|
|
Delegacioni i KiE-së pritet që të vijë me propozime konkrete. Lakso: Vijmë të ndryshojmë realitetin
"Mendojmë se Topi është ndërmjetësi kryesor dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet ta mbështesin presidentin"
Këshilli i Europës thotë se do të mbështesë përpjekjet dhe rolin ndërmjetësues të presidentit Bamir Topi për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Në një intervistë për BBC-në, raporteri për Shqipërinë, Jakko Lakso, thotë se është absolutisht e nevojshme që bojkoti i parlamentit të përfundojë.
Ai thotë se gjetja e rrugës për të arritur deri këtu, do të jetë sfida kryesore gjatë vizitës, që një delegacion i Këshillit të Europës do të bëjë në Tiranë më 22 shkurt
Cili ishte misioni konkret i vizitës së delegacionit të Këshillit të Europës në Shqipëri?
Misioni ynë ka të bëjë me krizën politike në Shqipëri. Ne po përpiqemi të japim ndihmesën tonë për të inkurajuar fillimin e dialogut politik midis palëve kryesore, si dhe për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje lidhur me çështjen e bojkotimit të parlamentit. Çdo deputet që është zgjedhur, mund dhe duhet të japë kontributin e tij në parlament.
Si mendoni se mund të ndodhë kjo?
Ju po thoni se thjesht do të ofroni ndihmë që palët të arrijnë një zgjidhje, por kjo krizë vazhdon prej disa muajsh dhe palët nuk kanë treguar ndonjë shenjë se janë pranë kësaj zgjidhjeje.
Po, kriza politike po vazhdon dhe ne jemi të shqetësuar se kjo krizë politike mund të acarohet. Objektivi ynë kryesor është që, para së gjithash, të parandalojmë acarimin e situatës dhe, siç e përmenda, të ndihmojmë për fillimin e një dialogu politik mes forcave politike. Ne kryesisht po mbështesim përpjekjet e presidentit Topi. Ne mendojmë se ai është ndërmjetësi kryesor dhe të gjithë aktorët e tjerë duhet ta mbështesin presidentin.
Ne mendojmë se do të jetë e nevojshme që të takohemi me përfaqësuesit e partive politike, jo thjesht që ata të kenë mundësinë të na sqarojnë se ku qëndron problemi dhe se çfarë idesh kanë për të gjetur një zgjidhje, por mendoj gjithashtu se duhet të kemi edhe një takim të përbashkët me të gjitha forcat kryesore politike.
Ju keni bërë thirrje që palët të dialogojnë dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë krizë. Çfarë përgjegjësie ka secila palë për situatën e krijuar.
Ne nuk po shtrojmë çështjen e përgjegjësive. Prej disa muajsh në Shqipëri po flitet shumë se kush është përgjegjësi dhe kush jo. Detyra jonë është që të ndihmojmë në gjetjen e një zgjidhjeje. Për këtë do të bëjmë edhe disa propozime konkrete, për të cilat nuk mund të jap më shumë hollësi për momentin.
Siç e dini, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës bëri disa propozime që lidhen me vizitën tonë në Tiranë. Ky nuk është një mision faktmbledhës, pasi ne i dimë faktet. Ideja është që të ndryshojmë realitetin në terren dhe të fillojë dialogu mes partive politike.
Thatë se do të takoheni me përfaqësues të forcave kryesore politike dhe se do të keni disa propozime. A do të ushtroni ndonjë presion që ato t'i pranojnë propozimet tuaja?
Ne nuk e përdorim termin "presion". Çështja është se ne të paktën shpresojmë se të gjitha partitë mendojnë se Këshilli i Europës ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë një rol pozitiv në të ardhmen. Ky rol pranohet nga të gjitha palët. Ne nuk po mbajmë asnjë anë në konfliktin në Shqipëri.
Ne mendojmë se është absolutisht e nevojshme që bojkoti i parlamentit të përfundojë në mënyrë që parlamenti të funksionojë normalisht. Por çështja shtrohet se si mund të arrijmë deri këtu. Ky është problemi kryesor që do të kemi gjatë kësaj vizite.
Si e vlerësoni qëndrimin e presidentit Topi, për të cilit thanë se e mbështesni, që prej fillimit të kësaj krize pas zgjedhjeve të vitit të kaluar?
Më duhet të them se ne jemi takuar me të në të gjitha vizitat që kemi pasur në Shqipëri. Mendoj se ai ka luajtur një rol pozitiv dhe, në fakt, partitë kryesore politike duhet të kontribuojnë që roli i tij si ndërmjetës të jetë më i madh. Mendoj se e gjithë bashkësia ndërkombëtare ka të njëjtën qasje si Këshilli i Europës se ne jemi në mbështetje të rolit ndërmjetësues të presidenti Topi, në mënyrë që ai të luajë një rol më të madh.
Sa e vështirëson misionin ndërmjetësues të presidentit, me mbështetjen tuaj dhe të aktorëve të tjerë ndërkombëtare, retorika e ashpër dhe gjuha e përdorur nga lojtarët dhe forcat kryesore politike, pikërisht ato që duhet të zgjidhin krizën?
Më duhet të them se fyerjet që i gjen në skenën politike shqiptare, nuk i kam dëgjuar në asnjë vend tjetër evropian. Mua më takon të udhëtoj në vende të ndryshme gjatë gjithë kohës, por nuk e dëgjoj kurrë gjuhën apo fyerje të tilla si ato që i dëgjojmë në Shqipëri.
Ne duhet ta ndalojmë përdorimin e këtij fjalori. Këtu e kam fjalën për të gjitha palët dhe jo thjesht për individë të caktuar. Le të flasim për politikën, jo të futemi nëpër rrugë dytësore dhe të merremi me fyerjet.
A mund të na thoni se si do të zgjidhet mungesa e përfaqësuesit të opozitës, për shkak të bojkotit, në delegacionin parlamentar nga Shqipëria në Asamblenë e Këshillit të Europës?
Natyrisht që situata është problematike. Praktika është që delegacioni i secilit prej vendeve anëtarë të Këshillit të Europës përbëhet nga përfaqësues të koalicionit qeverisë dhe të opozitës. Problemi është se opozita shqiptare nuk përfaqësohet në delegacion.
Ky është një ndër rezultatet e bojkotit. E vetmja rrugë për ta zgjidhur këtë problem është që t'i jepet fund bojkotit dhe opozita të përfaqësohet në delegacionin shqiptar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Ashtu siç vepruam në sesionin e fundit, kur opozita nuk i ka përfaqësuesit e saj në një delegacion, ne duhet të shfrytëzojmë burime të tjera për t'u njohur me qëndrimin e opozitës. Kjo është arsyeja që sekretarja për marrëdhënie me jashtë në Partinë Socialiste u ftua të fliste para komisionit të monitorimit, në mënyrë që ne të njiheshim me qëndrimin e opozitës.
Prokurori dërgon për gjykim dy persona të denoncuar për mashtrimin e një tregtari për një leje ndërtimi TIRANË- Prokuroria e...
SHKËNDIJA/ Në kopshtin me drekë një nga dhomat u përfshi nga flakët, ndërsa fëmijët u nxorën jashtë në kohë Burime...
Lajmet 04 Shkurt - Ora 13 -
data/04-02-2010
Lajmet 03 Shkurt - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 03 Shkurt - Ora 14 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Komenti juaj