Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Rama: S'ka hetim pa hapur kutitë. Gati për protesta

Shekulli Online | 05/02/2010 | Politike | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Kryetari i opozitës Edi Rama, ka nisur dje nga Tirana të zhvillojë një tur të ri bashkëbisedimi me gazetarë dhe qytetarë për të sqaruar se pse duhet protestuar. Rama foli edhe për tryezën e Presidentit


TIRANË - Ndërsa të gjitha palët kanë rënë dakord të ulen në një tryezë për të trajtuar ngërçin politik që ka përfshirë vendin, Partia Socialiste është e vendosur që paralelisht të protestojë për këtë situatë.


Për këtë qëllim, kreu socialist, Edi Rama, ka nisur dje nga Tirana të zhvillojë një tur të ri bashkëbisedimi me gazetarë dhe qytetarë për të sqaruar arsyet përse kjo forcë politike dhe e gjithë opozita do të protestojë, por edhe për të bërë të ditura njëkohësisht kushtet, me të cilat socialistët do të ulen në tryezën e presidentit.


Stacioni i radhës i këtij turi do të jetë Durrësi, për të vijuar më pas në një sërë qendrash të mëdha urbane në të gjithë vendin.


Z. Rama, ju sapo deklaruat nisjen e një udhëtimi shpjegues për arsyet e protestës suaj. A nuk duket pak si pavend një gjë e tillë, kur nga ana tjetër po negociohet për realizimin e një tryeze për zgjidhjen e kësaj krize, apo është ky një mjet presioni ndaj mazhorancës për atë që kërkoni të merrni nga kjo tryezë?


Unë po flas për arsyet e protestës, nuk po flas për datën e demonstratës, ne jemi në protestë edhe tani, qysh ditën që kemi vendosur të refuzojmë pjesëmarrjen në një parlament,t i cili në këndvështrimin tonë duhet të legjitimojë veten duke pasur kurajën që të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese.


Kështu që arsyet e protestës janë të gjitha arsyet që ne jemi në pozicion që jemi sot, pse jemi jashtë parlamentit, të gjitha arsyet pse ne jemi dhe do jemi në betejë pavarësisht nëse do ketë ose jo një manifestim të madh proteste në varësi të rezultatit të dialogut, për ta respektuar këtë dialog dhe për të mos krijuar asnjë ekuivok për palën që nuk është e interesuar ta zgjidhë çështjen tonë.


Ne nuk kemi shpallur datën e manifestimit të protestës, por nga ana tjetër, ndërkohë që përgatitet dialogu të përgatitemi intensivisht, madje dhe për alternativën, që është protesta. E kam thënë Berisha nuk mund ta përdorë kohën për dialog si një kohë për të përgjumur opozitën.


Po bëhen përpjekje për të mbajtur një tryezë, për të cilën duket se të gjitha palët janë dakord. Ju me çfarë kërkesash do të shkoni në tryezë?


Kriza në Shqipëri është një krizë tërësore, shumë përmasore. Kjo është një krizë që po rrënon ekonominë, po rrënon demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Ka shumë gjëra për të folur ashtu siç ka plot gjëra për të korrektuar.


Dialogu pa dyshim do të shtrihej në gjitha aspektet e kërkesës sonë publike për të pranuar të hyjmë në parlament. Në rast se kjo kërkesë nuk do të kushtëzohej me moshapjen e kutive, pra në rast se objekti i hetimit do të ishte i lirë dhe shumica e komisioneve hetimore e përbërë nga opozita do të lejohen që objekti i hetimit ta shtrijnë në gjithë horizontin e deformimit të procesit zgjedhor atëherë dialogu do të trajtonte të gjitha pikat.


Ne jemi gati të flasim për të gjitha pikat që përfshijnë jo vetëm kutitë, por edhe transparencën lidhur me gjithë presionin dhe deformimet parazgjedhore dhe paszgjedhore që nga elementi i cenimit të lirisë se rrogëtarëve të shtetit përmes trysnisë përmes funksionarëve, që kërkonin votën brutalisht duke ua kondicionuar vendin e punës me këtë votë, tek heqjet nga puna për arsye të mosdhënies së votës, apo të pjesëmarrjes në aktivitetet e opozitës, tek kufizimi brutal i ndihmës ekonomike, sidomos në fshat, tek lirimi në shkelje të plotë të ligjit të kriminelëve nga më të rrezikshmit të dënuar nga gjykata e krimeve të rënda për të ushtruar presion, duke shkuar më tej tek deformimi i pasqyrës mediatike përmes abuzimeve të rënda me buxhetin e shqiptarëve.


