|
|
Pas takimit me të huajt, Berisha tregohet i gatshëm për negociata. Por, kërkon bisedime paraprake
TIRANË - Menjëherë pas takimit me ambasadorët, kryeministri Sali Berisha, ka shfrytëzuar një aktivitet të zhvilluar dje me rastin e hapjes së zyrës së fondacionit gjerman "Konrad Adenauer", ku merrte pjesë edhe Presidenti i Bundestagut Gjerman, Norbert Lammert, në Shqipëri, për të deklaruar për mediat se ai ishte gati në çdo moment për të filluar negociatat me kryesocialistin Edi Rama, por edhe me Presidentin e Republikës, Bamir Topi. "Që sot. Do i lë të gjitha.
Unë kategorikisht nuk refuzoj". Ishte deklarata e parë e kryeministrit Sali Berisha dje për mediat, teksa u pyet nga media nëse do të shkonte në një tryezë me zotin Rama, pas një ftese publike të Presidentit Topi.
Megjithatë, përpos gatishmërisë së shprehur nga kreu i ekzekutivit, Berisha ka theksuar se është e rëndësishme që ato të parapërgatiten në mënyrë të tillë që në fund të japin rezultat pozitive. "Unë mendoj se është tërësisht e panevojshme që një problem si ky të hyjë në sferën e thashethemeve.
Ne e kemi bërë shumë të qartë pozicionin tonë, se ne mirëpresim kontributin e cilitdo personalitet, natyrisht Presidentit të Republikës dhe cilitdo tjetër, që e ndjejnë se mund të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi.
I vetmi problem që ne kemi dhe asgjë tjetër, është se ne mendojmë se një takim që jep rezultate dhe nuk firmos dështimin, është i vlefshëm; një kafe pa rezultate edhe ajo mund të pihet, por nuk është ajo që pritet. Nuk ka asnjë paragjykim, por i vlefshëm është një takim që jep rezultate", - tha dje Berisha.
Ftesa nga Topi
Sipas Kryeministrit Berisha, Presidenti Topi duhet që t'i ftojë të dyja palët politike për të punuar për zgjidhjen e krizës politike.
Ai i bëri thirrje edhe kreut të opozitës Rama që të diskutojnë së bashku rekomandimet që parashikon Rezoluta e Këshillit të Europës për Shqipërinë. "Absolutisht nuk ka asnjë vështirësi për t'u ulur që sot pasdite. Nuk ekziston për mua vështirësi për t'u ulur me asnjeri. Unë e kam faktuar këtë dhe nuk paragjykoj asgjë", - tha ai.
I pyetur për raportet e tij me Topin e pikërisht për faktin se dikur Presidenti ka qenë "vartës" i Berishës në PD, kryeministri u shpreh se, Topi tashmë është kreu i shtetit. "Kur unë kam bërë përpjekjet për ta zgjedhur president, nuk e kam zgjedhur për ta bërë vartësin tim. Ai është Presidenti i Republikës.
Ka vetëm një njeri, i cili nuk e di nëse do ta marrë përsipër apo jo këtë gjë, por nëse ai e merr përsipër këtë, mendoj se nuk do të na ftojë me lugë në brez, por do të ulemi të punojmë. Hiqeni nga mendja se mund të ketë nga ana ime ndonjë lloj paragjykimi, për asgjë. Edhe një herë thirrja ime për zotin Rama është të ulemi, rezoluta është shumë e mirë, është me të vërtetë në interesin e Shqipërisë", - u shpreh ai.
Bisedimet paraprake
Kreu i ekzekutivit la të kuptohet se takimi midis tij dhe kryetarit të PS-së, Rama, është duke u përgatitur. Duke treguar gatishmërinë për t'u ulur në tryezë me kreun e opozitës dhe Presidentin, Kryeministri u shpreh se përgatitjet për marrëveshje midis palëve politike janë më se të nevojshme.
"Unë mendoj se serioziteti i procesit kërkon qëndrim serioz, por unë vetëm jam i gatshëm, që për çdo variant, qoftë për kafe, qoftë jo për kafe, qoftë me zotin Rama, qoftë me zotin Topi. Unë nuk kam absolutisht asnjë paragjykim për asgjë, por natyrisht, të mendohet se i shërbehet çështjes, pa një përgatitje, kjo nuk qëndron.
Unë personalisht, me gjithë eksperiencën time politike, më duket se përgatitjet janë të nevojshme", - u shpreh ai. Në këto kushte, Berisha, i pyetur nga media, vuri në dukje se me gjithë përplasjet politike me Edi Ramën, ai nuk i ka ndërprerë kanalet e komunikimit me të. "Unë nuk do të ndërpres kurrë komunikimin me kundërshtarët e mi, është një normë konstante e imja. Kundërshtari është kundërshtar, komunikimi është komunikim. Nuk ia lejoj vetes unë që të ndërpres komunikimin", - shtoi Berisha.
Kreu i qeverisë nuk dha asnjë hollësi për takimin e tij paraditen e djeshme, me ambasadorin spanjoll në Shqipëri, Manuel Montobio dhe atë të Komisionit Europian, Helmut Lohan, por theksoi se në qendër të këtij takimi nuk ishte diskutimi për krizën politike dhe zgjidhjen e saj. "Ka pasur tërësisht një subjekt krejtësisht tjetër dhe nuk ka pasur asnjë lidhje me temën, për të cilin ju bëni fjalë", - tha ai.
Komisioni hetimor
Berisha nënvizoi gjithashtu se komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 Qershorit nuk do të ngrihet ditën e sotme, siç ishte paralajmëruar edhe nga vetë kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, dy ditë më parë.
"Për sa i përket komisionit hetimor, ne ju garantojmë ju, se ne që nesër (sot) do ta votonim, megjithëse nuk e paraqesim nesër, ndonëse ka ide të tilla. Nëse e paraqesim në përputhje me ligjin, i takon të marrësh kryetarin. Kështu që po presim socialistët që sapo të vijnë, ta paraqesin, ne ta votojmë", - theksoi Berisha.
Duke iu referuar rekomandimeve të Rezolutës së Këshillit të Europës, Kryeministri nënvizoi se komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet, do të kryhet në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që eventualisht sipas liderit të mazhorancës kutitë e votimit nuk mund të hapen.
"Këshilli i Europës ka miratuar një rezolutë shumë serioze, shumë solide në të cilën Këshilli i Europës shprehet në respekt total ndaj institucioneve të këtij vendi.
Këshilli i Europës kërkon në mënyrë të qartë dhe eksplicite njohjen e rezultatit të këtyre zgjedhjeve; e treta, Këshilli i Europës kërkon nga qeveria shqiptare të ngrejë komision hetimor parlamentar në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, i kërkon opozitës të hyjë në parlament për të marrë pjesë në punimet e këtij komisioni. Këshilli i Europës jep sugjerime për shumë çështje.
Prandaj them që është më mirë që këtë çështje ta marrim ne në dorë dhe ta çojmë përpara, se sa t'ua lëmë ju si objekt hamendjesh dhe thashethemesh të pafundme", - u shpreh ai.
Prokurori dërgon për gjykim dy persona të denoncuar për mashtrimin e një tregtari për një leje ndërtimi TIRANË- Prokuroria e...
Prokuroria e Tiranës merr nën hetim ndihmës farmacistin e spitalit me dyshimin e shitjes nën dorë në farmaci private Një...
Lajmet 03 Shkurt - Ora 15 -
data/03-02-2010
Lajmet 03 Shkurt - Ora 14 -
data/30-08-2008
Lajmet 03 Shkurt - Ora 13 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Komenti juaj