|
|
SHKODËR- Prokuroria e Shkodrës merr në pyetje për dy orë rresht Drejtorin e Përgjithshëm të KESH-it, Muharrem Stojku, duke u bërë kështu personi i parë i pyetur në lidhje me përmbytjen dy javore të fshatrave të qarkut të Shkodrës dhe disa lagjeve të qytetit.
Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë institucionit të akuzës, që thanë se Stojku iu dha para prokurorëve të çështjes për versionin e tij në lidhje me shkakun e përmbytjeve në këtë zonë si dhe shpjegoi mënyrën e menaxhimit të situatës para dhe pas përmbytjeve.
Rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, pranë dyerve të Prokurorisë së Shkodrës, u parkua vetura e shtrenjtë e markës "Volksëagen Touareg" i zi, nga ku zbriti, Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Muharrem Stojku. Ai shoqërohej nga juristi i zyrës së tij, ndërsa në godinë pritej nga prokurori i çështjes dhe një oficer i Policisë Gjyqësore.
Këtyre të fundit, iu është dashur 10 ditë kohë për të kryer verifikimet në lidhje me procedurat e ndjekura nga punonjësit e KESH-it në menaxhimin e HEC-eve që ndodhen në veri të vendit mbi kaskadën e Drinit. Hapja e portave të tyre shkaktoi përmbytje masive në qarkun e Shkodrës.
"Nga verifikimi i procedurave të KESH-it është arritur të ngrihen dyshime të arsyeshme se nga mënyra e menaxhimit të këtyre HEC-eve nga fillim dhjetori i 2009 e deri më 2 janar 2010, kur është kryer hapja e portave të hidrocentraleve që shkaktuan përmbytjen, ekzistojnë elementë të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës".
Pas ngritjes së dyshimeve, të hënën në mesditë është regjistruar procedimi penal për këtë çështje por pa autor"-thanë burime nga prokuroria. Me regjistrimin e procedimit, prokurori i çështjes po të hënën firmosi fletë-thirrjen ndaj kreut të KESH-it Stojku, duke e ftuar për të dhënë shpjegime teknike në lidhje me funksionimin dhe menaxhimin e HEC-eve në veri të vendit.
Mësohet se Stojku, është marrë në pyetje në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes së hetuar, duke dhënë fillimisht një deklaratë të lirë dhe më pas iu është përgjigjur pyetjeve të prokurorit dhe oficerit të çështjes.
Stojku iu ka shpjeguar hetuesve rregulloret e HEC-eve, mënyrën e funksionimit të tyre, mënyrën e menaxhimit nga punonjësit e KESH-it gjatë kohës nëntor 2009 - janar 2010, rastet e mbylljes dhe hapjes së portave të ujit si dhe arsyet e vendimit të marrë nga ai dhe stafi i tij i ngushtë për hapjen e portave të HEC-it në orët e vona të 2 janarit.
"Drejtori Stojku, ka mohuar se punonjësit e tij apo ai vetë në marrjen e vendimit për hapjen e portave të HEC-it kanë kryer ndonjë vepër penale, përkundrazi ka pohuar se i është përgjigjur kushteve të krijuara nga reshjet atmosferike"- thanë burimet.
Më tej shtuan se janë bërë krahasime mes deklaratës së tij dhe shkresave të sekuestruara gjatë verifikimit të çështjes.
Gjithashtu burime pranë KESH-it konfirmuan të njëjtin fakt, duke shtuar: Drejtori u pyet për çështje teknike dhe mënyrën e menaxhimit të HEC-eve, duke i orientuar edhe prokurorët për çështjen".
Hapja e portave, me urdhër të Stojkut
Sipas akuzës, më 2 janar 2010 është vendosur me urdhër të drejtorit të KESH-it, Stojku, hapja e portave të HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës hapje këto që sollën përmbytjen e zonës së Shkodrës me rrethinë. Por, prokuroria e Shkodrës më 14 janar kanë filluar verifikimin e shkresave dhe korrespodencës së KESH-it me drejtuesit e HEC-eve.
Pas këtyre verifikimeve, më 25 janar është regjistruar procedimi penal me dyshimin e kryerjes së veprës penale "shpërdorim të detyrës" për të cilën organi i akuzës do të vazhdojë me hetimet e saj edhe në ditët në vazhdim.
Sipas rregullores, përcaktohet se niveli maksimal në digën e Fierzës është 290 metër, ndërkohë që paraprakisht dyshohet se ky nivel është shkelur dhe niveli i ujit në basen arriti në mbi 290 metër. Dyshohet se situata që solli përmbytjet është keq menaxhuar çka do të thotë se do të ketë nën hetim zyrtar të institucioneve të cilët mund të kenë "shpërdoruar detyrën".
DYSHIME PËR AKUZËN
Neni 248
Shpërdorimi i detyrës
Kryerja ose mos kryeja me dashje e veprimeve a e mosveprimeve në kundërshtim me ligjin, që përbën mos përmbushje të rregullt të detyrës, nga personi që ushtron funksione publike, kur i kanë sjellë atij ose personave të tjerë përfitime materiale ose jo materiale të padrejta, a kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, të shtetasve dhe të personave të tjerë juridikë, nëse nuk përbën vepër tjetër penale dënohet me burim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga 300 mijë- 1 milionë lekë
SHKODËR- Prokuroria e Shkodrës merr në pyetje për dy orë rresht Drejtorin e Përgjithshëm të KESH-it, Muharrem Stojku, duke u...
Deputetët kanë kërkuar tërheqjen e qeverisë nga dispozita, që trajton pikërisht ndalimin e mjeteve motorike sportive TIRANË - Nisma e...
Lajmet 25 Janar - Ora 15 -
data/25-01-2010
Lajmet 25 Janar - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 25 Janar - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Pse me tere mend e keni se do beje hetim prokuroria e shkodres drejtorit te keshit, kjo mund te jete ceshtja me qesharake,prokuroret e shkodres kane frig nga hija e tyre e jo te marre ne hetim njerezit e berishes,kryeministri e ka thene fjalen e tij se eshte zbatuar ligji pik per pik per kaskadeden e drinit,por ne qoftese prokuroria e ka qellimisht kete pun atehere sali berishes i kane filluar ti bien tullat nje e nga nje .