|
|
Sandra Boeschenstein është e para artiste pjesëmarrëse në Bienalen e Tiranës, që ka nisur punën në Hotel "Dajti". Punët e saj i realizon me laps dhe bojë shkrimi dhe i quan krijime ekonomike
Ndonëse edicioni i katërt i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Tiranës (Tirana International Contemporary Art Biennial) do edhe një muaj që të nisë, artistët e parë kanë filluar të vijnë në Shqipëri. Janë gjithsej 60 pjesëmarrës, të cilët më 18 shtator ekspozojnë punët e tyre në Hotel "Dajti". Kanë filluar të vijnë pikërisht ata që projektet do t'i krijojnë dhe ngrenë në ambientet e këtij hoteli apo diku në qytet. E para artiste që ka nisur punën në katin e tretë të hotelit, është zvicerania Sandra Boeschenstein. Për të është hera e parë që vjen në Shqipëri dhe pohon se ftesën për të marrë pjesë në bienale e ka pranuar vetëm nga kurioziteti për të parë një vend të Europës Juglindore.
Është marrë me pikturë, por për pak kohë, derisa zbuloi se më një laps të thjeshtë plumbi mund të shprehte më shumë. Madje, në këtë mënyrë mund të bëjë art edhe me fare pak shpenzime, pasi krijimet e saj nuk kërkojnë më shumë se një vijë (të realizuar me laps apo me bojë shkrimi). Në një dhomë të vogël në katin e tretë të Hotel "Dajtit", artistja 42-vjeçare ka hapur në tokë ato pak materiale që i duhen: laps, bllok shënimesh, disa vula të vogla që kanë për klishe vizatime të imëta që i ka krijuar dikur, një fill të zi dhe disa gjilpëra me kokë. Në ato vende ku letra e murit është dëmtuar, ka stampuar disa nga këto vizatime të imëta që tregojnë një njeri në shtrat. Është dita e parë e saj në Tiranë dhe thotë se është ende herët për të treguar çfarë do të jetë në fund kjo dhomë. Në intervistën e mëposhtme ajo rrëfen për artin e saj dhe disa nga idetë fillestare që i ka ngacmuar Hotel "Dajti".
Sandra, mirëserdhët në Shqipëri! Je ndër të parët pjesëmarrës që kanë ardhur që tani për Bienalen e Tiranës. A mund të na tregosh se si ka nisur rruga juaj në art?
Kam studiuar në Zyrih, fillimisht filozofi dhe art, sepse në këto kohë nuk është shumë e mundur të reflektosh mbi atë që po bën në një shkollë arti. Kështu që doja të kombinoja studimet e artit me ato filozofike. Në Zyrih kjo nuk ishte e mundur, kështu që u zhvendosa në Bernë. Edhe aty ishte e njëjta gjë, megjithatë vendosa: art. Kam filluar me pikturën, pastaj me instilacione.
Përse u largove nga piktura?
Duke përdorur këto mediume, humba mundësinë për të reaguar shpejt. Kur filloj të punoj, krijoj në mendje struktura, të cilat më pas bëhen komplekse. Strukturat s'janë lineare, kështu që nuk reagoja sa duhet ndaj asosacioneve që kisha kur punoja me mediume të ngadaltë, si piktura ose instilacionet e mëdha. Mua më interesonte më shumë të ndiqja mënyrën time të të menduarit, që është vizatimi. Vizatimi është një medium shumë modest.
Dhe çfarë e bën vizatimin një teknikë modeste?
Kur lexoj apo shkruaj një tekst, mendimet e mia janë shumë të ndryshme. Kur lexoj, mendimet janë disi lineare, por kur vizatoj është ndryshe. Nuk mund të korrigjoj vijën që hoqa gabimisht. Ai moment kërkon një përqendrim të madh. Më pëlqen shumë kjo mënyrë rrënjësore e të vepruarit me pak materiale, është teknikë jo e sofistikuar, por që përcjell ide të epërme dhe kështu, mundësia e reagimit është më e madhe.
Cilët janë materialet që përdor më shumë?
Preferoj të punoj me materiale që nuk kushtojnë, por që më ndihmojnë të shpreh ato ide, për të cilat fola më sipër. Në qendër të punës sime është bashkimi i perceptimit dhe mënyrës së të menduarit. Ti thua po perceptoj diçka dhe më pas reflekton mbi të. Unë do të thosha se këto dy procese nuk mund të ndahen. Kur i bashkoj këto të dyja, më del mënyra më interesante e të menduarit. Me fjalë të tjera, jam më shumë e interesuar për këtë mënyrë të menduari që nuk është shumë e qartë, që nuk ka vetëm një drejtim, por shumë drejtime.
Duket sikur për ty procesi i të menduarit është më i rëndësishëm sesa ai i të krijuarit.
Është i rëndësishëm, por nuk është ai lloj mendimi racional dhe intelektual, që merret në universitet. Ai për të cilin flas, është një mundësi për të vështruar veten time ndërkohë që unë veproj, vizatoj. Më intereson të menduarit që ndjek perceptimin, vëzhgimin. Mendimet duhet vijnë menjëherë pasi unë kam vëzhguar diçka. Është e vështirë, por le të themi që gjatë punës shpesh mendoj, përpiqem të reflektoj mbi gjendjen e kushtëzuar të qenies njerëzore. D.m.th., ne kemi një trup, por veprojmë jashtë këtij trupi. Gjithmonë vëzhgoj se si mund të bashkohen me njëri-tjetrin këto nivele, si trupi, truri etj.
Të vizatuarit me bojë stilolapsi apo me laps, sa ndihmon në këtë zbërthim të qenies njerëzore?
Kjo teknikë ka një material shumë modest. Unë kam një vijë dhe mund të përdor metra të tëra të kësaj vije. Mund të blej një laps dhe, me të, të vizatoj kilometra të tëra vijë. Kohët e fundit kam blerë një lapës, me të cilin shkruan 5 km, nuk e di është e vërtetë apo është një shaka, por më pëlqen ideja që në një send kaq të vogël ndodhet gjithçka për të cilën unë kam nevojë. Me një metër vijë unë mund të formoj një trup, mund të shkruaj një fjalë apo fjali, por gjithashtu mund të vizatoj një bukë (buka është një element që përdor shpesh, pasi të gjithë e njohin dhe e përdorin bukën). Këtë vijë mund ta shndërroj në çfarë të dua dhe kjo është ajo që më pëlqen.
Cila ishte arsyeja e pranimit të ftesës për të marrë pjesë në Bienalen e Tiranës?
Nuk u mendova gjatë për të pranuar ftesën, kjo për arsye se nuk kisha qenë ndonjëherë më parë në Europën Juglindore. Mendova se është kaq e çuditshme që njoh vende që janë shumë më larg se Shqipëria dhe nuk kam asnjë ide për këtë pjesë Juglindore të Evropës. Doja të eksploroja këtë "fushë të errët" e të panjohur për mua. Dija për Shqipërinë ato çka kisha lexuar nëpër gazeta, kështu që doja të kisha përshtypjen time për këtë vend
Po për Hotel "Dajtin" çfarë dije?
Unë kam lexuar që është ndërtuar nga një arkitekt italian dhe që ka qenë një copë Perëndimi këtu në Shqipëri gjatë kohës së komunizmit. Vetëm kaq.
Çfarë do të realizoni në këtë dhomë?
Është paksa herët për të folur për këtë. Kur lëviz përgjatë këtyre dhomave, nuk arrij të reagoj shpejt, sepse mendoj që ky hotel ka një histori të madhe të tijën. Jam mësuar të krijoj në galeri apo në muze dhe kjo është një situatë specifike. Këto janë dhoma ku njerëzit kanë fjetur si mysafirë, kështu që unë dua që, me pak material, të krijoj një brendi, të krijoj një situatë se si mund të ketë qenë më parë këtu, por këtë dua ta realizoj me thyerje, me pak materiale. Nuk do të vendos një krevat, por mund të vizatoj një të tillë të vendosur në një mënyre paksa të çuditshme. Gjysma në njërin kënd të dhomës dhe gjysma në këndin tjetër. Do të përpiqem që të jap paksa emocion nëpërmjet idesë për të vendosur sërish ato që mund të kenë qenë aty, një tavolinë, një krevat etj., vetëm duke vizatuar në mur. Por akoma gjithçka është e hapur.
Lustraxhinjtë janë farë në zhdukje. Në Tiranë kanë mbetur sa gishtat e njërës pëllëmbë. Bashkim Bilbili është lustraxhi që punon...
Kisha Ortodokse Shqiptare u bën thirrje autoriteteve që të tregojnë përgjegjshmëri për të ardhmen e shoqërisë Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare...
Lajmet 15 gusht - Ora 11 -
data/15-08-2009
Lajmet 15 gusht - Ora 10 -
data/30-08-2008
Lajmet 15 gusht - Ora 09 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Komenti juaj