Shkatërrimi i balancave ligjore dhe demokratike në institucionet monitoruese qoftë në KKRT, qoftë në bordin e TVSH, më pas tek misteri ende i pahetuar i errësuar edhe më shumë i vrasjes së deputetit Xhindi mu në prag të fushatës elektorale, e më radhë në çështje të tjera, për të ardhur tek anoncimi ogurzi i marrjes së shërbimit sekret shqiptar nën kontrollin e kryeministrit.


Të gjitha këto gjërat në një shtet të së drejtës janë të patolerueshnme. Fatkeqësisht, kjo nuk është një shtrirje e mundshme në gjithë gjerësinë e vet, sepse është kushtëzuar me kufizimin e objektit të hetimit.


Gjë që nuk do të thotë se nuk do t'i diskutojmë këto gjëra, por do të thotë që kërkesat tona nuk janë një listë për pazarin e ditës derisa aty jetë kryer pazari. Kërkesat tona kanë një rend prioritetesh, të cilat s'mund të vendosen në kandar as më numër as me peshë. S'mund të thuhet hiqni dorë nga kutitë, ne po ju lemë këto të tjerat.


Në rast se s'hetohen kutitë nuk ka hetim të zgjedhjeve, ka vetëm një ardhje përqark qendrës së gravitetit të krimit elektoral. Në rast se ka krim elektoral këtë mund ta përcaktojnë transparenca e kutive ashtu si dhe gjithë këto që thashë, pa kutitë relativisht këto të tjerat rrëzohen.


Këto që sapo deklaruat janë gjëra që janë thënë edhe më parë nga ju dhe të dëgjuara shpesh prej nesh. Por, nuk do ishte më mirë që të gjithë këto që thoni të thuheshin në Kuvend?


Ajo që dua të them është se gjithçka është shumë serioze. Hyrja në parlament jo vetëm nuk do krijonte kushte për ta fituar këtë betejë dhe me fitore nuk kuptoj rrëzimin e qeverisë dhe as rishpërndarje të mandateve.


Më këtë kuptoj fundin e një historie me zgjedhje të kontestuara që sa vijnë e bëhen më keq, pavarësisht se në dukje përmirësohet mekanizimi i tyre, por në fakt sofistikohet mekanizimi i tyre për vjedhje. Pra, është një betejë për lirinë e votës, ndershmërinë e procesit të votimit dhe numërimit dhe për transparencë.


Parlamenti ndryshe nga çdo lloj teatri dhe spektakli që zhvillohet në skenë përballë publikut është e vetmja shfaqje që nuk drejtohet nga një regjisor, por është publiku që përcakton rolet. Kush do qëndrojë në opozitë kush në qeveri i përcakton vetëm publiku.


S'ka asnjë shans që opozita të hyjë aty brenda dhe të arrijë qëllimet e saj në atë teatër që bëhet aty. Moshyrja në parlament është refuzimi për ta mbyllur kapitullin e deformimit 20 vjeçar, hyrja në parlament do të ishte krejt e kundërta, vetëm mbyllja e radhës e syve përpara asaj që ndodhi dhe pastaj shkuarja symbyllur në një masakër tjetër elektorale me po ato fenomene.


Megjithatë z. Rama, ju s'mund ta mohoni që edhe bojkoti e ka dëmtuar demokracinë?


Së pari, bojkoti e kanë kritikuar dhe do vazhdojnë ta kritikojnë. E kam thënë unë qysh më parë se bojkoti nuk është një gjë e ëmbël për askënd, por është një ilaç i hidhur për të kuruar një sëmundje të rëndë. S'di ç'a keni parasysh kur e thoni këtë, por kjo lloj demokracie nuk ka shans të dëmtohet nga bojkoti, sepse është aq e dëmtuar.


Qendra e gravitetit e marrëveshjes mes PD e PS është ajo që dy anëtarë të KQZ-së do kërkonin hapjen e kutive me besimin që sado të kishte procesi probleme në fund fare ato të ekspozoheshin në tryezën e KQS, e cila nuk është kërkesë e kushtëzuar nga asgjë, por e detyron KQZ-në të hapë kutitë.


Ndërkohë që në momentin që forcërisht shumica e pushteti në KQZ vendosi të mos hapë kutitë vendosi njëkohësisht mos të ketë opozitën në parlament.


Këtu fillon historia e kësaj çështjeje dhe këtu duhet të shikojmë arsyet përse PS-ja dhe opozita nuk është e gatshme t'i besojë thjesht procesin legjislativ dhe përmirësimit të kuadrit ligjor dhe të shkojë në një tjetër thertore elektorale.


Në rast se gjithçka do të ishte thjesht një fryt i një imagjinate le të themi politike në funksion të një strategjie politike dhe nuk do kishte bazë sot ne nuk do kishim një pushtet, i cili që prej 28 qershorit sillet më keq se para 28 qershorit.


Folët për bojkotin që PS do të vazhdojë, por janë edhe pesë deputetë të vjetër që kritikojmë këtë qëndrim dhe që kanë deklaruar se do të futen në kuvend para datës skadimit të afatit kushtetuese.


Çfarë do ndodhë me ta në rast se ndërmarrin këtë hap?


Për vetë faktin që janë të rinj akoma besoj se nuk është e nevojshme që ju duhet të shqetësoheni për ata.


Çdo njëri aq më tepër në moshën kur është i përgjegjshëm përpara Shqipërisë e ka në dorë veten e vet. Megjithatë, për sa kohë flasim për idenë dua të them se mandatet e PS-së nuk digjen, kjo është një telenovelë që zhvillohet në disa linja, një nga këto është ajo e mandateve, jo djeg jo se djeg.


Nuk digjen mandatet e PS-së dhe kjo është një gjë qe e kam thënë qysh në krye të herës. Fatosi dhe Iliri mund ta dëshirojnë shumë që kur në te festojmë në 7 marsin, ata të nxjerrin grepat nga pjesa e llumit në fund të listave për të gërmuar deputetë që t'i çojnë në parlament që të betohen për Europën dhe integrimin.


E për ta lënë opozitën jashtë, por është një dëshirë që nuk ua plotësojmë dot dhe është e kotë që ka një investim kaq të madh, sepse nuk ka asnjë shans që të digjen. Është një investim si hidrocentrali i Skavicës që do të ndërtojë Saliu, njësoj si plot megainvestime të tjera që nuk çojnë asgjëkund.


Ju thoni të hapen kutitë, Berisha tha se nuk hapen. Kjo do të thotë se kjo tryezë është e dështuar që në fillim? Cila mund të jetë një e mesme që mund të sillte kompromisin?


Është njësoj si le të themi të zgjedhësh midis lirisë dhe mungesës së saj. Ka një pikë të mesme që të mos jesh i lirë, por prapë të jesh i lirë, të mungojë liria, por prapë të jesh i lirë?


Nuk ka të mesme në këtë për disa arsye, e para, sepse nuk mund të ketë hetim të zgjedhjeve pa parë se çfarë ndodh në kuti. Monitoruesit ndërkombëtarë kanë përcaktuar në një fjali të vetme objektin e hetimit që një e treta e numërimit është bërë dhe keq shumë keq.


Çfarë do ndodh nëse hapen kutitë, pra cila do jetë gjeja e parë që do bëni ju si parti, a do futeshit në parlament?


Mjafton një komision hetimor parlamentar me objekt hetimi të pakufizuar ku përfshihet edhe hapja e kutive dhe ne shkojmë në parlament, ulemi për të vazhduar të qëndrojnë aty deri kur t'i jepet fjala popullit për të gjykuar nëse rolet në shfaqjen demokratike duhet të mbeten po ato apo duhet të ndryshojnë.


Nëse kutitë hapen dhe PS do të rezultojë humbëse, do të largoheni nga drejtimi i kësaj force politike?


E thashë, e përsërita, hetimi nuk ka qëllim ndryshimin e rezultatit, por unë jam kryetar i rizgjedhur i PS-së, pasi dhashë dorëheqjen dhe në rast se rikandidova duke i kërkuar socialistëve në të gjithë Shqipërinë të gjykojnë idenë time, ishte vetëm sepse unë për asnjë moment nuk kam dyshuar që PS-ja i ka fituar zgjedhjet edhe pse nuk është zgjedhur.


Në rast se unë do të kisha dyshuar qoftë edhe një moment të vetëm që ishte vota e shqiptarëve që kishte refuzuar projektin tonë politik, dorëheqja ime do të ishte pa kthim. Ndërkohë që rizgjedhja ime është bërë me një propozim të thjeshtë, dua votën tuaj për të çuar deri në fund një betejë për liri dhe demokraci në këtë vend duke bojkotuar parlamentin.

 

Komenti juaj

 

Basha- Rama, takim "partnerësh". Harrohen akuzat

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, dhe Prokurorja e Përgjithshme folën dje për ristrukturimin e Policisë Gjyqësore dhe ligjit Antimafia TIRANË-...

Vëllai: Banda vrau Taullain, për 500 mijë euro gjobë

Vëllai i biznesmenit të "vrarë" nga banda e Lushnjes rrëfeu dje në gjykatë "taksat" e bandës dhe presionet, eksplozivin në...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool