Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Renditjet që akuzojnë

Vangjush Saro | 22/10/2009 | Komente | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Qeveria do të përpiqet t'i kalojë me manovra demagogjike edhe konkluzionet më të fundit, që vijnë nga raporti i "Reporterët pa kufij" për lirinë e medias. Për vitin 2009, ky raport e renditi Shqipërinë në vendin e 88-të ndër 175 vendet e monitoruara. Krahasuar me të dhënat e vitit 2008, për lirinë e shtypit, Shqipëria është renditur këtë herë 9 vende më poshtë.


Në vitin 2008, raporti i këtij organizmi e rendiste Shqipërinë në vendin e 79-të. (Në grafikun që shoqëron raportin, Shqipëria shënohet me shigjetë poshtë; një detaj i tillë, nënkupton se vendi ka bërë hapa prapa.)


Edhe njëherë, jemi në një temë delikate, kur raportet e të huajve deri diku nënkuptohen si stigmatizim i mënyrës së qeverisjes dhe i problematikave të shumta në Shqipëri. Por nga ana tjetër, pushtetarët dhe disa media pranë tyre, nuk kanë reshtur së pari vetëm "dritë" në të gjitha llojet e raporteve dhe kritikave.


Kështu që ia vlen debati në lidhje me atë se sa të vërteta janë ato që kumtojnë pareshtur zëdhënësit dhe oborrtarët e qeverisë në lidhje me gjendjen ekonomike e sociale në Shqipëri.


Fshehja e së vërtetës, është një mani e trashëguar nga sistemi i kaluar dhe që përpiqet të na ndajë nga një realitet, i cili duhej të ishte më inkurajues, të shkretën.


Duke ikur nga fusha e superstrukturës shpirtërore, siç mund të jenë mediat, mund të vëzhgojmë për pak çaste edhe në sektorë të tjerë, të karakterit material e në njëfarë mënyre të "mbijetesës". Po e pasurojmë argumentin vetëm me të dhënat për të ardhurat dhe të ardhurat për frymë.


Ashtu si i konceptojnë dhe i shpalosin institucione të tjera - jashtë traditave dhe prirjeve tona fshatareske - disa prej këtyre të dhënave flasin për nivele të pakënaqshme zhvillimi. Në disa burime informacioni, (për shembull të Bankës Botërore, të Institutit Vienez për Studime Ekonomike Ndërkombëtare dhe në Cia World Factbook) vendi ynë renditet në grupe që nganjëherë e "tradhtojnë" pozicionin gjeografik dhe përkatësinë kontinentale.


Shqipëria nuk hyn në vendet me të ardhura të larta (High income), ku janë disa nga vendet e rajonit, si Kroacia, Çekia dhe Sllovenia. Ne s'jemi as te vendet me të ardhura më të larta se mesatarja (Upper middle income), ku gjejmë Bjellorusinë, Bosnjë-Hercegovinën, Maqedoninë, Poloninë, Rumaninë, etj. Vendi ynë është në grupin e cilësuar "Të ardhura më të ulëta se mesatarja" (Lower middle income), ku midis të tjerash janë Armenia dhe Kosova.


Burimet e cituara edhe më lart, edhe më parë, i cilësojnë të ardhurat për frymë të Shqipërisë, për vitin 2008, 6.000 dollarë (USD). Përndryshe vendi i 132-të në botë. Për të mos u larguar nga rajoni, përjashto Kosovën që sapo ka lindur si shtet, fqinjët tanë kanë të gjithë një pozicion më të mirë.


Dhe konkretisht: Bosnjë-Hercegovina 6.500 dollarë (USD), përndryshe vendi i 127-të në botë; Maqedonia 9.100 dollarë (USD), vendi i 110 në botë; Mali i Zi 10.100, vendi i 104t në botë; Serbia 10.800, vendi i 100-të. (Këtu nuk u bënë krahasime me të tjera vende të rajonit, si Sllovenia, që i ka të ardhurat vjetore për frymë 29.600 dollarë, vendi i 47-të në botë.)


Është e papranueshme që Shqipëria të pozicionohet kësisoj pas dy dekadash jetë në ekonominë e tregut të lirë dhe me një të tretën e popullsisë në emigracion, në vendet më të pasura të Evropës; (Itali, Gjermani, Greqi, Britani e Madhe, etj.)


Nga ana tjetër, kjo nuk na pengon të kujtojmë se si janë lançuar me shumë eufori të tjerë tregues, nganjëherë të rëndësishëm, nganjëherë të parëndësishëm, gjithsesi më të pranueshëm.


Po në këtë prirje, mund të përfshinim edhe treguesin e nivelit të taksave dhe përgjithësisht atë që cilësohet "klima" për zhvillimin e biznesit. Druajmë se në shumëçka që qeveria shqiptare dhe "oborri" vetëlëvdohen, ka tepër demagogji dhe pak rezultate.


Për shembull, sot për bizneset e vogla dhe mesatare, ka një ngutje nga ana e administratës të quhen rëndom "të mëdha". Kjo do të thotë se edhe taksa që ato do të paguajnë, duhet të jetë më e madhe.


Në të njëjtën kohë, ka disa nisma ligjore që shkojnë kundër interesave të sipërmarrjes; draft-ligji për përgjimin e bizneseve, ligji për falimentimin e tyre, etj. Po në këtë "kapitull", jemi nga të vetmet vende në rajon ende pa një Gjykatë Administrative.


(Është një nga kushtet për të hyrë në BE.) Për hir të së vërtetës, projektligji për ndërtimin e këtij institucioni, kërkon 84 vota; që në ditët tona s'janë e s'janë. Një përgjegjësi të veçantë në këtë precedent, ka edhe opozita.


Mund të kujtojmë se edhe në legjislaturën e shkuar, pozitë dhe opozitë luajtën kukafshehtas me këtë ligj të rëndësishëm. Dhe jo vetëm me këtë. Edhe sot e gjithë ditën, për shkak të vullnetit për konflikte dhe të frymëzimeve klanore, ato janë duke luajtur me gjëra shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe shqiptarët.


Janë duke luajtur me hapësirat dhe kufijtë e vendit; janë duke luajtur me kandidimin për në BE dhe vizat shengen; janë duke luajtur me raportet midis së shkuarës dhe të sotmes, çka pothuaj e ka përçarë edhe njëherë ideologjikisht këtë popull, njësoj si në vitin '43 (kur në mënyrë fatale, midis popullit dhe pushtetit, komunistë e ballistë zgjodhën këtë fundit).


Nëse tema vetiu u zgjerua, së paku në rastin e raporteve që sa vjen e përkeqësohen dhe buçasin si kambana alarmi, të "mirë" e të "këqij", të mbledhin mendjen e të flasin ç'do të bëhet më tutje; domethënë do të fillojmë të flasim e të qytetërohemi apo do të vazhdojmë luftën "me partizanë e ballistë" dhe do t'i gjuajmë njëri-tjetrit nga istikame të vjetra...

 

Komenti juaj

 
Komentet
 

Godo kthehet mes pacientëve të saj

Tashmë gjendet në mesin e tyre, e veshur me bluzë...

Prishet rezonanca magnetike, pacientët në krizë për ekzaminime

Pacientët, të cilët kanë nevojë të bëjnë ekzaminim në kokë...

Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

© ZOTSOFT NETWORKS - Realizimi dhe programimi Fjodor Zotaj