|
|
TENTATIVA/ Edison Kipi është ndjekur përgjatë superstradës dhe në qytet ku është goditur herë pas here me automjet
LEZHË - Një ndjekje me automjete si në filmat hollivudianë nga Durrësi në Lezhë, ka përfunduar me plagosjen e dy të rinjve, kalimtarë të rastësishëm në qendër të qytetit të Lezhës. Objektivi mësohet të ishte eliminimi i një 20-vjeçari, megjithatë një gjë e tillë nuk u realizua.
Policia ka shpallur në kërkim disa shtetas, të cilët kanë qenë në një automjet "Ford Eskort" me targa të huaja, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Ndërkohë, është ndaluar dhe po merret në pyetje lidhur me sqarimin e ngjarjes Edison Kipi, 20 vjeç, nga Lezha.
I riu ishte edhe objektiv i personave në kërkim, teksa deri në orët e vona të mbrëmjes burime nga policia bënë të ditur se gjithçka ka ndodhur për një konflikt të hershëm. Ndërkohë, viktima të kësaj ndjekjeje kanë qenë Astrit Gjoka, 21 vjeç, dhe Besjan Vokrri, 20 vjeç.
Plagosja e këtyre dy të rinjve nga Edison Kipi duket se ka qenë edhe "hajmalia" e tij për shkak se përplasja me makinë ka sjellë në vendngjarje policinë, duke shmangur kështu ekzekutimin e 20-vjeçarit nga ndjekësit e tij.
Një konflikt i hershëm mes ndjekësve të cilët udhëtonin me një automjet tip "Ford Eskort" dhe 20-vjeçarit Edison Kipi, i cili ishte në drejtimin e mjetit tip "BMV", ka bërë që ky i fundit të ishte objekt eliminimi.
Nga të dhënat e para dhe dëshmitarë okularë të ngjarjes, mësohet se ndjekja e Kipit nga të rinjtë që udhëtonin me një automjet me targa të huaja ka nisur që në qytetin e Durrësit për të përfunduar në Lezhë.
Faktin që po e ndiqnin në mënyrë të vazhdueshme, Kipi e ka konstatuar paksa vonë dhe si rrjedhojë ka shtuar automatikisht shpejtësinë e makinës së tij. Kjo ndjekje ka vijuar përgjatë superstradës dhe më pas në qytetin e 20-vjeçarit, ku ai ka shpresuar të shpëtojë për shkak të njohjes së mirë të rrugëve.
Kështu, për t'iu shmangur ndjekësve ai është futur në një rrugë dytësore që të drejton në qendrën e qytetit, moment kur automjeti që ndodhej pas është afruar edhe më shumë.
Ndjekësit kanë mundur ta arrijnë 20-vjeçarin duke tentuar përplasjen dhe ndalimin e tij. Kipi ka mundur të devijojë në mënyrë të vazhdueshme ndonëse për gati 4 kilometra ai është goditur disa herë nga pas nga të rinjtë që udhëtonin me automjetin tip "Ford". Dy automjetet i janë drejtuar sheshit të qytetit, vendit kryesor ku zhvillohet edhe xhiroja e qytetarëve.
Pikërisht në hyrje të tij 20-vjeçari Kipi ka tentuar të dalë në një rrugë dytësore, por është goditur edhe një herë tjetër, duke bërë që të humbasë kontrollin e mjetit të tij dhe automjeti tip BMV të ndryshojë drejtim. Pas këtij devijimi ai është përplasur me bordurat e trotuarit, duke marrë me vete edhe dy të rinj që po kalonin fare rastësisht në trotuar.
Aksidenti ka qenë tepër i rëndë për të rinjtë, Astrit Gjoka dhe Besjan Vokrri, njëri prej të cilëve ka pësuar dëmtime të mëdha dhe është transportuar nga makinat e policisë private në drejtim të Spitalit Ushtarak të Tiranës.
Duke parë që nuk kanë mundur të arrijnë objektivin e tyre, të rinjtë që udhëtonin me automjetin tip "Ford Eskort" janë larguar menjëherë për të mos rënë në prangat e uniformave blu. Ekspertë të policisë po marrin në pyetje objektivin e autorëve të kësaj ndjekjeje, nga ku pritet të zbardhet edhe ngjarja në fjalë, e cila përfundoi me plagosjen e dy kalimtarëve të rastësishëm.
SITUATA/ Në orët e vona të mbrëmjes filloi evakuimi masiv në zonën e "Bahçallëkut" për shkak të ngritjes së nivelit...
Ylli Biberi, 27 vjeç, nga Tropoja, u arrestua dje nga Njësia Operacionale e kryeqytetit dhe RENEA, ndërsa tentonte të largohej...
Lajmet 07 Janar - Ora 16 -
data/07-01-2010
Lajmet 07 Janar - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 06 Janar - Ora 16 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj