|
|
Gazmend Hamidi, 50 vjeç, i sapokthyer nga Gjermania, kërkoi 2 milionë lekë para nga shitësi i mallrave ushqimore
Pas kallëzimit të pronarit, policia shpall në kërkim, për "gjobëvënie" dy të dyshuar
TIRANË- Emigranti dhe i njohuri i tij, i vunë gjobë tregtarit, për t'i marrë 2 milionë lekë. Policia shpall në kërkim dy persona pas kallëzimit të të dëmtuarit në komisariatin e policisë nr.6, në kryeqytet.
Dy persona tentojnë t'i marrin nëpërmjet gjobëvënies një sasi lekësh një tregtari nga Kombinati. Gazmend Hamidi, 50 vjeç, me banim në Tiranë pranë tregut ushqimor në zonën e "Misto Mames", është denoncuar në polici se bashkë me një person tjetër, ka tentuar t'i vjelë një "taksë" prej rreth 2 milionë lekë të vjetra tregtarit Kujtim Helmi banor i rrugës "Irfan Tomini", në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në mëngjes rreth orës 8:00 në rrugën "Hamdi Pepa", Helmi si çdo ditë ka mbërritur për të nxjerrë në treg mallrat e tij ushqimore për t'i shitur, ndërsa ish-emigranti Hamidi, i sapokthtyer nga Gjermania, bashkë me një person tjetër i kanë bërë presion tregtarit të dorëzojë shumën e lekëve një ditë më vonë.
Në të kundërt, sipas kallëzimit të të dëmtuarit, autorët nuk kanë harruar ta kërcënojnë që të mos kallëzonte në polici. I vetmi element që tregtari ka mbajtur mend për autorin e dyshuar të krimit, ka qenë emri të cilin menjëherë pas kërcënimit ua ka treguar në kallëzim në Komisariatin e Policisë nr. 6 specialistëve përkatës.
Sipas policisë, kërcënuesi Hamidi dhe tregtari Helmi njiheshin prej shumë vitesh bashkë, ndërsa "gjobëvënësi", ishte emigrant në Gjermani. Njohja që ka patur më parë me tregtarin, është shfrytëzuar nga personat që kanë dashur të përvetësojnë shumën e lekëve, për shkak se ata kanë mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Kujtim Helmit.
Uniformat blu nuk e kanë patur të vështirë të identifikojnë njërin prej autorëve të kësaj ngjarjeje, 50- vjeçarin Hamidi, për shkak se ky i fundit ishte person i njohur për tregtarin që u kërcënua për të dorëzuar lekët. Gazmend Hamidi do të ndiqet penalisht dhe bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim, pas një kallëzimi të bërë në Komisariatin e Policisë nr .6, pas tentativës që kanë bërë për t'i vënë "gjobën" tregtarit.
Për t'i shpëtuar "gjobës" që i kishte vënë personi që e njihte prej shumë vitesh, Kujtim Helmi ka depozituar një kallëzim në polici, ku vetë ky i fundit ka rrëfyer gjithçka para hetuesve të policisë për planin që kishin nisur dy personat e shpallur në kërkim për t'i marrë me forcë shumën e lekëve.
Dy autorët e kësaj ngjarjeje akuzohen nga policia për shtrëngim me anë të kanosjes për të përfituar padrejtësisht pasuri nga persona të tjerë. Ndërkohë, burime nga policia pohojnë se në lidhje me këtë ngjarje kanë nisur hetimet për të bërë të mundur arrestimin e personit që ushtroi presion ndaj tregtarit si dhe identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit të tij.
Vidhnin dyqane, pranga dy të rinjve
TIRANË- Janë arrestuar dje nga shërbimet e Komisariatit Nr 5 në kryeqytet dy të rinj të cilët janë kapur në flagrancë në momentet që po vidhnin një dyqan, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Mariglen Lala, 19 vjeç, dhe Shefqet Tanushi, 21 vjeç, të dy banues në kryeqytet, u arrestuan në momentet që po tentonin të vidhnin një dyqan në lagjen "Bulçesh", në Bathore të Tiranës. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së kryeqytetit, dy të rinjtë kanë tentuar të vidhnin dyqanin në pronësi të Astrit Spahiut bashkë me një person të tretë, i cili është larguar pa mundur që të kapet nga policia.
Dy të rinjtë kanë arritur që të futen brenda në dyqan, por mbërritja e shpejtë e policisë ka bërë që këta të fundit të mos e realizojnë planin e tyre për vjedhjen e dyqanit në pronësi të 45- vjeçarit me banim në Bathore. Sipas të dhënave të Policisë së kryeqytetit, kanë nisur hetimet për të identifikuar dhe arrestuar personin e tretë që tentoi të vidhte dyqanin bashkë me dy të arrestuarit e djeshëm.
Mësohet gjithashtu se të dy të arrestuarit për vjedhje të mbetur në tentative, njihen si persona me precedentë të mëparshëm penale dhe kanë qenë të dënuar po për akuzën e vjedhjes.
Kapet në Rinas i kërkuari për dokumente false
TIRANË - Arrestohet nga blutë e Komisariatit të Rinasit një 28- vjeçar nga qyteti i Beratit, i cili ishte shpallur në kërkim për akuzën e falsifikimi të vulave dhe dokumenteve.
Artan Dropulli, lindur dhe banues në Berat, është arrestuar nga Seksioni i Hetimit i Komisariatit Rinas në momentet që ky i fundit po kthehej nga Belgjika nëpërmjet një linje ajrore si i deportuar nga ky vend, rreth orës 1 e 30 minuta të mesnatës së ditës së enjte.
Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, i arrestuari i djeshëm në Rinas ishte shpallur në kërkim nga policia pas një vendimi të dhëne nga Gjykata e Beratit ku e shpallte atë fajtor për akuzën e falsifikimit.
Gjykata e Shkallës së Parë në Berat e ka dënuar 28- vjeçarin Dropulli me 4 muaj burg e 400 mijë lekë gjobë për veprat penale të "falsifikimit të dokumenteve" dhe "falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve. Artan Dropulli do t'i dorëzohet autoriteteve të policisë së Beratit për veprime të mëtejshme.
Kreu i shtetit ka dekretuar kompetencat tokësorë të gjykatave të Apelit dhe atyre të seksionit të të miturve TIRANË- Presidenti...
Pëllumb Shkreli është pronari i 50 kg hashash ndërsa Eduart Kane inspektori i policisë që do e ndihmonte të fshinte...
Lajmet 10 korrik - Ora 16 -
data/10-07-2009
Lajmet 10 korrik - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 korrik - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj