Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Edhe një herë për hapjen e kutive

Armando Subashi | 09/02/2010 | Komente | komentet 5 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Gjithmonë e më shumë mazhoranca po i qëndron me kokëfortësi idesë se kutitë nuk mund të hapen, se këtë nuk e lejon Kushtetuta, meqenëse paska një vendim gjyqësor. Përveç këtyre fjalëve, të cilat artikulohen në mënyra të ndryshme nga përfaqësues të mazhorancës, për fat të keq deri më sot nuk kemi argumente të mirëfillta juridike e profesionale nga përfaqësuesit e saj.


Edhe një pjesë e deputetëve jurist të mazhorancës nuk kanë marrë "guximin,, të bëjnë asnjë argumentim ligjor kushtetues, lidhur me ndalimin e hapjes së kutive. Në këto kushte, këtë analizë do të mundohem ta bëj jo mbi argumente konkrete të tyre, por mbi pretendimin e përgjithshëm se hapja e kutive është antikushtetuese dhe në kundërshtim me vendimin e gjykatave...?!


Ne, që në fillim kemi kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit me synimin e bërjes së transparencës së tyre, dhe jo për të ndryshuar mandatet e certifikuara nga institucionet përkatëse.


Hetimi duhet të përfshijë edhe materialet dhe fletët e votimit që ndodhen në kutitë përkatëse. Kjo kërkesë ka dy momente për t'u diskutuar nga pikëpamja ligjore.


1 - A mund të ngrihet një komision hetimor parlamentar (khp) për këtë qëllim?


2 - Nëse po, a mundet ky komision të ketë për objekt të hetimit procesin zgjedhor, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit? Besoj se pika e parë nuk është e debatueshme për palët, pasi të gjithë e pranojnë që ngritja e një khp nuk ka asnjë pengesë ligjore e kushtetuese.


Debati zhvillohet për të dytën. Në fakt të dy momentet nuk mund të ndahen nga njeri-tjetri dhe të analizohen veçmas, sepse nëse biem dakord për ngritjen e një khp dhe nuk biem dakord për objektin e hetimit, në thelb kemi rrezuar kërkesën për hetim.


Kushtetuta parashikon në nenin 77:
1. Kuvendi zgjedh nga gjiri i tij komisione të përhershme, si dhe mund të caktojë komisione të posaçme.


2. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat.


Në zbatim të këtij neni kuvendi ka miratuar një ligj me nr. 8891 dt.2.5.2002 "Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të kuvendit. Ky ligj në asnjë nen të tij nuk ka ndonjë dispozitë ndaluese për ngritjen e një komisioni për hetimin e zgjedhjeve. Mbi bazën e këtij ligji në vitin 2005 u ngrit një komision i tillë, i cili hetoi disa momente të caktuara të atyre zgjedhjeve.


Gjatë këtyre viteve përvoja e komisioneve hetimore parlamentare ka qenë e pasur në Shqipëri. Edhe Gjykata Kushtetuese është shprehur disa herë me vendime të ndryshme lidhur me të drejtën e ngritjes së komisionit hetimor të kuvendit, qëllimin, përbërjen, fushën e veprimtarisë etj.


Më lejoni të citoj një pjesë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 18 Dt.14.5.2003: "...se funksioni i ligjvënësit materializohet, nga njëra anë në miratimin e ligjeve dhe nga ana tjetër në ushtrimin e kontrollit mbi pushtetet e tjera, deri në atë masë që ky pushtet zbatohet. Kontrolli parlamentar ushtrohet edhe në kuadrin e së drejtës kushtetuese të shtetasve për të marrë informacion në lidhje me çështje të interesit publik.


Qëllimi i ngritjes së komisioneve hetimore është për të njohur dhe verifikuar në thellësi një fenomen, ngjarje, a veprimtari me synimin të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit apo korrigjimit të ligjeve të veçanta.


Pra, jo vetëm nuk ka asnjë pengesë ligjore ose kushtetuese që të bëjë të pamundur hetimin dhe zbardhjen për efekt transparence të procesit zgjedhor, por përkundrazi vetë kushtetuta e ka parashikuar në mënyrë të shprehur këtë të drejtë.


Në nenin 23 të Kushtetutës thuhet:
1. E drejta e informimit është e garantuar.


2. Kushdo ka të drejtë në përputhje me ligjin të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore.
Mbi këtë bazë, kuvendi ka miratuar ligjin nr. 8503 dt.30.06.1999 "Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare", i cili në nenin 3 të tij parashikon:


Çdo person ka të drejtë të kërkojë informacion për dokumentet zyrtare që kanë të bëjnë me veprimtarinë e organeve shtetërore... pa qenë i detyruar të shpjegojë motivet.
Autoriteti publik është i detyruar të japë çdo informacion në lidhje me një dokument zyrtar, përveç rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe.


Pra, siç shihet, e drejta e kujtdo për të kërkuar informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore është një e drejtë që është sanksionuar, jo vetëm n,e kushtetutë, por ajo është parashikuar në mënyrë më të detajuar në ligj.


Mbi këtë bazë në kërkesën e opozitës për hetim të plotë për efekt transparence nuk mund të ketë asnjë kufizim. Kjo është një e drejtë absolute e opozitës, e cila nuk mund të kufizohet.


Më lejoni të citoj përsëri një pjesë të vendimit të gjykatës kushtetuese: (nr. 20 dt.4.5.2007) "...e drejta e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor është një kompetence kushtetuese dhe e detyrueshme për t'u respektuar dhe që nuk mund të cenohet nëpërmjet vendimmarrjes së shumicës parlamentare...


" Pra, besoj që çështja është e qartë nga kjo pikëpamje, pasi gjykata kushtetuese me këto vendime ka mbyllur çdo diskutim të mundshëm. Interpretimin e shprehjes "çështje e veçantë,, që parashikohet në nenin 77 pika 2, gjykata kushtetuese e ka parë brenda konceptit të funksionit të kontrollit parlamentar dhe të së drejtës së pakicës për të përdorur këtë instrument të rëndësishëm sipas kushtetutës.


Edhe hetimi i zgjedhjeve deri në hapjen e kutive të votimit përfshihet brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe përmban në vetvete një interes publik të rëndësishëm për të thënë më i rëndësishmi.


Për rrjedhojë pretendimet e shumicës për pengesë kushtetuese ose ligjore në hetimin e zgjedhjeve dhe hapjen e kutive nuk qëndrojnë. Shkaku i vetëm është mungesa e vullnetit politik me arsyen e moszbardhjes së krimit elektoral të 28 qershorit.


Ky hetim do të ishte antikushtetues dhe antiligjor nëse do të kërkonim të zëvendësonim vendimet e gjykatës me konkluzionet e komisionit ose të kuvendit. Ne e kemi shumë të qartë këtë moment dhe parim të madh të funksionimit të shtetit, ndarjes dhe balancimit të pushteteve.


Asnjë organ shtetëror nuk mund të ndryshojë vendimet e gjykatës, qoftë ky edhe kuvendi. Nga pikëpamja formalo-ligjore ne kemi njohur rezultatin e nxjerrë nga KQZ (edhe për shkak të vendimeve gjyqësore).


Kjo është arsyeja që procesin zgjedhor në këtë kuptim ne e quajmë të përfunduar me këto ndarje mandatesh, - pavarësisht nga pretendimet tona. Nëpërmjet hetimit, ne nuk kërkojmë ndryshim të rezultatit zgjedhor, ndryshim të mandateve apo marrje të pushtetit në tavolinë.


Ne kërkojmë hetim parlamentar në kuadër të së drejtës kushtetuese të çdo individi, grupimi, shoqate apo partie për informim publik lidhur me funksionimin e institucioneve dhe transparencën e veprimtarisë e vendimmarrjes së tyre.


Brenda këtij parimi kushtetues përfshihen edhe gjykatat. Askush nuk ka pengesë ligjore që të kërkojë në gjykatë të njihet ose të marrë kopje të gjithë materialeve që mund të përmbajë një dosje penale apo civile edhe pa qenë palë në atë proces.


Pra, nga kjo pikëpamje edhe veprimtaria e gjykatave është e hapur e transparente dhe aspak e mbyllur e hermetike.


A e cenon kjo parimin e ndarjes së pushteteve? Absolutisht jo. E drejta për informim nga njëra anë dhe detyrimi për transparencë në veprimtari e vendimmarrje nga ana tjetër, është një parim kushtetues që nuk ndikon në ndarjen e balancimin e pushteteve, por përkundrazi rrit dhe forcon shtetin e së drejtës, besimin e publikut tek institucionet, në fund të fundit, rrit dhe forcon demokracinë në vend.


Komisionet zgjedhore dhe grupet e numërimit pavarësisht nga përbërja e tyre dhe mënyra e krijimit janë organe administrative të përkohshme (përveç KQZ) me detyra të përcaktuara shprehimisht në ligj.


Vendimmarrjet e tyre ndjekin shkallet hierarkike në kuptim të kontrollit nga organet më të larta administrative dhe në fund edhe në rrugë gjyqësore. Kjo është një procedurë normale e pranuar nga shumica e shteteve demokratike.


Fakti që një pjesë e kësaj vendimmarrje ankimohet në gjykatë nuk i bën ato praktika, kuti apo dosje të mbyllura për publikun, nëse ai kërkon të njihet me to.


Sigurisht vendimmarrja nuk mund të ndryshojë, por transparenca dhe e drejta për informim nuk mund të mohohen me pretendimin se kjo vendimmarrje ka kaluar nëpërmjet gjykatës.


Edhe dokumentacioni zgjedhor nuk ka asnjë ndryshim nga kjo që sapo thamë. Asnjë dokument (listë zgjedhësish, fletë votimi, proces-verbal etj.,) nuk përbën sekret shtetëror apo të prekin sigurinë kombëtare.


Në këtë pikëpamje ato, pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe certifikimit të zgjedhjeve duhet të jenë të hapura, të disponueshme dhe transparente për publikun e gjerë.


Jo vetëm partitë politike, por çdo individ, çdo shoqatë ka të drejtën ligjore të njihet me këto dokumente, me këtë vendimmarrje dhe të nxjerrë konkluzione për aspekte të caktuara të kësaj veprimtarie. Ky proces nuk prek thelbin e vendimmarrjes, nuk prek pavarësinë e institucioneve, përkundrazi rrit përgjegjshmërinë e tyre dhe forcon shtetin ligjor.


Unë kam bindjen e thellë se kërkesa jonë e kthyer tashmë në një kauzë te rëndësishme, jo vetëm për Partinë Socialiste, por për fatet e demokracisë në Shqipëri ka fituar terren, jo vetëm brenda vendit, por ngjarjet e fundit treguan më së miri se ajo tashmë përkrahet edhe nga partnerët tanë ndërkombëtarë.


Ky proces do t'i japë fund jo vetëm vjedhjes dhe manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri, por, duke vënë politikanët realisht përballë votës popullore, do të bëjë të mundur qarkullimin e elitave në politikë dhe rritjen e përgjegjshmërisë ndaj popullit.


Ne do të vazhdojmë deri në fund për realizimin e kësaj të drejte, duke shfrytëzuar çdo mjet dhe rrugë demokratike; - që nga vazhdimi i bojkotit e deri tek protestat në të gjithë Shqipërinë.


Unë personalisht ndihem me fat, që në këtë moment historik për të ardhmen e vendit, jam pjesë e Partisë Socialiste dhe e grupit të saj parlamentar, në funksion të kësaj kauze të madhe dhe të patjetërsueshme.
Shanse të tilla mund të vinë rrallë në jetë.

*Deputet i PS

 

5 KOMENTE

O Armando; po si nuk të vjen pak keq për Salih Sadamin? Tani s'ka mbet njeri pa e kuptuar se po ia hapën kutitë Salihit, ai ka cofur me të tana, e do të marrë me vehte në xhehnem të gomerëve edhe atë hamza kokëmadhin e Skraparit.Medet ç'e gjet të shkretin

I nderuar Armando!Ndonese pa ju njohur,ju
respektoj se pari si deputet i PS-se,i
forces politike me progresive ne Shqiperi.
Partia Socilaiste ka sot vizionin me te qarte e plotesisht te mundeshem per nxjerrjen e vendit nga kriza 20 vjeçare ne te cilen e ka zhytur PD-ja.
Bashkohem me plotesisht me idete, komentin dhe argumentimin ligjor qe ju i beni njeres prej çeshtjeve me te
nxehta te politikes shqiptare sot.Por
shtroj pyetjen:A kane sy ta lexojne dhe ndergjegje ta pranojne kete gje pikerisht ata qe e gatuan kete çorbe,ata qe nuk lane gje pa bere per te marre mandate te pamerituara.Besoj dhe jam i bindur se perseri,ndonese te detyruar nga nderkombetaret per uljen ne tryeze,soji i te mandatuarve "pa mandat",do te beje te pamunduren qe me pseudoargumenta te "argumentoje" te kunderten,pra mos
hetimin dhe transparencen e plote te zgjedhjeve si nje e drejte legjitime e qytetareve dhe votuesve per tu njohur me te vertetn.
Ne se Partia Socialiste do ti mbetet besnike deri ne fund kerkeses se saj duke i zene gjithe shtigjet kundershtarit politik,ajo do te dale e fituar.Ne te kundert ulja ne tryeze nuk do te justifikonte qellimin.
Edhe nje here ju faleminderit.

Sepaku te kishe mbaruar klasen e pare fillore dhe pastaj te fillosh te shkruash komente ne gazete. Ne kater rreshta keni mbi 25 gabime . Ju keshilloj te mbaroni nje kurs te mire kunder analfabetizmit dhe pastaj hyni ne internet. Partia nuk ka nevoje per njerez qe nuk dine mire shkronjat e alfabetit. Mos e injoroni kaq brutalisht "Politiken e Re". Ndihmesa jota i ben me shume keq se mire. Heren tjeter paguani nje sekretar qe t'ju shkoje puna mbare.

dhe une jam me mendimin tuaj, dhe bashkohem me juve.te hapen kutit ses ben. se shqiperia sduhet te jete pengemarese e te ashtequajtuarve"demokrat". ata sjan demokrat, se demokraci do te thot ligj dhe vetem ligj. shqiperia ka vetem ligje per te mashtruar popullin. ska dhe sduhet te ket ne qeveri me salista. vetem ata qe thojne fjalen e popullit dhe bejne per te.

sa pari je me fat qe te lejuan te marresh guximin e te shkruash

Komenti juaj

 
Komentet
 

Presidentja e pare femer per Kosta Riken

Kosta Rika zgjodhi presidenten e saj te pare femer, dhe...

Kina dhe fabrika e çokollatave

Kina ngriti siparin mbi boten e saj te mrekullive prej...

Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool