Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

PD shmang Topin: Gati për komision hetimor këtë të enjte

Fejzi Braushi | 03/02/2010 | Politike | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, tha dje se mazhoranca është e gatshme të ngrejë komisionin hetimor, ndërsa angazhimi i Topit për dialog kundër Kushtetutës është dialog shterpë


TIRANË
- Ndërsa Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është në pritje të një qëndrimi zyrtar nga ana e PD-së për mbledhjen e një tryeze nga ana e tij, selia blu ka bërë të qartë dje se është e gatshme që të ngrejë komisionin hetimor që këtë të enjte, duke shmangur në këtë mënyrë angazhimin direkt të vetë kreut të shtetit.


Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, nuk i ka hequr asnjë presje qëndrimit të tij të mëparshëm se dialogu ka vlerë vetëm duke mos hapur kutitë, ndërsa ka sjellë një propozim të ri, për ngritjen e komisionit hetimor, që këtë të enjte.


"Ne jemi të gatshëm që mundësisht që këtë të enjte të nisim ngritjen e komisionit parlamentar që do të hetojë zgjedhjet, duke pasur qëllimin e mirë të kthimit të opozitës për të zënë vendet e saj në parlament.


Gjithmonë në këtë kontekst, partia Demokratike thekson gatishmërinë e saj, për të mirëpritur kontributin e Presidentit të Republikës dhe të çdo aktori tjetër, pa asnjë lloj paragjykimi, duke vërejtur se jashtë rrafshit kushtetues, respektimit të shtetit ligjor dhe vendimeve të gjykatave mund të ketë vetëm një dialog shterpë dhe asgjë më shumë se kaq",- tha dje Patozi përmes një konference për shtyp.


Nënkryetari i PD-së ka akuzuar kryetarin e opozitës se me qëndrimet e tij po sfidon kërkesat e Këshillit të Europës. "U bënë disa ditë me radhë që kryetari i partisë Socialiste, Edi Rama, po lexon me syzet e tij të kuqe rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës për Shqipërinë.


Duke sfiduar kërkesat e qarta të kësaj rezolute dhe duke i bërë karshillëk një institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar, ai po deklaron në mënyrë të përsëritur se nuk heq dorë nga bojkoti pa hapjen e kutive, ndërkohë që nuk po nguron të kërcënojë mazhorancën se do të rrëzojë me protesta qeverinë e saj legjitime",- tha Patozi, duke shtuar se, partia Demokratike është shprehur në mënyrë të qartë dhe të vendosur se përshëndet dhe mbështet të gjitha kërkesat e rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.


Në këto kushte, Patozi shtoi se PD-ja shprehet e gatshme që të dialogojë me mazhorancën, por pa hapur kutitë e votimit. "Ne si mazhorancë mbetemi serish të vendosur për të bashkëpunuar me opozitën, sapo ajo të vendosë të respektojë Kushtetutën e vendit, shtetin ligjor, dhe rregullat e lojës për një vend demokratik.


Por ndërkaq, kërcënimeve të vazhdueshme të zotit Edvin Kristaq Rama, si dhe aludimeve të tij për vitin 1990, i përgjigjemi shkurt dhe prerë: se ne që përmbysëm etërit, nuk ka sesi të impresionohemi nga bijtë e Bllokut, të cilët me sa duket po u gënjen mendja që të hakmerren për disfatën e baballarëve të tyre", - tha ai.

******************

Presidenti i Republikës është i gatshëm të iniciojë tryezën e dialogut, pasi të ketë një vullnet të qartë nga Berisha

Tryeza e dialogut, Topi: Po pres Berishën

Pak kohë më parë, Topi u shpreh se mirëpriste të gjitha përpjekjet serioze për të kontribuar në përmirësimin e klimës politike


TIRANË - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, është i gatshëm që të iniciojë tryezën e dialogut, por vetëm pasi të ketë një vullnet të qartë nga ana e kryeministrit Sali Berisha. Burime nga Presidenca njoftuan dje për mediat se Presidenti i Republikës po pret që mazhoranca të shprehë në mënyrë të qartë vullnetin për t'u ulur në një tryezë politike.


Një qëndrim të tillë, Presidenti i Republikës e kishte paralajmëruar kohë më parë gjatë një takimi të zhvilluar me ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse në cilësinë e Presidencën së radhës së BE-së dhe përfaqësuesin e Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Luixhi Bruza.


Gjatë këtij takimi që zhvillohej pikërisht një ditë pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë nga Këshilli i Europës, Presidenti i Republikës shprehu edhe një herë qëndrimin e tij se ndjek me vëmendje situatën paszgjedhore në Shqipëri, si dhe mirëpret të gjitha përpjekjet serioze për të kontribuar në përmirësimin e klimës politike dhe në rivendosjen e dialogut parlamentar.


Ky është qëndrimi që ka shprehur deri më tani Presidenti i Republikës duke u bërë të qartë edhe ambasadorëve se ai do të mirëpriste çdo iniciativë që do të vinte nga partitë politike me qellim zgjidhjen e krizës politike.


Në rezolutën për Shqipërinë të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës thuhej se Presidenti Bamir Topi, duhet të luante rolin e ndërmjetësit dhe të mbledhë së bashku partitë politike shqiptare për të diskutuar gjetjen e zgjidhjes së kësaj krize.


Ndërkohë, kryeministri i vendit, Sali Berisha nuk është shprehur qartazi kundër angazhimit të Presidentit, por e ka paragjykuar këtë iniciativë që në momentin kur është shprehur se Presidenti i Republikës nuk mund të inicionte një tryezë, që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave.


Ndërkohë dje, PS-ja ka bërë të qartë se një tryezë e mundshme duhet të mblidhej vetëm në nivel kryetarësh, duke njoftuar se në prani të Topit duhet pjesëmarrje e vetë kryeministrit të vendit, Sali Berisha.


Por eksperienca për këtë të fundit ka treguar se Berisha jo pak herë ka refuzuar tryeza të tilla, kryesisht të organizuara nga ish-presidenti, Alfred Moisiu me argumentin se, si kryeministër ai nuk mund të ulet në tryeza partish politike.

Kryetari i PDS-së u shpreh se delegacioni i KiE-së vjen vetëm kur ka një produkt paraprak

Milo: Nëse s'ka konsensus, KiE mund të anulojë vizitën


TIRANË - Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, është i mendimit se negociatat për zgjidhjen e krizës politike në vend duhet të fillojnë para mbërritjes në Tiranë të delegacionit të KE-së, pasi në të kundërt, kjo e fundit mund ta anulojë këtë vizitë. "Mendoj që do të ketë një tryezë nën kryesinë e Presidentit të Republikës, një tryezë që nuk do premtojë shumë.


Një tryezë e cila do të ndodhet nën presionin e ndërkombëtarëve për të arritur në një zgjidhje, por që do të jetë e vështirë për sa kohë që të dy palët do të mbajnë pozita ekstreme dhe në mënyrë të veçantë në një kohë që mazhoranca përjashton mundësinë e hapjes së kutive ose mundësinë e transparencës së procesit hetimor parlamentar pa kufizime", - u shpreh Milo gjatë emisionit "Kontrast".


Kreu i PDS-së shprehet më tej se beson që tryeza do të zhvillohet gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë të delegacionit të nivelit të lartë të KiE. "Unë besoj se atëherë do të jetë për sa kohë thuhet se brenda dhjetëditëshit të muajit shkurt delegacioni i KiE do të vijë këtu. Por ka dhe një mundësi tjetër hipotetike.


Delegacioni i KiE-së mund edhe të mos vijë për sa kohë që nuk do të ketë një konsensus për hapjen e negociatave në tryezë. Shtrohet pyetja, delegacioni i KiE pse do të vijë në Shqipëri? Për të bërë një shoë politik? Jo nuk vjen.


Atëherë do të vijë në momentin që do të sigurohet që ka një produkt, që ka një rezultat sepse edhe KiE nuk do të komprometojë veten e vet duke ndërmarrë një vizitë të nivelit të tillë të lartë, të paparë ndonjëherë në Shqipëri dhe jo vetëm në Shqipëri, dhe nuk investohen gjithë ata njerëz që do vijnë të nivelit të lartë politik për të bërë një shëtitje në Shqipëri dhe për të dështuar", - tha Milo.


Pas miratimit të rezolutës me debate të dy raporterëve Jako Laakso (Finlandë, UEL) dhe David Uillshire (Mbretëria e Bashkuar, EDG), Asambleja Parlamentare doli me një njoftim zyrtar, ku thuhej se Komiteti i saj presidencial, në bashkëpunim me Komitetin Vëzhgues të raportuesve për Shqipërinë, Jako Laakso dhe David Uillshire do të vizitojë Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur për të ndihmuar në rivendosjen e dialogut politik atje.

Deputetët e PD-së sjellin dy amendime për moratoriumin e skafeve. Kërkojnë të përjashtohen anijet me vela dhe motorët e ujit

"Moratoriumi", përjashtohen varkat me vela dhe skuterat


TIRANË - Hobi i vetë deputetëve të djathtë për të zotëruar dhe lundruar gjatë pushimeve me motorë uji ka bërë që projektligji anti-skaf të rikthehet për diskutim në komisionet parlamentare.


Megjithëse një javë më parë ky draft mbylli fazën e diskutimit në komisione, mazhoranca e djathtë është detyruar që në kundërshtim edhe me rregulloren ta risjellë atë edhe një herë për shqyrtim tek "Siguria", e cila ka marrë në shqyrtim dy amendamente të cilat do t'i paraqiten për miratim seancën plenare dhe që në thelb kanë lejimin e lundrimit në ujerat detar dhe liqenore të motorëve sportiv ujorë dhe varkave me vela.


Amendamentet


Komisioni, pavarësisht se kishte mbyllur diskutimin dhe miratimin edhe nen për nen të moratoriumit për mjetet motorike lundruese të Shqipërisë, e ka rimarrë dje për rishqyrtim.


Shkak janë bërë dy amendamente të ardhura në këtë komision, njëri në mënyrë shkresore nga Ministria e Kulturës dhe tjetri i shprehur në mënyrë verbale nga deputetët e djathtë një javë më parë. Kështu, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve me një letër drejtuar këtij komisioni kërkonte që në listën e mjeteve që lejohen të lundrojnë të shtohen edhe varkat apo anijet me vela që përdoren për qëllime sportive.


Sipas këtij amendamenti, propozohet që në neni 3 të këtij drafti ku bëhet fjalë për mjetet që lejohen të lundrojnë të shtohet edhe pika "d" me këtë përmbajtje "Mjetet lundruese me vela që shërbejnë për ushtrimin e sporteve ujore nga organizata jofitimprurëse të njohura sipas ligjit numër 9376 datë 21.04. 2005 "Për sportin" i ndryshuar".


Ndërkohë që duke përfituar nga rasti i rihapjes së këtij debati, deputetët e djathtë anëtarë të këtij komisioni kanë kërkuar që kësaj liste ti shtohen edhe motorët sportiv ujor.


Por duke iu përmbajtur rregullave që përcakton Rregullorja e Kuvendit, ata kanë vendosur që këto dy ndryshime që propozohen për këtë projektligj ti paraqesin si amendime gjatë diskutimit dhe miratimit në seancën plenare.


"Meqenëse ka ardhur një amendim nga Ministria e Kulturës për varkat me vela, atëherë bashkë me të, të paraqitet edhe një amendament me emrin e një deputeti ku të lejohen edhe këta motorë", - u shpreh kryetari i grupit demokrat, Astrit Patozi, i cili merr pjesë në punimet e këtij komisioni si zëvendësues për shkak të realizimit të kuorumit të duhur.


Në këtë mënyrë përfaqësuesit e mazhorancës realizojnë një nevojë të tyren personale për këto lloj mjetesh ujore të shprehur edhe gjatë diskutimit të këtij projektligji një javë më parë, ku disa prej tyre deklaruan se zotëronin edhe personalisht motorë uji.


Projektligji

Pas një aplikimi për katër vitet e shkuara qeveria ka sjellë në Kuvend një projektligj të ri për ripërsëritjen e efekteve të moratoriumit të mjeteve motorike lundruese, i njohur ndryshe edhe si ligji i skafeve. Kështu ky draft parashikon që të gjitha lëvizjet e mjeteve motorike lundruese shqiptare në ujërat territoriale dhe të brendshme të Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga funksioni i përdorimit të mjetit, si dhe transporti i mjeteve lundruese në rrugë tokësore pezullohen. Pezullimi përfshin edhe mjetet motorike të lundrimit turistik dhe të sporteve ujore.


Përjashtim bëjnë vetëm mjetet motorike lundruese në përdorim të organeve shtetërore dhe të shërbimeve portuale, ato të destinuara vetëm për peshkim, të transportit detar, që shërbejnë për transportin e mallrave dhe pasagjerëve.


Në këtë listë propozohet që të shtohen edhe motorët sportiv, çka ka sjellë dhe pakënaqësi tek deputetët e djathtë, të cilët tashmë propozojnë që këto lloj mjetesh të mos jenë objekt i këtij projektligji. Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe kundërvajtësi dënohet me gjobë në masën 800 000 - 1 000 000 lekë dhe me konfiskim të mjetit.

 

Komenti juaj

 

Urdhër arresti për dy kosovarë të dyshuar

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, identifikoi dy kosovarë të dyshuar se organizuan trafikimin e 10 pistoletave të...

Muça: Kush e drejtonte "Gërdecin"

Veiz Muça, ish brigadieri i fabrikës së Gërdecit, i arrestuar dy ditë më parë në sallën e gjyqit, në dëshminë...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool