|
|
GJIROKASTËR/ Banorët shprehen se nuk e dinë me siguri se si ka ndodhur që kjo rrugicë të pagëzohet me këtë emër
Përkundrejt emrit të saj, në të jeton pjesa më e shquar e qytetit të gurtë, që nga arsimtarët e deri te juristët
GJIROKASTËR- Në antitezë të plotë me emrin që mban, ka nxjerrë vetëm emra të njohur në të gjitha fushat. Në të famshmin "Sokak të të marrëve" në fakt nuk ka jetuar asnjë i marrë (i çmendur) dhe është padyshim rruga me kalldrëm më e njohur e Gjirokastrës, ndoshta për shkak të emrit të çuditshëm apo ndoshta se pena e Kadaresë dhe shkrimtarëve të tjerë gjirokastritë e bënë atë mjaft të njohur.
Emri
"Sokaku i të marrëve" është njëra prej nyjeve lidhëse të dy lagjeve "Palorto" e "Varosh", mjaft e frekuentuar jo vetëm prej qytetarëve, por edhe prej turistëve vendas e të huaj. Një rrugicë e ngushtë, që gjarpëron mes portave të shtëpive, vende- vende i shtrembër e ku amortizimi i kalldrëmit është i ndjeshëm. Ky është "Sokaku i të marrëve", i quajtur kështu prej qindra vitesh, ndërsa askush nuk mund të thotë pse ka marrë këtë emër. Janë dy versione në fakt që qarkullojnë në lidhje me këtë "pagëzim". Banorët e vjetër që kanë jetuar dhe vazhdojnë të jetojnë në "Sokakun e të marrëve" tregojnë se në të vërtetë në këtë rrugicë nuk kanë jetuar të marrë. "Këtu e 50 vjet më parë kur kam ardhur nuse këtu, kam pyetur se përse e quanin kështu. Plakat thoshin që në fillim ishte i prishur dhe duke qenë se ishte tatëpjetë, kur njerëzit ecnin me nxitim, gurët rrokulliseshin dhe dukej sikur ecnin të marrët. Pastaj për ca kohë mori emrin "Rruga e pionierit", kur u shtrua me kalldrëm nga nxënësit e shkollave", tregon njëra prej banoreve të vjetra. "Tregojnë që shumë kohë më parë, në krye të sokakut vinte një i marrë nga lagjet e tjera që bërtiste dhe hidhte gurë. Që atëherë i mbeti emri sokaku i të marrëve", thotë Donika Çipi, një tjetër banore e vjetër e këtij sokaku.
Banorët
E për ta, emri nuk ka asnjë lidhje me familjet dhe emrat që kanë jetuar në këtë sokak, pjesa më e madhe e të cilëve të njohur në mbarë vendin në fusha të ndryshme, si: letërsi, arkitekturë, drejtësi, inxhinieri, arsim etj. "Ky sokak quhet vërtet sokaku i të marrëve, por në fakt ky është një sokak i mrekullueshëm, me njerëz shumë të mirë dhe intelektualë. Duke nisur nga kreu i sokakut me mësuesen Fazilet Kokona (drejtoreshë e shkollës "Urani Rumbo") dhe motra e saj. Në krahun tjetër ishte Nezaqet Skënduli, dhe ajo arsimtare, pastaj vijnë brezi i Kokonajve, Basri Kokona dhe babai i tij, edhe ata intelektualë. Duke ecur më poshtë në krahun tjetër kemi Zekatët, edhe nga ajo familje kanë dalë njerëz të shkolluar e të shquar, profesorë e gjyqtarë, me taban kombëtar. Pastaj më poshtë në krahun tjetër është familja e Halil Çalit, njerëz të nderuar e të respektuar; pastaj kemi familjen Doraci që ka nxjerrë inxhinierë e arkitektë të njohur që kanë dhënë kontributin e tyre kudo. Pastaj vjen familja ime e Çipatëve. Xhaxhai im ka qenë jurist dhe njëkohësisht drejtor i shkollës së parë "Liria"; vëllai im Haxhi Çipi ka qenë nëndrejtor i bankës. Pak më poshtë është familja Anastasi, që nxori poetin e famshëm Demokrat Anastasi; pastaj kemi familjen Xhaxhiaj, edhe ata njerëz të nderuar e njëkohësisht intelektualë dhe pastaj duke vajtur më poshtë te Toraj dhe Ismail Kadare. Pra, nga kreu deri në fund këtu është një lagje e mrekullueshme, me njerëz të cilët janë me taban dhe me mend në kokë", shprehet Donika Çipi.
Sokaku sot
Mungesa prej shumë vitesh tashmë e investimeve dhe ndërhyrjeve rikonstruktuese kanë bërë që kalldrëmet e qytetit të Gjirokastrës ditë pas dite të degradohen gjithnjë e më shumë. Amortizimit të ndjeshëm nuk i ka shpëtuar as "Sokaku i të marrëve", gjendja fizike e të cilit aktualisht lë shumë për të dëshiruar. Banorët shprehen se në këto kushte është mjaft e nevojshme ndërhyrja në të. "Duhet patjetër të merren masa, sepse ditë pas dite prishet më shumë. Në këtë sokak vijnë edhe shumë turistë dhe nuk është normale që ta shohin në këtë gjendje", shprehen banorët.
Rreth 1/3 e spërfaqeve të shtruara me kalldrëm në qytetin e Gjirokastrës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme. Kështu, nga 9005 metra rrugë, rrugica e sokakë të shtruara me kalldrëm në pjesën muzeale të qytetit të gurtë, 2860 metër prej tyre, apo e thënë ndryshe 1/3 kanë nevojë për rikonstruksion, për shkak të gjendjes së vështirë në të cilën ndodhen. Akset më problematike janë 10 rrugë e rrugica si Ish-poliklinika- Rruga nacionale, Poliklinikë- Radio Gjirokastra, Urat e Mëdha- Kaso Demo, kalldrëmi te Tushajt, Sokaku i të Marrëve etj. Sot Gjirokastra ka një sipërfaqe prej rreth 47 mijë metër katror të shtruar me kalldrëm.
Pas një kontrolli në banesën e Avni Gacës, policia gjeti një sasi municionesh dhe e arrestoi atë si të dyshuar...
Hetuesit e Prokurorisë pohuan se pas seancës së fundit të pyetjes së të akuzuarve ka siguruar të dhënat e plota...
Lajmet 04 Shkurt - Ora 13 -
data/04-02-2010
Lajmet 03 Shkurt - Ora 15 -
data/30-08-2008
Lajmet 03 Shkurt - Ora 14 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Komenti juaj