|
|
Kushtetuesja shpall rrëzimin e ligjit që rregullon marrëdhëniet dhe funksionimin e kontabilistëve
TIRANË - Mund të konsiderohet një disfatë e plotë për qeverinë vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese për këtë fillim viti. Në tre vendimet e shpallura nga ky institucion për këtë vit kalendarik bilanci për mazhorancën e djathtë ka qenë më negativi i mundshëm.
Pasi rrezoi një javë me parë marrëveshjen e ndarjes së kufijve ujorë me Greqinë dhe ligjin e dosjeve, dje kjo gjykatë i ka dhënë shumicës qeverisëse një tjetër "shuplakë" duke shpallur edhe rrëzimin e ligjit që rregullon marrëdhëniet dhe funksionimin e kontabilistëve, çka ka shënuar rastin e 18-të për 5-vjeçarin e fundit që kur e djathta ka marrë pushtetin.
Çështja
Organizata Profesionale e Ekonomistëve ankimoi gati një vit më parë ligjin "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar", duke kërkuar prej gjyqtarëve kushtetues rrëzimin e tij si antikushtetues.
Në kërkesën e detajuar që kjo shoqatë paraqiti pra Gjykatës argumentonte se ligji në fjalë cenonte 6 herë ligjin themeltar të shtetit, duke mos respektuar një sërë të drejtash që gëzonte individi. Kështu, kërkuesi pretendoi se ligji objekt shqyrtimi ishte antikushtetues, pasi neni 1/10 binte ndesh me parimin e barazisë para ligjit dhe me lirinë e organizimit sipas vullnetit të lirë të individit.
Sipas tyre, u hiqet e drejta të gjithë personave të tjerë, që s'janë anëtarë të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) të organizohen në grupime të tjera përveç organizatës që krijon ligji. Gjithashtu, ata theksonin në këtë kërkesë se anëtarësia në organizatat profesionale të kontabilistëve të miratuar prej më shumë se 50 vetë, kufizonte shoqatat e tjera me numër më të vogël se ky duke cenuar lirinë e organizimit.
Një tjetër pretendim i palës ankimuese kishte të bënte edhe me parashikimin që bëhet në ligj për IEKA-n si i vetmi organizëm profesional që grupon ekspertët kontabël, çka krijon situatë monopoli, pasi për të ushtruar këtë profesion duhet të jesh anëtar vetëm i kësaj organizate.
Në këtë aspekt, ata theksonin në kërkesën e tyre se me këtë përcaktim cenohet dhe liria e veprimtarisë ekonomike, pasi ndërhyhet në kriteret e ushtrimit të profesionit të ekspertit kontabël nga shteti.
Pretendimi i tretë i kësaj shoqate kishte të bënte me kontrollin që ushtrohet nga Bordi Mbikëqyrjes i IEKA-s, i cili sipas tyre nuk ishte në përputhje me kërkesat e standardet e BE-së, pasi nuk realizonte kriteret e pavarësisë për shkak të ndërhyrjes së shtetit me anë të Ministrit të Ekonomisë apo të Drejtësisë.
Në një tjetër pikë të kërkesës së tyre shoqata që ankimoi ligjin në fjalë konstatonte se vlerësimi i njohurive dhe licencës së marrë nga ekspertët e huaj nga IEKA sillte konflikt interesi, monopol dhe diskriminim të ekspertëve të huaj përballë atyre vendas.
Gjithashtu, pjesë e kësaj kërkese ishte dhe rrëzimi nga gjykata e VKM nr. 150, dt.31.03.2000, i ndryshuar me VKM nr. 625, dt.12.11.2001, si i papajtueshëm me Kushtetutën, pasi sipas ekonomistëve ky akt nuk mund të vepronte më pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për tregtarët dhe shoqëritë tregtare. Por duket se pesë pretendimet e renditura prej kërkuesit kanë qenë të pabazuara dhe për rrjedhojë janë shpallur të papranueshme nga Gjykata Kushtetuese, e cila i ka rrëzuar.
Vendimi
Pjesë e pretendimeve të palës ankimuese ka qenë edhe rrëzimi i nenit 58 të ligjit në fjalë, i cili sipas tyre përbënte një kapërcim të normave ligjore, pasi vendoste penalizime që parashikohen vetëm nga Kodi Penal.
"Neni 58 i ligjit që parashikon si kundërvajtje penale përvetësimin e padrejtë të titullit të ekspertit kontabël dhe dënimin me gjobë ose dy vjet burgim për kundërvajtësit është antikushtetues, pasi ligji është miratuar me shumicë të thjeshtë dhe jashtë dispozitave të Kodit Penal", - thuhej në kërkesën e Organizatës Profesionale të Ekonomistëve.
Një konstatim ky që është vlerësuar si i drejtë nga gjykata e cila, në përfundim të saj ka shpallur si antikushtetues këtë nenë, i cili sipas saj nuk mund të vendos penalizime që i përmban Kodi Penal miratimi i të cilit bëhet me shumicë të cilësuar votash dhe jo me një shumicë të thjeshtë siç edhe është miratuar ligji në fjalë. "Gjykata Kushtetuese me shumicë votash, vendosi: shfuqizimin e nenit 58 të Ligjit nr.10091, dt.05.03.2009 "Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertëve kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar" dhe rrëzimin e kërkesës për pjesët e tjera.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe, për shkak të boshllëkut ligjor që krijohet nga shfuqizimi i nenit 58 të ligjit nr.10091, dt.05.03.2009, hyn në fuqi 6 muaj pas botimit të këtij vendimi në Fletore Zyrtare", - thuhet në vendimin e bërë publik në faqen zyrtare të këtij institucioni.
Neni 58 që shfuqizohet
Përvetësimi i titullit profesional
1. Përvetësimi i titullit profesional të ekspertit kontabël, ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël apo përdorimi i emërtimeve si shoqëri audituese, pa qenë regjistruar më parë në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, si dhe përdorimi i çfarëdo titulli, që synon të krijojë një ngjashmëri ose një konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
2. Fillimi apo vijimi i procedurave penale nuk pengon, as pezullon vijimin e procedurave disiplinore dhe as marrjen apo ekzekutimin e sanksioneve disiplinore.
*****************
PS kundërshton ndryshimet e fundit mbi ligjin për SHISH-in
Drafti, PS: Berisha kontroll mbi SHISH-in
TIRANË - Partia Socialiste ngre zërin për draftin më të fundit që lidhet me ndryshimet ne ligjin aktual të SHISH-it. Deputeti i PS-së, Eduart Shalsi, deklaroi dje se nën pretekstin për reformim të shërbimit sekret shqiptar, nuk fshihet gjë tjetër veçse deformimi nga e para e një shërbimi të depolitizuar prej vitesh.
"Sali Berisha kërkon të rimarrë kontrollin e shërbimit sekret për të rifilluar përndjekjen e opozitës duke rënduar kësisoj edhe më shumë problematikën e lirive e të drejtave të njeriut.
Sali Berishës i duhet tani një shërbim sekret për të mos lejuar që opozitarët e këtij regjimi arrogant dhe injorant, të nxjerrin në dritë të zezat e keqqeverisjes e të babëzisë së familjes në pushtet. Ne nuk do ta lejojmë kurrë që edhe shërbimi sekret shqiptar të merret peng në zyrën e Saliut, siç janë marrë peng kutitë e votimit të 28 qershorit.
I bëjmë apel zotërisë që sundon Shqipërinë me vota të grabitura që të tërhiqet publikisht nga plani i tij ogurzi për asgjësimin e pavarësisë së shërbimit sekret", - tha Shalsi.
Në të kundërt, ai paralajmëroi se ky draft do të jetë një kusht me shumë bashkë me kutitë për të protestuar. Përmes draftit të fundit të SHISH-it të përgatitur nga qeveria, kryeministri i vendit Sali Berisha do të ketë një ndikim më të madh ndaj të këtij institucioni.
Më ndryshimet e reja, Kreu i SHISH-it jo vetëm që do të ketë një mandat të kufizuar, por për zgjedhjen e tij do të luajë një rol determinues vetë kreu i ekzekutivit. Drejtori i SHISH-it do të jetë i detyruar që të raportojë pranë kryeministrit sa herë që ky i fundit do ta kërkojë.
Tenderi i Uniformave me vlerë rreth 1.2 milionë euro merr tjetër rrjedhë, duke i dhënë detaje të reja prokurorisë për...
GËRDECI Ish- drejtori teknik i fabrikës, si zakonisht bëri dje një deklaratë, duke pohuar vizitën e ortakut të Delijorgjit para...
Lajmet 04 Shkurt - Ora 13 -
data/04-02-2010
Lajmet 03 Shkurt - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 03 Shkurt - Ora 14 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Komenti juaj