|
|
Pavarësia e Kosovës është një nga temat më të diskutueshme sot jo vetëm në qarqet politike, por edhe në çdo qelizë të shoqërisë kosovare.
Çlirimi i Kosovës nga okupuesi serb e vendosi mbarë popullin kosovarë dhe qeverinë e tij të brishtë, përballë një realiteti i cili mund të konsiderohet shumë kompleks për t'u kuptuar nga një popull që ka qëndruar në robëri për dekada e shekuj me radhë.
Por ajo çka është më e vështir për t'u konceptuar nga shoqëria kosovare dhe klasa e saj politike sot, është përballja me një sistem politik ndërkombëtar, ku marrëdhëniet midis shteteve janë të normuara dhe rregulluara përmes institucioneve politike ndërkombëtare.
Institucioni më i lartë politik ndërkombëtar është Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB). Kushtetuta e OKB (Charter) mund të konsiderohet si një Kushtetutë ndërkombëtare që obligon të gjithë shtetet nënshkruese të saj të sillen bazuar në rregullat dhe ligjet e vendosura në këtë Kushtetutë.
OKB-ja ka si qëllim të mbrojë integritetin dhe sovranitetin e çdo vendi anëtar nga sulmet nga vendet joanëtare, të zgjidhë në mënyrë paqësore mosmarrëveshjet ndërmjet vendeve anëtare dhe të promovojë bashkëpunim ndërkombëtar ndërmjet anëtarëve të saj për të zgjidhur problemet ekonomike, sociale, kulturore dhe humanitare.
Por cili është vendi dhe roli i Kosovës në këtë sistem politik ndërkombëtar? Për t'i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, ne duhet të analizojmë konceptet e pavarësisë "de facto" dhe të pavarësisë "de jure" të shtetit të Kosovës.
Pavarësia "de facto" e Kosovës mund të përmblidhet në një fjali të vetme: Pavarësia "de facto" është një pavarësi që fiton një popull ose një shtet nga një pushtim apo ndikim i një populli apo shteti të huaj, dhe që rezulton me krijimin e një qeverie me një juridiksion të përcaktuar ose të një shteti sovran.
Pavarësia "de jure" është më e komplikuar se ajo "de facto", për vetë faktin se pavarësia "de jure" kërkon që shteti i ri të njihet nga shtetet pjesëtare të institucionit ndërkombëtar (OKB), dhe rrjedhimisht të jetë anëtar më të drejta të plota i atij institucioni.
Ndaj, pavarësia "de jure" mund të konceptohet si njohja, aprovimi, dhe nënshkrimi nga një shtet i një tërësie rregullash, normash dhe ligjesh që normojnë, rregullojnë dhe kontrollojnë aferat brenda një sistemi politik ndërkombëtar ku ai shtet kërkon të aderojë.
Bazuar në përkufizimet e mësipërme mund të themi se Shteti Kosovar gëzon një pavarësi "de facto", por akoma nuk gëzon një pavarësi "de jure". Kjo mund të konsiderohet si një situatë kritike dhe tranzicionale për një shtet të sapoformuar, pasi ecuria e mëvonshme dhe suksesi i shtetit të ri do të varej si nga zhvillimet e brendshme, ashtu edhe nga zhvillimet në sistemin politik ndërkombëtar.
Pavarësia "de jure" e Kosovës duhet të kalojë përmes Këshillit të Sigurimit dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Anëtarësimi në OKB bëhet përmes nënshkrimit dhe ratifikimit të Kushtetutës në përputhje me Kapitullin XVIII, Artikulli 110. Miratimi kërkon votën e dy të tretave (2/3) të 192 shteteve anëtare të OKB-së në Asamblenë e Përgjithshme.
Për të maksimizuar këtë numër në favor të shtetit të Kosovës, politikanët dhe udhëheqësit kosovarë dhe shqiptarë, kanë filluar një fushatë politike në Arabi, Azi, Karaibe, Amerikë Latine, Afrikë, dhe mbase edhe në Burundin e largët.
Nuk kam asgjë kundër diplomacisë dhe shkëmbimeve diplomatike me cilindo shtet të botës, por dua të theksoj se pavarësia e Kosovës dhe pozicionimi i shteteve të ndryshme mbi këtë çështje nuk mund të jetë objekt i një fushate politike të ndërmarrë nga një grup politikanësh kosovarë dhe shqiptarë.
Shtetet do pozicionohen mbi këtë çështje bazuar në interesat që vetë sistemi politik ndërkombëtar sanksionon mbi këto shtete.
Ndaj, unë mendoj se strategjitë dhe politikat që po ndiqen nga klasa politike kosovare dhe shqiptare për ta bërë Kosovën shtet të pavarur "de jure", janë joefikase, madje edhe në disa raste të dëmshme për këtë proces. Liderët kosovarë dhe ata shqiptarë duhet të konsiderojnë se Artikulli 110 ka një kleçkë të vogël nga pas.
Asambleja e Përgjithshme voton bazuar në rekomandimet e ardhura nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Kapitullin V, Artikujt 24 dhe 25, detyrojnë Asamblenë e Përgjithshme të shqyrtojë rekomandimet e Këshillit të Sigurimit (në raste të veçanta rekomandime bëhen edhe nga Sekretari i Përgjithëshm me pëlqimin e Këshillit të Sigurimit).
Artikulli 27 sanksionon se rekomandimet e Këshillit për Asamblenë e Përgjithshme duhet të aprovohen në Këshill me tre të pestat (3/5) e votave të pesëmbëdhjetë (15) anëtarëve të tij.
Për ta bërë edhe më të komplikuar këtë proces, Artikulli 27 kërkon që tre të pestat e votave duhet të inkludojnë votat e secilit prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit: Shtetet e Bashkuara, Rusi, Kinë, Angli dhe Francë.
Si rrjedhojë, mund të deklaroj me siguri se pavarësia "de jure" dhe e ardhmja e Kosovës varet nga vullneti politik dhe interesat e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
Por kjo çështje, që në dukje është ligjore, është e varur nga ndikimi që do të ketë, ose supozohet të ketë kjo pavarësi mbi marrëdhëniet ndërkombëtare ndërmjet fuqive të mëdha.
Këto marrëdhënie kanë të bëjnë me balancën e pushtetit në rajon dhe me impaktin që kjo balancë mund të ketë në komplet sistemin ndërkombëtar. Asnjë nga fuqitë e mëdha nuk dëshiron që balanca të prishet në dëm të interesave të tyre strategjike në rajon dhe gjetkë. Kjo balancë konsiderohet nga shtetet si element tepër i rëndësishëm për të ruajtur dhe rritur influencën dhe ekzistencën e tyre në sistemin ndërkombëtar.
Por si mund të prishet balanca e pushtetit dhe çfarë shqetësimesh mund të ngrejë ajo për fuqitë e mëdha? Shtetet dominuese të sistemit ndërkombëtar dhe analistët e tyre politikë i bazojnë skenarët e tyre në atë që quhet teoria e lojës (game theory) dhe bazuar në racionalitetin e secilit shtet.
Skenari më dominues është kur balanca aktuale e pushtetit e vendosur në Ballkan mund të prishet kur Kosova, pas marrjes së pavarësisë "de jure", bashkohet me Shtetin Shqiptar.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të promovonte një reaksion zinxhir dhe destabilitet në shtete të tjera me popullsi shqiptare, si Maqedoni apo Mali i Zi. Në rast të krijimit të një situate të tillë, Serbia dhe Greqia do të ndjeheshin të kërcënuara nga prezenca e një shteti të madh shqiptar, gjë që do i detyronte ato të kërkonin ndihmën e Rusisë.
Për Rusinë ky do të ishte moment më oportun për të rritur prezencën në Ballkan. Rritja e prezencës ruse në rajon do të shqetësonte seriozisht Shtetet e Bashkuara edhe NATO-n. Situata mund të precipitonte shumë shpejt në një krizë globale, duke konsideruar edhe faktin se Shqipëria, Greqia dhe Turqia janë vende anëtare të NATO-s.
Kësaj krize do t'i shtohej edhe ndërhyrja kineze, e cila do të kërkonte që të mos lejonte këtë situatë të përdorej si precedent nga qeveria e Taivanit. Kjo situatë do të përkeqësohej edhe më tepër në rast të përshkallëzimit të konflikteve në Lindjen e Mesme.
Për shkak të një prezence të një skenari të tillë të mundshëm, unë besoj se ka ardhur koha dhe momenti që ta shohim realitetin në sy, të pranojmë "faktet" ashtu si janë, dhe të largohemi nga ndjenjat nacionaliste që mund të mbërthejnë (ose kanë mbërthyer) jo vetëm popullin, por edhe klasën e tij politike.
Për sa kohë qeveritë dhe liderët kosovarë dhe shqiptarë, përmes deklaratave të tyre, trumbetojnë në veshët e fuqive të mëdha këtë soj skenari, unë do ta konsideroja pavarësinë "de jure" të Kosovës si diçka shumë të largët dhe si një rrezik potencial edhe për pavarësinë "de fakto".
Simptomat mund të jenë të ndryshme dhe shkaktarët mund të jenë si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm.
Por çfarë duhet të bëjnë qeveritë, liderët dhe popujt e Kosovës dhe të Shqipërisë? Populli, qeveria, dhe liderët e Kosovës, së pari duhet të punojnë për të ndërtuar një identitet kombëtar tërësisht të vetin.
Ai duhet të jetë një identitet i ndryshëm nga ai i Shqipërisë apo i ndonjë vendi tjetër dhe duhet në mënyrë të patjetërsueshme të jetë i lidhur me fjalën "Kosovë".
Shteti i ri i Kosovës duhet të ndërtojë një identitet që nuk i ngjan asnjë identiteti tjetër, një identitet që do ta bënte atë një "Izrael" të Ballkanit. Unë besoj se ka ardhur koha që populli kosovar t'i largohet "shqiptarizmës" dhe të ngjallë "kosovarizmën".
Shteti i ri i Kosovës duhet ta harrojë Shqipërinë dhe të kuptojë se fuqia e tij e vërtetë nuk ka ardhur, nuk vjen dhe nuk ka për të ardhur nga Shqipëria, Serbia, Turqia, apo Greqia.
Fuqia e tij e vërtetë ka ardhur, vjen dhe do të vijë VETËM nga sistemi politik ndërkombëtar dhe ekzistenca e Kosovës si një entitet me një identitet unik. Moskrijimi ose humbja e këtij identiteti do të ishte vetëvrasje jo vetëm politike, por edhe ekzistenciale.
Së dyti, politikanët dhe qeveritarët e Kosovës DUHET të tregojnë mençuri dhe profesionalizëm në drejtimin e shtetit të ri.
Kjo mënyrë drejtimi do t'u jepte garanci jo vetëm shteteve të fuqishme, por edhe shteteve fqinje për një shtet të ri kosovar, që di të menaxhojë me profesionalizëm jo vetëm aferat e brendshme, por edhe ato të jashtme.
Në këtë pikë, unë shikoj korrupsionin dhe ndasitë partiake radikale si armikun kryesor të shtetit të ri.
Janë këta dy faktorë që e gërryejnë nga brenda ekzistencën e këtij shteti të ri. Fatkeqësisht, korrupsioni dhe kundërshtitë radikale për pushtet midis partive politike e kanë bërë klasën politike kosovare të shihet me skepticizëm dhe nënvlerësim nga populli.
Një politikan dhe qeveritar kosovar që është i korruptuar dhe që vjedh në kurriz të interesave të kosovarëve dhe shtetit të Kosovës, NUK DUHET të konsiderohet dhe NUK është më i mirë se një politikan serb që kërkon inekzistencën e Kosovës.
Për këtë qëllim, politikanët kosovarë duhet të studiojnë klasën politike izraelite dhe sjelljet e saj në fillimet dhe konsolidimin e shtetit të ri izraelit.
Për sa u përket partive politike, shumë politologë si Arend Lijphart besojnë se diferencat midis partive politike në një shtet të ri dhe të pa konsoliduar, duhet të jenë minimale ose inekzistente.
Ideologjia që duhet të ndjekë çdo parti politike kosovare, duhet të jetë "kosovarizmi", ideali që duhet të udhëheqë çdo politikan kosovar duhet të jetë "kosovarizmi dhe qëllimi final duhet të jetë që t'u trashëgojë brezave që vijnë një Kosovë të pavarur "de jure", të sigurt dhe të begatë.
Për sa u përket politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë, ata duhet të kuptojnë se Kosova është një çështje e kosovarëve dhe e mbar sistemit politik ndërkombëtar, sistem në të cilin Shqipëria ka rolin e saj të caktuar.
Ashtu si e theksova edhe më lart, Shqipëria në politikat e saj të jashtme është e kondicionuar nga sistemi ndërkombëtar dhe nga potenciali i saj real për të diktuar vullnetin e saj mbi të tjerët.
Ndaj, në rastin e Kosovës, Shqipëria duhet të luajë një rol ndërmjetësi dhe balancuesi, por JO agravuesi. Shumë deklarata dhe insinuate të politikanëve dhe qeveritarëve shqiptarë mbi "rrugën e kombit" "rruga e Arbërit", "rrëzimin e mureve ndarëse", apo "bashkim popujsh", nuk janë gjë tjetër, por deklarata të një fushate politike që nuk kanë lidhje me apo qëllim çështjen e Kosovës dhe që fatkeqësisht, agravojnë marrëdhëniet përbrenda sistemit politik ndërkombëtar dhe përdoren si argument për të trumbetuar skenarin e prishjes së balancave të pushtetit në Ballkan.
Është e patolerueshme për këdo politikan shqiptar që ta përdorë çështjen e Kosovës për përfitime elektorale në Shqipëri, në një kohë kur dëmi i shkaktuar shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare është i pakrahasueshëm me një grusht votash.
Për sa u tha më lart, unë do të konkludoja se pavarësia "de jure" e Kosovës është sfida më e madhe që koha i ka vendosur përpara klasës politike kosovare dhe shqiptare.
Kjo pavarësi kondicionohet nga politikat dhe marrëdhëniet midis fuqive të mëdha brenda sistemit politik ndërkombëtar dhe nga vullneti i popullit dhe klasës politike kosovare për të krijuar një shtet me identitet unik dhe të patjetërsueshëm.
Ka ardhur koha që "kosovarizmi" të zëvendësojë "shqiptarizmin", racionalizmi të zëvendësojë nacionalizmin, dhe idealizmi të zëvendësojë "mcmafianizmin".
Ka ardhur koha që klasa politike në të dy anët e kufirit ta kuptojë se çështja e Kosovës nuk mund të përdoret për të përmbushur egon, dëshirat, interesat dhe përfitimet politike të një pale apo një tjetre.
Ka ardhur koha që populli dhe politikanët kosovarë të kuptojnë që ekzistenca dhe konsolidimi i këtij shteti të ri është trashëgimia më fisnike që mund t'u lënë gjeneratave dhe brezave që vijnë. Vetëm atëherë do të keni sy e faqe të ballafaqoheni me pasardhësit tuaj.
Tashmë është bërë e udhës që qindra motorist me motorët...
Lajmet 26 shtator - Ora 09 -
data/26-09-2009
Lajmet 25 shtator - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 25 shtator - Ora 14 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj
Une mendoj se ka ardhur koha qe ne shqiptaret te jetojme ne nje shtet te perbashket.Po te marim parasyshe se 20 vite me pare u bashkua gjermania, e cila ka udhehequr dy lufterat boterore.Kur Anglia dhe Franca e shikonin me skepticizem kete bashkim dhe me gjithate Gjermania jo vetem u bashkua por ajo sot eshte motori i Europes.Eshte shteti qe te ashtuquajturat raporte nderkombetare i tronditi.Rini i qete zoti Prifti se bilanca e raporteve nderkombetare nuk do te levize aspak.Greqia dhe Serbia nuk do ti vije asnje e keqe nga shqipetaret te cilet e kane demostruar nder shekuj pasi kurre nuk kane sulmuar ndonje popull.Nje shtet i bashkuar shqipetare do ta shuante nje here e pergjithmone te qenurit e Ballkanit si fuqi baruti.Dhe se fundi te gjitha ato fonde qe keto shtete fqinje i kane shpenzuar per shkaterimin e Atdheut tone ti perdorin per begatine e tyre.