Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

E majta dhe "Rruga e Tretë"

Franko Egro | 04/08/2009 | Komente | komentet 3 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

"Botës, asnjëherë nuk i ka ardhur e keqja nga popujt anglishtfolës," mbetet ndër deklaratat më të lakuara dhe më përshtypjebërëse të artikuluara nga një prej ish-Kryeministrave më të suksesshëm të Britanisë së Madhe, "Zonjës së Hekurt", Margaret Theçer.


Ndonëse e debatueshme si tezë, nëse zhytesh disi thellë ndër shekuj, vështirë se mund të gjendet dikush, qoftë edhe ndër më skeptikët, që të mund ta dyshojë faktin domethënës se "eksportet" britanike drejt kontinentit nuk kanë ushtruar influencë tejet pozitive, si në Europë, ashtu edhe përtej saj.


Perandoria "ku dielli nuk perëndonte kurrë" ka shërbyer gjithnjë si vatër dhe epiqendër idesh e lëvizjesh progresive, që kanë çelur jo vetëm perspektiva dhe hapësira novatore, por dhe epoka zhvillimi për mbarë njerëzimin.


Është krejt e pamundur t'i rendisësh (pasi nuk është dhe objekti i këtij shkrimi), pikërisht se shembuj të tillë janë të pafundmë në thuajse të gjitha fushat dhe dimensionet e jetës.

"Eksporti" i fundit që bëri xhiron e botës, në kuptimin real, ishte ideologjia, teoria dhe praktika e së majtës moderne; e njohur si "Rruga e Tretë", e cila duke fituar dimension të fortë praktik, arriti të shndërrohet në alternativë dominante qeverisjeje.


Teksa filloi të konturohej në Britani, ishin të shumtë ata që përpiqeshin të gjenin realisht thelbin, apo magjinë e saj; thënë ndryshe, atë çka e shndërroi në "simbolin e së majtës progresiste, por dhe në makthin e së djathtës".


Teksa shfletoja në mesin e viteve '90-të shtypin britanik, gjeja citime nga më të ndryshmet, kryesisht mosbesuese, si: produkt i cinizmit të majtë anglez; tezë e pastrukturuar, e papërpunuar dhe e papërcaktuar; tezë mbresëlënëse, spektakolare, por krejtësisht e pamundur të konkretizohet në administratë.


Ndër më pikantet ishte ajo sipas së cilës "do mbetet ideologji e mrekullueshme në befasitë e veta, por do ketë fatin e ideve të Adam Smithit dhe utopistëve të tjerë anglezë...".


Pas më shumë se një dekade, gjithsesi, analizimi dhe vlerësimi i saj sigurisht që është mjaft më i thjeshtë. "Rruga e Tretë" mund të përmblidhet si një pragmatizëm konstruktiv, si një filozofi që i përgjigjet një pyetjeje mjaft të thjeshtë: a ofron zgjidhje konkrete dhe efikase për problemet e qytetarëve?


Ishte pikërisht kjo "thjeshtësi makabre", ajo që e shndërroi atë në teorinë më të urryer nga e majta ekstreme dhe të gjitha segmentet e së djathtës. "Rruga e Tretë" dallohet lehtë nga kapitalizmi liberal, i cili vazhdon të predikojë pa hezitim "meritat dhe vlerat e pakontestueshme" të tregut të lirë.


Ajo ndryshon mjaft edhe nga socializmi demokratik që mbështetet kryesisht tek menaxhimi dhe më pas tek obsesioni mbi rolin e shtetit. "Rruga e Tretë" është në harmoni me ligjet e kapitalizmit, pasi favorizon rritjen ekonomike, mbështet energjikisht tregun e lirë, inkurajon zhvillimin e biznesit dhe rrjedhimisht, shtimin e pasurisë.


Por, nga ana tjetër kërkon më shumë drejtësi sociale; më shumë përgjegjshmëri dhe racionalitet në raportet individ-shoqëri; më shumë angazhim në dobi të qytetarit; më shumë protagonizëm dhe proaktivitetit të votuesve; dhe po aq nga vetë shteti.


"Rruga e Tretë" mbështetet tek një administrim ndryshe; tek një shtet aktiv që vendos si objektiv kulmor dhe madhor vetëm zhdukjen e varfërisë dhe përmirësimin gradual të cilësisë së jetës për qytetarët.


Ajo vendos në fokus individin që merr peshë dhe dimension real. Qytetari është në epiqendrën e reformave dhe këtë e realizon jo vetëm nëpërmjet votimit, por mbi të gjitha, dhënies së opinioneve, mendimeve dhe zgjidhjeve konkrete nëpërmjet një komunikimi konstant.


Babai ideologjik i saj, Profesori Anthony Giddens, ndoshta figura më autoritare e mendimit të sotëm filozofik, pedagogu i së mirënjohurës London School of Economics, (rezervuar i ideve pioniere të së majtës ndër vite), shprehet se "në formë dhe përmbajtje, 'Rruga e Tretë' nuk ka të përbashkëta me socializmin dhe neoliberalizmin tradicional".


Ai shton se "Rruga e Tretë është përgjigjja ndaj sfidave që jetojmë". Sipas Giddens, për asnjë moment ajo nuk duhet trajtuar si një oportunizëm elektoral majtist, por si përgjigje racionale për mjedisin e ri social-politik dhe ekonomik.


Në thelb të saj qëndron një fenomen bazë: globalizimi. Profesori shpjegon se "Rruga e Tretë" e shikon shtetin kombëtar si shumë të madh për të zgjidhur probleme të vogla dhe shumë të vogël për të zgjidhur probleme të mëdha. Bota nuk ishte më e parcializuar. Një parantezë ilustruese; ndërsa në Britani diskutohej "Rruga e Tretë", në jug të Evropës luftohej përgjakshëm në ish-Jugosllavi.


Idhtari i saj, Kryeministri i kohës, Toni Bler, kërkoi ndërhyrjen më energjike. Në frymën e "Rrugës së Tretë", ai hodhi poshtë tezën sipas së cilës, ajo çka ndodh në një shtet, është thjeshtë dhe vetëm punë e brendshme. Një tezë e frymë e re kjo në politikën e jashtme, që u shtri rrëmbimthi jo vetëm në Europë, por edhe shumë më gjerë.


Është e kuptueshme se teza dhe rryma të tilla mendimi nuk lindin në terrene të zbrazëta, por kërkojnë kushte kryesisht sociale. Në Britaninë e Madhe ajo lindi për shkak të ndryshimit të vetë strukturës së shoqërisë. Një brez më parë, afro gjysma e popullsisë ishin klasë punëtore dhe 20 % klasifikoheshin në shtresën e mesme.


Por, kur Toni Bler morri drejtimin e laburistëve dhe të shtetit, raportet e mësipërme kishin ndërruar vend. Politika dominante e zonjës Thaçer; e një demokracie të mbështetur fort tek prona, ishte mjaft e konsoliduar dhe i kishte dhënë frytet në fuqizimin e shtetit në tërësi. Ajo, më shumë se kushdo kishte kontribuar në shfarosjen e së majtës tradicionale.


Autoriteti i kishës dhe i sindikatave ishin dëmtuar. Kishin evoluar ndjeshëm edhe vetë raportet familjare dhe njerëzore. Së majtës së re, i duhej jo vetëm të "mblidhte" elektorat tek pakënaqësitë e dominimit konservator, i cili u mbështet tek kapitalizmi agresiv, por të krijonte koncepte dhe vlera të reja, sa kontrastuese me ta, aq edhe njerëzore dhe të perspektivës.


Kryesisht për këto motive, ideologët (Profesori Anthony Giddens etj.) dhe politikanët, laburistët (Toni Bler) realizuan zhvendosjen e saj drejt qendrës, duke hapur epokën e re të së majtës britanike dhe më pas asaj europiane e më gjerë.


*Pjesa e parë e një Triptiku të autorit në shekulli mbi të majtën europiane. Titulli i plotë: E majta dhe Rruga e Tretë Britanike - Filozofia. Në shkrimin e dytë do të analizohen vlerat dhe risitë e "Rrugës së Tretë".

 

3 KOMENTE

rruga e trete ishte nje experiment ne nje kohe te çaktuar,sot ajo shihet si nje nga shkaqet e ultraliberalizmit n'angli,qe kontribuoj shume ne krizen qe kemi.
Ne nuk kemi nevoje as per te majte as per te djathte_koncepte joshqiptare_ po kemi nevoje per nje politike kombtare,per interesat e kombit me ide nga te gjitheve ne favor te shqiptareve!Ashtu siç kane vepruar shtetet evropian deri sa u konsoliduan! ne ende nuk jemi konsoliduar ,pra na duhet nje politike kombtare te forte,me vu prape vendin ne binar te shendosh,e pastaj "liberalizimi"!
edhe per kete politike kombtare kemi nevoje njereze atdhetare,asgje tjeter,qe ne cdo vendim mendojne cka fiton populli ime ketu,e jo cka fitoj une ketu!

Nje popull i pasur-nje Shtet i fuqishem.Jo ndarje te thella sociale.Jo miliarda te kete dikush dhe pjesa tjeter te rropatet per buken e gojes......Globalizem? Po...Dhe per nje caste te mendojme se te gjith jemi krijesa te zotit dhe qe kemi lindur ne kete toke qe ishte dhe askush kur lindi nuk solli toke me vete por ne e gjetem dhe prap do ta lem aty ku ishte, duke mos marr asgje me vete dhe, ne ,nuk ishim dhe nuk do te jemi kurr pronar te saj.Toka eshte pronari i jone,neve jemi skllav te saje,prandaj sa ceshte Shqiperia e imja po aq i imi duhet te jete edhe cdo Shtet tjeter i Botes, te gjithe njerzia duhet te jetoje ne harmoni me njeri tjetrin pa dallim rrace, feje apo tjetr gjeje,pra duhet te jetojme ne barazi , jo te plote ndoshta por pa shume diferenca,prandaj ndoshta "Rruga e trete"do te ishte e duhura sot por me shume kujdes larg asj Komuniste: "E te gjitheve dhe e askujte" bjeri ti biem.

besoj qe vlejne te thuhen te njejtat gjera edhe per te majten italiane,pavaresisht se sot duket ne veshtiresi.
E thene me shkurt emigrantet shqiptare por jo vetem ata erdhen ne itali ne nje fare menyre te djathte kjo e lidhur me ate eksperienze qe quhej socializem(kishte vetem emrin)dalengadale ata pane qe ndersa e djathta i shikonte si rrezik per sigurine si arme per te trembur elektoratin e shpesh thjesht si skllever e majta kish nje qendrim tjeter duke itrajtuar si qytetare me te drejta per tua garantuar(i nuovi italiani)
Kjo beri qe se pari tek intelektualet e dalengadale te tjeret te mos i lidhin me shpresat e tyre me berlusconin apo legen por me te majten.Kjo eshte esenza e se majtes perendimore "allargare i diritti",te shikos pertej se sotmes dhe jo vetem per sot jovetem ketu jo vetem une.
Kjo filosofi ka bere qe regionet italiane te qeverisura nga e majta te kene mireqenie stabilitet resultate te njohura ngate gjithe.

Komenti juaj

 
Komentet
 

Vejusha e zezë sulmon infermieren

Sikur të mos e njihte se sa e rrezikshme...

Pacientët 'pushtojnë' oborret e spitaleve

Pacientët tashmë i kanë kthyer oborret e spitaleve në ambjente...

Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj