyre, pasi i janë druajtur një mandati tjetër në favor të PS-së. "U munduan me të gjitha mënyrat për të bllokuar procesin e numërimit duke arritur deri aty sa kutitë e hapura t'i quanin të pavleshme.
Por kjo nuk do të ndodhë, pasi aty gjithçka është brenda ligjit dhe fakti që ato pas numërimit në KQZ do të deklarohen të rregullta dhe do t'i takojnë PS-së, do të tregojë edhe qëllimin keqdashës të komisionerëve të PD-së", - ka deklaruar deputeti i PS-së, Piro Lutaj.
Zhvendosja e kutive është kryer rreth orës 14:00 të së enjtes. Kanë qenë dy mjete: një kamion me targa të Fierit dhe një automjet "Land Rover", që kanë bërë të mundur transportimin e këtyre kutive drejt KQZ-së.
Fillimisht janë kryer procedurat ligjore sipas kodit zgjedhor të gjithë punës së kryer dhe dokumenteve shoqëruese të tri kutive të konsideruara nga PS-ja si të vleshme, por të votuara si të pavlefshme nga shumica e komisionit të KZAZ-së nr.20. Më pas ato janë ngarkuar në të dy mjetet. Gjatë këqyrjes së procesverbaleve të përfundimit të numërimit nga kandidati i PS-së, Ervin Koçi, janë konstatuar disa gabime në numër.
Nga ky i fundit është kërkuar që ato të korrigjohen, gjë që është bërë, por ka shkaktuar edhe vonesën e procesit të transportimit të kutive. Nisja e kutive është shoqëruar me masa të forta nga policia. Ndërsa për shoqërimin e tre kutive, të cilat do të numërohen në KQZ, krahas policisë, ishin edhe tre anëtarë të KZAZ-së, të cilët kanë hipur në mjetin "Land Rover" ku ndodheshin kutitë.
Ndërsa kutitë ngarkoheshin, ato janë shoqëruar nga një numër i të dyja forcave politike duke e bërë më të lehtë punën e komisionierëve në këtë procedurë të rëndësishme. Nga tabela përmbledhëse e KZAZ nr.20 Fier doli se këtu kanë votuar 32 766 votues, ndërsa kanë votuar për PS-në 14303 votues, për PD-në 10803 me një diferencë prej 3500 votash. Ndërsa partitë e tjera: për LSI-në kanë votuar 3421 votues, për PR-në kanë votuar 673 vetë, për PDI kanë votuar 678 votues. K.Th.
Somario: "Fakti që këto kuti pas numërimit në KQZ do të deklarohen të rregullta dhe do t'i takojnë PS-së, do të tregojë edhe qëllimin keqdashës të komisionerëve të PD-së", deklaroi deputeti i PS-së, Piro Lutaj
Numërimi i votave në Bushat përfundoi në orën 6:00 të mëngjesit të së enjtes pas shumë problemeve
KZAZ 41, dy kuti të pavlefshme për shkak të parregullsive
SHKODËR - Përfundon numërimi i votave në KZAZ nr.41 në Bushat të Shkodrës. Numërimi ka përfunduar në orën 06:00 të së enjtes dhe në përfundim të tij PD-ja ka marrë 10 112 vota, ndërsa PS-ja ka marrë 7 010 vota.
Nga 48 200 votues të kësaj zone zgjedhore, kanë marrë pjesë në votim 24 300 ose rreth 51% e tyre. Rezultati në zonën zgjedhore nr.41 nuk ka ndikuar në ndryshimin e numrit të mandateve të dy forcave politike kryesore, ku PD-ja pretendonte të fitonte mandatin e tetë.
Gjithçka ka mbetur si ka qenë para fillimit të numërimit në këtë zonë ku pati mjaft probleme, dhe mandatet në qarkun e Shkodrës janë 7 për PD-në dhe 4 për PS-në. Nga 79 kuti të kësaj zone janë numëruar 77, pasi për dy prej tyre KZAZ nr.41 ka vendosur pavlefshmërinë. Bëhet fjalë për kutinë e qendrës së votimit në Juban të Gurit të Zi, e cila ka pasur kontestime nga Partia Socialiste që ditën e votimit.
Kjo pasi në listat e votuesve u konstatuan 26 emra më shumë se ishin fletë të hedhura dhe ndonëse kjo u argumentua nga komisioni i qendrës së votimit me faktin se votuesit, duke qenë të shumtë, kishin nënshkruar përpara dhe prisnin radhën për të votuar, nuk i bindi vëzhguesit dhe procesi u ndërpre që në orën 14:00 të 28 qershorit. Kjo kuti votimi u shpall e pavlefshme dhe nuk është numëruar nga KZAZ nr.41. Po kështu e pavlefshme është nxjerrë dhe një kuti që ka pasur çarje në pjesët anësore të saj.
Mësohet se PS-ja do të kërkojë pranë KQZ-së rinumërimin e dy kutive të votimit të zonës 42 që i përkasin komunës së Vig Mnelës, si dhe disa kuti votimi në qytetin e Shkodrës ku, sipas PS-së, nuk ka pasur vëzhgues të saj. Megjithatë, pavarësisht nga këto kontestime, rezultati i ndarjes së 11 mandateve të qarkut të Shkodrës, do të jetë 7 për PD dhe 4 për PS.
Si rezultat dhe i formulës së kodit zgjedhor, rrethi i Pukës, pjesë e qarkut të Shkodrës, do të përfaqësohet në parlamentin e ardhshëm me dy deputetë, një i PS dhe një i PD. A.D.
ELBASAN/ Vetëm përgjatë këtij viti, pesë shkolla kanë përfunduar nën shënjestrën e vjedhësve ELBASAN - Pajisja e shkollave me kompjutera...
Gazmend Hamidi, 50 vjeç, i sapokthyer nga Gjermania, kërkoi 2 milionë lekë para nga shitësi i mallrave ushqimore Pas...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj