|
|
Gjatë gjashtë muajve të kaluar, është bërë shumë për t'u përballur me luftën në Afganistan. Ne kemi përsëritur sërish se qëllimi ynë kryesor është çrrënjosja e Al Qaidas, kemi krijuar një ekip të ri për kryesim, përfshirë këtu edhe të dërguarin e posaçëm Richard Holbrooke; kemi shtuar numrin e ushtarëve tanë dhe kemi përshtatur taktikat tona; kemi filluar të mbështesim forcat tona me përpjekje të sinkronizuara diplomatike, politike dhe ekonomike. Por, a mund të shpjegojmë se si mund ta ndihmojnë të gjitha këto
gjëra strategjinë efektive, e cila do të ruajë angazhimin amerikan në një prej rajoneve më të vështira në botë? Populli amerikan po bëhet gjithnjë e më skeptik. Në një anketë të re të bërë nga "CNN", 54 për qind e të anketuarve theksuan se tani ata e kundërshtojnë luftën e kryesuar nga SHBA-ja kundër talebanëve dhe aleatëve të tyre nga radhët e Al Qaidas. Janë këto shifra rrëqethëse dhe paraqesin një vërejtje serioze për administratën e Obamës. Vështirësitë këtu kanë të bëjnë me kompleksitetin e kësaj lufte.
Armiku ynë i vërtetë, Al Qaida, tani ndoshta ka mbetur i ngujuar më shumë në Pakistan sesa në Afganistan. Bartja e luftës me forca tokësore në Pakistan rrezikon përhapjen e konfliktit dhe minimin e qeverisë së brishtë civile të Pakistanit. Ngjashmëritë me Vietnamin janë tejet të dukshme. Edhe atje kryengritja është kryesuar dhe përkrahur nga jashtë kufijve të shtetit, në të cilin po luftonin forcat tona. Edhe atje strehimoret e kryengritësve jashtë kufijve të shtetit dëmtuan tej mase përpjekjet e forcave amerikane. Edhe atje ra përkrahja për angazhimin tonë, në momentin kur angazhimi ynë filloi të tronditet dhe filloi të shtohet numri i humbjeve në radhët tona. Përvoja jonë në Vietnam ofron një leksion të fuqishëm në lidhje me atë se si të shpjegojmë strategjinë tonë dhe të ruajmë përkrahjen e opinionit publik, me qëllim që në fund të arrijmë sukses.
Së pari, ne duhet të nënvizojmë qëllimin tonë të qartë dhe të palëkundshëm, e jo të mbiçmojmë arritjet tona. Në Vietnam ne dukej se ndryshonim synimet tona sa herë që ato përballeshin me sfida serioze. Nga një moment në tjetrin, ne luftuam për të ndalur agresionin komunist, për të parandaluar rënien e "gurëve të dominosë në Azinë Juglindore", për të parandaluar masakrën nëse vietkongët do të ngadhënjenin dhe për të ruajtur "besueshmërinë e SHBA-së".
Dhe vazhduam të premtojmë "dritën në fund të tunelit", deri në momentin kur përkrahja e opinionit publik ra në minimum. Prandaj, në Afganistan ne duhet t'i japim fund konfuzionit të amerikanëve, duke përmendur justifikime të shumta për praninë tonë atje. Ne nuk jemi atje për të krijuar demokraci për afganët, për të stabilizuar Pakistanin bërthamor apo për t'u përballur me rivalitetet strategjike në këtë gadishull. Ndoshta, këto do të jenë synimet përfundimtare, por ne nuk duhet të shpërqendrojmë vëmendjen nga Al Qaida. Dhe duhet të jemi të kujdesshëm, kur flasim për përparim.
Së dyti, ne duhet të kuptojmë se në momentin kur ne po shtojmë përkushtimin tonë ushtarak kundër kryengritjes në Afganistan, do të përballemi me humbje të shtuara, gjë që do të kufizojë fuqinë tonë politike. Ne duhet të gjejmë baraspeshën e drejtë mes urgjencës së misionit dhe shpenzimeve e rreziqeve të aksionit, për të përshpejtuar suksesin tonë. Në Vietnam u dëshmua se kanë mundur të merren aksione vendimtare ushtarake kundër veriut, por ne ngurruam deri në momentin kur u bë tepër vonë. Ne është dashur më herët të intensifikojmë fushatën ajrore kundër veriut; është dashur të sulmojmë më herët dhe në mënyrë më efektive bazat e tyre në Kamboxhia dhe Laos. Ushtria jonë duhet të gjejë masa më efektive për të luftuar qendrat dhe bazat e armikut në Pakistan - dhe sulmet me fluturaket pa pilot Predator janë një fillim i mirë. Mos të presim gjatë për të vepruar. Në fund, ne nuk përfitojmë asgjë duke fajësuar nikoqirët tanë apo kulturën e tyre. Në Vietnam, në vazhdimësi jemi ankuar për jo efikasitetin e aleatëve tanë dhe iniciuam përmbysjen e udhëheqësve të Vietnamit Jugor. Në fund, përfunduam duke u zhytur në probleme.
Në Azinë Jugperëndimore, amerikanët duhet të kuptojnë se udhëheqësit lokalë dhe institucionet e tyre nuk ndajnë prioritetet dhe vlerat tona. Ne nuk mund të ndërtojmë një shtet për një popull tjetër dhe amerikanët duhet ta pranojnë këtë. Në vend të kësaj duhet të punojmë prapa skenës për të përqendruar përpjekjet tona kundër Al Qaidas. Përkushtimi ynë për të mposhtur Al Qaidan nuk ka nevojë t'i ngjasojë tragjedisë sonë në Vietnam. Nën kryesimin e administratës së Obamës, ne kemi një fillim të mirë. Le të mësojmë nga gabimet e Amerikës e jo t'i përjetojmë ato sërish.
(Artikulli i ish-gjeneralit që udhëhoqi trupat e NATO-s 10 vite më parë në Kosovë është marrë nga gazeta amerikane "New York Daily News". Titulli është i redaksisë. Titulli në origjinal është "Obama duhet të mësojë nga Vietnami")
Pacientë të shtirë në korridore, madje edhe të ulur...
Sikur të mos e njihte se sa e rrezikshme...
Lajmet 15 gusht - Ora 11 -
data/15-08-2009
Lajmet 15 gusht - Ora 10 -
data/30-08-2008
Lajmet 15 gusht - Ora 09 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Baza e lindjes se terrorit dhe terroristeve eshte sistemi kapitalist,qe e ka ndare boten ne te pasur dhe te varfer!Per deri sa eshte sistem i padrejte,doemos do te kundershtohet nga popujt e varfer ,qe jane shumica e botes!Amerikanet nuk duhet te krijojne iluzionin e gabuar se me forcen e madhe ushtarake,do te mund ta vene boten nen hyqem!Terrorizmin do ta zhduke vetem nje sistem,qe krijon barazi midis njerezve,te tjerat jane sofizma,qe u duhen fuqive te medhe per te komanduar njerezimin!SHBte mbeshtesin Izraelin kunder te drejtave te popullit Palestinez!A eshte kjo,e drejte demokratike e amerikaneve???Mos kerkoni demokraci kur mbillni lufte!!!