Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Kutitë, Meta: Rama sheh ëndrra me dy hapur

B.Quku | 08/02/2010 | Politike | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Sipas kreut të LSI-së, presionet verbale të opozitës nuk i ndihmojnë proceset dialoguese


TIRANË- Kur pritet që në fillimin e kësaj jave, të nisin negociatat midis forcave kryesore politike, për t'u ulur në tryezën e bisedimeve të Presidentit Bamir Topi, me qëllim zgjidhjen e krizës politike në vend, zëvendëskryeministri dhe njëherësh kreu i LSI-së, Ilir Meta, akuzoi kreun e opozitës Edi Ramën se nuk po i bindet rekomandimeve të komunitetit ndërkombëtar dhe se ka dalë nga realiteti politik.


Gjatë një prononcimi për mediat, Meta theksoi se presionet verbale të kreut të PS-së Rama, nuk i ndihmojnë proceset dialoguese midis forcave politike.


"Cilido që del jashtë realitetit, që del jashtë normalitetit, që del jashtë logjikës demokratike dhe njëkohësisht që i lexon së mbrapshti mesazhet e qytetarëve shqiptarë dhe komunitetit ndërkombëtar veçse vetëdëmtohet, por kurrsesi nuk i ndal dot proceset demokratizuese, evropianizuese dhe integruese të Shqipërisë. Nuk mendoj se presionet verbale janë ato të cilat çojnë proceset përpara apo çfarëdo lloj presionesh të tjera.


E theksoj edhe një herë, është fatkeqësi kur një politikan del nga realiteti. Është bukur për të, por përsëri është fatkeqësi për të, kur shikon ëndrra me sy hapur", - tha dje Meta. Zëvendëskryeministri vuri në dukje gjithashtu se mazhoranca ka qenë e hapur dhe e ka ftuar vazhdimisht për dialog opozitën, por sjellja e saj, sipas Metës, është tërësisht destruktive.


Meta ironizoi gjithashtu edhe krijimin e "Frontit me Shqipërinë" nga Partia Socialiste, duke theksuar se kjo nismë i ngjan asaj të protestave të fund nëntorit, kur opozita sipas Metës, pretendonte se do të rrëzonte qeverinë. Meta shtoi se Shqipëria ka institucione demokratike dhe për këtë arsye, sipas tij, të gjithë duhet t'u binden rregullave të lojës dhe logjikës demokratike.


"Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s. Shqipëria ka institucione të qëndrueshme, të cilat nuk funksionojnë në mënyrë perfekte, por sidoqoftë ato funksionojnë në mënyrë demokratike dhe absolutisht që të gjithë duhet të respektojnë rregullat e lojës, të përcaktuara nga kuadri kushtetues i këtij vendi dhe logjika demokratike. Por ju mund ta shikoni sjelljen tjetër, për fat të keq destruktive, arrogante, të njëanshme dhe shantazhuese.


Ndërkohë që pritet normalisht të zhvillohet një tryezë dhe të zhvillohet një dialog paralajmërohet një front që do të na sjellë qametin, njësoj si për mitingun e famshëm në fund të nëntorit që do të rrëzonte qeverinë dhe kutitë bashkë me të. Nuk është kjo një sjellje evropiane, nuk është kjo një sjellje konstruktive",- u shpreh ai.


Përsa i përket rolit që do mund të luajë Presidenti Bamir Topi në zgjidhjen e ngërçit politik, Meta nuk dha asnjë koment konkret për të, duke thënë se ai respekton thjesht pozitën kushtetuese të kreut të shtetit.


"Nuk dua të bëj asnjë koment për rolin e Presidentit, pasi unë respektoj pozitën e tij kushtetuese mbi palët dhe njëkohësisht angazhimin e tij, konstruktiv të shprehur në mënyrë të vazhdueshme, për të kontribuar në ecjen përpara të vendit përmes një dialogu sa më të frytshëm që i inkurajon të gjithë të bëhen pjesë e këtyre proceseve integruese",- nënvizoi Meta.

****************

Tauland Balla tha se PD-ja i ka bërë 20 herë atentat Kushtetutës


PS: Hapja e kutive, një e drejtë kushtetuese


TIRANË- Partia Socialiste vazhdon të theksojë se hapja e kutive të 28 Qershorit është transparencë kushtetuese dhe ligjore dhe për asnjë moment kjo kërkesë nuk bie ndesh me Kushtetutën, ligjet dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Deputeti i PS-së, Tauland Balla, deklaroi dje se, ndërsa mazhoranca flet në emër të Kushtetutës, ajo nuk ka pranuar fajësinë e 20 atentateve kushtetuese.


"Shumëkush mund të ketë të drejtë të bëjë interpretime të Kushtetutës për këtë çështje, vetëm Sali Berisha jo. Sali Berisha është i fundit njeri që merret me politikë në Shqipëri, që mund të flasë për Kushtetutën. Sepse, ai nuk e njeh Kushtetutën, përndryshe nuk do ta kishte shkelur me dhjetëra herë në 4 vjet.


20 vendime të Gjykatës Kushtetuese kanë gjetur fajtor Sali Berishën si shkelës të Kushtetutës, ndërkohë që pas çdo vendimi të marrë kundër tij Sali Berisha ka derdhur vrer kundër këtij institucioni Në të gjitha rastet Sali Berisha i është kundërvënë Gjykatës Kushtetuese dhe asnjëherë nuk ka pranuar fajësinë e 20 atentateve kushtetuese.


Si mundet Sali Berisha të na tregojë ne dhe shqiptarëve, Kushtetutën si pengesë për transparencën e zgjedhjeve?",- tha dje Balla, duke shtuar se është pikërisht Kushtetuta, dokumenti themelor i shtetit, që garanton të drejtën e hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas tij, hetimi parlamentar lidhur me çdo çështje që ka të bëjë me demokracinë, me shtetin e së drejtës, me ekonominë, me të mirën publike në këtë vend, është një e drejtë kushtetuese e parlamentit.


"Hapja e kutive të votimit është një e drejtë që buron drejtpërdrejt, jo vetëm nga fuqia kushtetuese e Parlamentit, por edhe nga fuqia e çdo qytetari në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që e gëzon të drejtën e patjetërsueshme për informim",- tha ai. Balla shtoi se, bojkoti i PS-së dhe protestat qytetare janë të vetmit mekanizma demokratikë, "në kushtet kur parlamenti është i uzurpuar për shkak të legjitimitetit të vet politik të munguar".

**************************

Reagon PD: Rezoluta e Asamblesë përcakton se cilat janë kushtet e negociatës

PD: Do zbatojmë rezolutën. PS të futet në Kuvend


TIRANË- Ende pa filluar zyrtarisht negociatat, bisedimet mes PD-së dhe PS-së duken tepër të vështira. Ndërsa PS-ja këmbëngul në hapjen e kutive të votimit, si rruga e vetme e hetimit të zgjedhjeve parlamentare, PD-ja në anën tjetër e kundërshton me po aq forcë, duke argumentuar se i mbetet strikte përmbajtjes së rezolutës së KiE-së, duke e vënë theksin tek domosdoshmëria e pjesëmarrjes së opozitës në Kuvend. Kryetari i delegacionit parlamentar shqiptar në Këshillin e Europës, Ilir Rusmali, deklaroi se PD-ja i përmbahet zbatimit të rezolutës.


"Rezoluta e Asamblesë përcakton se cilat janë kushtet e negociatës, se cilat janë kushtet që duhet të respektojnë palët në dialogun e tyre politik. Ne si Parti Demokratike kemi deklaruar në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë këtyre ditëve që, PD-ja është e gatshme ta zbatojë pikë për pikë këtë rezolutë, me të gjithë përmbajtjen e vet",- tha ai.


Rusmali ka marrë përsipër që të zbardhe edhe njëherë pika të rezolutës, duke i mëshuar më shumë faktit se "bojkoti i opozitës i bën reformat e nevojshme shqiptare të pamundura". "Ajo thekson se kjo situatë, situata e bojkotit dëmton popullin shqiptar dhe ambiciet e tij për integrim evropian.


Dhe ky është mesazhi i Asamblesë së KiE-së. Asambleja tregon që ndërmarrja e bojkotit ka dëmtuar seriozisht funksionimin demokratik të institucioneve shtetërore", - tha Rusmali. Sipas tij, zgjidhja duhet të vijë nga opozita teksa citoi pjesë të rezolutës se ndërmjetësimi i kreut të shtetit duhet të synojë rivendosjen dialogut politik.


Megjithatë, Rusmali nuk ka komentuar në asnjë moment rolin e kreut të shtetit, duke shmangur edhe pyetjet që kishin lidhje mbi ecurinë e negociatave PD, PS dhe Topi. "Negociata është një çështje e Presidentit të Republikës. Ne, kur thamë që jemi të gatshëm të respektojmë pikë për pikë Rezolutën,


e respektojmë dhe jemi shumë seriozë edhe në respektimin e kësaj pike. Pyetja për negociata i drejtohet autorit, njeriut që merr përsipër negociatat",- tha ai

******************

Presidenti i Republikës do të presë në zyrën e tij Montobion dhe Lohanin. Takimet e Berishës dhe Ramës ditët në vijim


Kriza, Topi, sot negociata me ambasadorët


TIRANË- Dita e sotme pritet të jetë ditë negociatash për Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Ashtu siç ishte paralajmëruar, Presidenti i Republikës do të fillojë sot negociatat jo me kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës Edi Rama, por me ambasadorë të akredituar në Tiranë.


Edhe pse nuk është e konfirmuar zyrtarisht, mësohet se zyra e kreut të shtetit do të vizitohet nga diplomatë, ku nuk përjashtohet mundësia e ambasadorit spanjoll, Manuel Montobio dhe kreut të delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan. Bisedimet mes kreut të shtetit dhe ambasadorëve të akredituar në Tiranë pritet që të jenë pikërisht në funksion të gjetjes së një zgjidhje, në një kohë ku negociatat mes dy partive duken më të vështira së kurrë.


Ndërkohe nga dy partitë kryesore politike në vend nuk është njoftuar asnjë negociatë për ditën e sotme. Përfaqësues të dy partive kryesore politike në vend mohojnë të kenë ndonjë informacion paraprak mbi mundësinë e ndonjë takimi mes krerëve të lartë të partive dhe Presidentit të Republikës.


Zyra e shtypit e kryeministrisë ka njoftuar vetëm një takim të kryeministrit Sali Berisha në qytetin e Elbasanit. Berisha do të marrë pjesë sot në inaugurimin e shkollës 9- vjeçare "Qamil Guranjaku", në Elbasan. Ndërsa nuk njoftohet asnjë takim tjetër i rëndësishëm, qofte kjo edhe me kreun e shtetit. Sipas burimeve nga kjo seli, gjithçka varet nga axhenda që do të ndjekë Presidenti i Republikës.


Në njoftimin për shtyp të pak ditëve më parë, Presidenti i Republikës, njoftonte se po ndiqte me vëmendje zhvillimet politike në vend dhe se ishte i gatshëm që të inicionte tryezën. "Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet më të fundit politike në vend, mirëpriti gatishmërinë dhe vullnetin e shprehur për dialog të Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe udhëheqësit të opozitës, Edi Rama.


Në kontekstin e ri politik, Presidenti i Republikës do të vijojë në ditët në vazhdim kontaktet paraprake të punës me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e opozitës si dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të përgatitur termat e bisedimeve, që do të zhvillohen gjatë tryezës së përbashkët", - thuhej në njoftimin për shtyp të Presidencës.


Ndërsa kreu i shtetit ka shfaqur gatishmërinë për inicimin e negociatave, vetë protagonistet e kësaj tryezë kanë bërë të qartë se kërkesat e tyre janë krejtësisht të kundërta. Kështu lideri i opozitës Edi Rama është shprehur se shkon ne tryezë për të hapur kutitë, ndërsa kryeministri i vendit, Sali Berisha e ka përjashtuar këtë kërkesë pa u ulur ende në tryezë


 

Komenti juaj

 

"Spastrime" në Ministrinë e Drejtësisë, largohen 20 punonjës

LETRA Ndërkohë që Ministri firmos largimin e punonjësve nga puna, DAP-i, merr në punë me kontrata pune 12 punonjës të...

Vlorë, u shkatërrohen shtëpitë, 30 familje në çadra

Rrëshqitjet e dheut/ Në tre fshatra të rrethit janë 55 shtëpi të shpallura të pabanuara, ndërsa një numër më i...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool