|
|
Më ndryshimet e djeshme, një subjekt i trajtuar me kompensim financiar në vitet pararendëse mund të përfitojë sërish nga shpërndarja e fondit
TIRANË - Pronarët që kanë fituar të drejtën e kompensimit financiar nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nuk do të trajtohen vetëm për 200 metra katror siç edhe është vepruar deri më tani, por për të gjithë sipërfaqen që iu është njohur.
Do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të miratojë një vendim të ri, i cili do të jetë unik për të gjithë procesin deri në përfundim të tij dhe ku do të përcaktohen modalitetet dhe mënyra e trajtimit financiar të të gjitha subjekteve, që kanë fituar të drejtën e kompensimit.
Një ndryshim i tillë parashikohet nga projektligji i ri "Për krijimin e fondit special të kompensimit të pronave", i cili është marrë dje në shqyrtim nga Komisioni i Ligjeve, por pa mundur të kaloi të tërësinë e tij për shkak të disa paqartësive në tre nene të veçanta.
Kompensimi
Me qëllim që kompensimi fizikë i ish-pronarëve të mbarojë brenda vitit 2015, i përcaktuar si afati i fundit për kryerjen e këtij procesi, mazhoranca e djathtë ka vendosur që të ndryshojë skemën e saj jo vetëm të realizimit të ardhurave, por edhe shpërndarjes së tyre.
Kështu, kjo nevojë ka bërë të detyrueshme për ekzekutivin që të përcaktojë një fond të veçantë special i cili do të krijohet dhe menaxhohet nëpërmjet një ligji të ri, i cili ka nisur diskutimet në komisionet parlamentare.
Krahas zgjerimit të gamës së burimeve që do të mbushin këtë buxhet të veçantë, drafti në fjalë duket se krijon mundësi që procesi i shpërndarjes së lekëve ish-pronarëve të mos kufizohet më me terma sasior dhe procedural siç edhe parashikon VKM-ja aktuale.
Gjatë diskutimit të këtij projektligji në Komisionin e Ligjeve ka dalë e qartë se tashmë pas miratimit të tij do të duhet që Këshilli i Ministrave të miratojë një vendim të ri të vetëm, i cili duhet të parashikojë rregulla të reja sa i përket procesit të trajtimit dhe shpërndarjes së lekëve ish-pronarëve.
Thelbi i këtij ndryshimi që sjell ky draft për sa i përket shpërndarjes së lekëve konstaton në dy pika: pra e para nuk do të ketë më kufizim për sipërfaqen që do të kompensohet dhe e dyta do hiqet përcaktimi tjetër se një subjekt i trajtuar me kompensim financiar në vitet pararendëse nuk mund të përfitojë nga shpërndarja e fondit për vitin ekzistues. "Shqetësimi im është se VKM-ja përcakton se marrin kompensim financiar në të holla të gjithë ata që kanë një vendim kompensimi deri në 200 metra katror.
Me këtë ligj nuk është më synimi që të marrin kompensim financiar vetëm ata që kanë 200 metra, por kemi synim që ti japim zgjidhje definitive të gjithë ish-pronarëve, edhe ata që kanë 5 mijë metra, edhe ata që kanë për 10 mijë metra", - tha deputeti demokrat Eduard Halimi gjatë diskutimit të djeshëm në komisionin e ligjeve.
Ndërsa deputeti tjetër, Viktor Gumi, solli në vëmendje se dispozitat që janë përfshirë në këtë projektligj kanë synime afatgjata dhe se VKM-ja e re që pritet të dalë nga qeveria duhet të heqë edhe kufizimin tjetër sa i përket përfshirjes në listën e subjekteve që do të pretendojnë kompensim financiar brenda një viti edhe ato që janë trajtuar një herë për sipërfaqet deri në 200 metra.
"Prandaj kërkohet një VKM unike që të përcaktojë kritere dhe rregulla që s'kanë nevojë të ndryshohen vit pas viti. Përveç asaj sasisë 200 metra ka dhe raste të tjera ku thuhet se që të përfitosh nga kompensimi i vitit aktual nuk duhet të jesh trajtuar në kompensimet e mëparshme", - tha Gumi.
Nisur pikërisht nga ky qëllim komisioni ka miratuar dispozitat përkatëse të projektligjit, por pa mundur që ta kalojë atë në tërësi duke lënë të hapur ende nenin 4, ku përcaktohet që ky fond kalon për miratim në kuvend së bashku me buxhetin faktik, nenin 8 që ka të bëjë me parimet e nxjerrjes së akteve dhe nenin 9, i cili shfuqizon pikërisht VKM-në me të cilën bëhet shpërndarja e aktuale e parave për këtë proces.
Projektligji
Drafti përbëhet nga 10 nene dhe në të parashikohet që për një periudhë 10-vjeçare (duke filluar që nga viti 2005) me propozim të Këshillit të Ministrave, Kuvendi të caktojë buxhetin e veçantë për procesin e kompensimit i cili do të administrohet nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kështu, tashmë ky fond nuk do të mbushet vetëm me të ardhurat nga Buxheti i Shtetit, por në të do të përfshihen edhe lekët e përfituara nga një sërë burimesh të tjera.
Më konkretisht bëhet fjalë edhe për tre burime të tjera, si të ardhurat e përfituara nga shitja me ankand e pasurive shtetërore për të cilat nuk ka një vendim të dhënë nga komisionet e kthimit dhe kompensimit të pronës, të ardhurat që krijohen nga procesi i legalizimit, 80 për qind e të cilave kalojnë në këtë fond special, si dhe të ardhurat të cilat krijohen sipas ligjeve apo akteve nënligjore të veçanta.
Diskutimet
Halimi
"Në këtë ligj janë përcaktuar qartë modalitetet se shpërndarja e këtyre fondeve nuk do bëhet me këste por do të bëhet sipas mundësive që do të ketë dhe sipas përcaktimeve që do të bëhen me një vendim të mëpasshëm.
Pra, duke shuar edhe ato zëra që janë shkruar nëpër media se kjo do të bëhet me këste. Pra, do të bëhet sipas modaliteteve që do të përcaktohen nga AKKP-ja dhe sipas një formule që do të jetë e mirëpërcaktuar.
Deri sot ka qenë një formulë që përcaktonte se do të merrnin kompensim financiar ata persona të cilëve iu është njohur prona që do privatizohet, tani gama e këtyre njerëzve apo numri i këtyre ish-pronarëve do të jetë e drejtë e gjithë ish-pronarëve që kanë fituar të drejtë për kompensim financiar"
Alibeaj
"Tashmë, nga ky vullnet kalohet në një bindje në një detyrim buxhetor që në të gjitha rastet kur qeveria do të kaloj buxhetin e saj do të ketë dhe një llogari speciale për këtë proces. Dhe ky do të jetë detyrim i kujtdo force që do të jetë në pushtet. Ky ligj sjellë zgjerimin e burimeve të të ardhurave të destinuara për kompensim"
Halimi
"Këtu e kemi fjalën për vendimin e KM-së që është në fuqi sot kur thoni që shpërndarja e këtij fondi janë ato subjekte të përcaktuara në VKM për përcaktimin e rregullave apo kemi parasysh VKM që mund të dalin më pas. Sepse, po e thamë në këtë mënyrë duket sikur do kemi këtë VKM. Ndoshta duhet bërë fjalia që të kuptohet për çdo vendim të mundshëm"
Kopani
"Bëhet fjalë për çdo vendim të mundshëm dhe në të ardhmen, sepse ky vendim del gati çdo vit"
Halimi
"Duhet ta modifikojnë dhe të themi që subjektet e shpronësuara që kanë fituar të drejtën për kompensim, përfitojnë kompensim sipas vlerës dhe mënyrës së përcaktuar me vendim të Këshilli i Ministrave. Shqetësimi im është se VKM-ja përcakton se marrin kompensim financiar në të holla të gjithë ata që kanë një vendim kompensimi deri në 200 metra katror.
Me këtë ligj nuk është më synimi që të marrin kompensim financiar vetëm ata që kanë 200 metra, por kemi synim që t'i japim zgjidhje definitive të gjithë ish-pronarëve, edhe ata që kanë 5 mijë metra, edhe ata që kanë për 10 mijë metra.
Prandaj të mos e lidhim vetëm me këtë VKM, pasi qeveria do të nxjerrë VKM-ra të tjera pas daljes së këtij ligji. Pra, qeveria do të duhet me patjetër ta ndryshojë këtë VKM që përcakton 200 metra. Pra ky ligj duhet t'i japë dritë jeshile qeverisë për të përcaktuar modalitetet e reja".
Kopani
"VKM del çdo vit"
Rusmali
"Z. Kopani me këtë ligj ne po krijojmë një fond që të kapërcejë kufijtë vjetor buxhetor, ndërsa këtë VKM kërkoni ta përsërisni çdo vit. Kjo nuk ka sens. Pse duhet ne ta bëjmë çdo vit kriterin dhe rregullin"
Kopani
"Flas që deri më tani kështu është vepruar"
Gumi:
"Duhet ta shohim në largpamësi këtë dispozitë të këtij ligji. Nëse do të vazhdonim të operonim me skemat 1 vjeçare s'do kishim nevojë fare këtë ligj. Ky ligj shikon në një afat më të gjatë. Prandaj kërkohet një VKM unike që të përcaktojë kritere dhe rregulla që s'kanë nevojë të ndryshohen vit pas viti.
Përveç asaj sasisë 200 metra ka dhe raste të tjera ku thuhet se që të përfitosh nga kompensimi i vitit aktual nuk duhet të jesh trajtuar në kompensimet e mëparshme. Ndaj unë besoj se kjo dispozitë kërkon të përcaktojë një VKM unike dhe ky të jetë dokument pune në AKKP".
Kopani
"Edhe ne jemi dakord me këtë sugjerim dhe ndaj të miratohet neni sipas këtij riformulimi"
Në këtë rast të gjithë punonjësit do të kompensohen me një shtesë page prej 25 për qind ose një ditë pushimi më tepër
Vendimi: E hëna pas festave, punë me 25% shtesë page
TIRANË - Punonjësit e administratës shtetërore duhet t'i thonë lamtumirë ditëve të tejzgjatura të pushimeve. Kjo pasi në rast se festat zyrtare do të bien në ditën e pushimit javor, pra të shtunën ose të dielën, atëherë e hëna nuk do bëhet më pushim siç është bërë deri më tani.
Ky është vendimi i marrë dje nga Këshilli i Ministrave, i cili ka me anë të një VKM-je, duke shfrytëzuar mundësinë që i jep Kodi i Punës, ka hequr mundësinë e kalimit të ditës së pushimit të hënën, kur festa zyrtare bie në ditën e pushimit javor.
"Kur festa zyrtare bie në ditët e pushimit javor, dita e hënë është ditë pune dhe puna e kryer kompensohet me një shtesë page prej 25 për qind",- është njëri prej ndryshimeve të bëra në Vendimin e Këshillit të Ministrave "Për kohëzgjatjen e punë dhe ditëve të pushimit ne institucionet shtetërore. Çka do të thotë më pak ditë pushimi për të gjithë të punësuarit në administratën publike dhe që marrëdhëniet e tyre të punës i rregullojnë me Kodin e Punës.
Gjithashtu një tjetër ndryshim i bërë në këtë vendim ishte edhe ai i përcaktimit të rregullit sesi veprohet kur festat zyrtare bien në ditët e punës dhe me vendim të Këshillit të Ministrave ose në kontratën kolektive është vendosur të punohet. Në këto raste puna e kryer ditën e festës zyrtare do të kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25 për qind. Në këtë rast është parashikuar edhe një mënyrë tjetër kompensimi siç është ajo me një ditë pushimi tjetër.
"Si rregull, ditët e festave zyrtare janë ditë pushimi. Punëmarrësi gëzon të drejtën e pagës në këto ditë. Kur festa zyrtare bie në ditët e punës dhe me vendim të Këshillit të Ministrave ose në kontratën kolektive është vendosur të punohet, puna e kryer ditën e festës zyrtare kompensohet me një shtesë page, jo më pak se 25 për qind ose me një pushim të barabartë me kohëzgjatjen e ditës së punës së kryer plus një pushim shtesë, jo më pak se 25 për qind të kohëzgjatjes së kësaj pune, që merret një javë para ose pas kryerjes së saj", - thuhet në VKM.
Prokurori dërgon për gjykim dy persona të denoncuar për mashtrimin e një tregtari për një leje ndërtimi TIRANË- Prokuroria e...
SHKËNDIJA/ Në kopshtin me drekë një nga dhomat u përfshi nga flakët, ndërsa fëmijët u nxorën jashtë në kohë Burime...
Lajmet 04 Shkurt - Ora 13 -
data/04-02-2010
Lajmet 03 Shkurt - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 03 Shkurt - Ora 14 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Komenti juaj