Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Ndërkombëtarët: Jemi kundër ligjit të SHISH-it

Shekulli Online | 09/02/2010 | Politike | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Ndërkombëtarët negociojnë me kryeministrin Sali Berisha që ndryshimet e reja në ligjin për SHISH-in të mos kalojnë


TIRANË - Ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror që u trumbetua jo pak nga qeveria si arritje për luftën kundër korrupsionit, nuk është pritur mirë jo vetëm nga opozita, por edhe ndërkombëtarët, ku vende anëtare të NATO-s kanë shpenzuar kohë dhe resurse për të rritur profesionalizmin e këtij shërbimi në Shqipëri.


Mësohet se diplomacia e huaj është vënë në lëvizje për të ndikuar në ndryshimin, deri edhe në ndalimin e miratimit të amendamenteve të hartuara nga qeveria, duke nisur që nga ai nen që limiton mandatin e Drejtorit të SHISH-it e deri tek ndryshimet e tjera që lidhen kryesisht me varësinë që ky institucion do të ketë ndaj kryeministrit.


Kështu në ligjin e përgatitur nga qeveria, dhe që aktualisht ndodhet në zyrat e kryesisë së Kuvendit thuhet ndër të tjera se drejtori që udhëheq punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, përveç raportit të zakonshëm vjetor, duhet që të raportojë përpara Kryeministrit në çdo kohë dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e këtij institucioni.


Ndërsa në ligjin e vjetër, kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror raportonte në Këshillin e Ministrave, si dhe te Presidenti i Republikës për problemet, që lidheshin me sigurinë kombëtare. "Drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë, dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij", - thuhet në nenin 5 të ligjit të ndryshuar.


Kompetencat e kreut të qeverisë mbi këtë institucion shkojnë edhe më tej, kur shërbimi shqiptar mund të kërkojë të hetojë mbi shërbimet e huaja. Shërbimit Informativ Shtetëror nuk i lejohet të mbledhë informacion mbi shërbimet e inteligjencës së vendeve të tjera, pa marrë më parë miratimin e Kryeministrit.


Gjithashtu, po në ndryshimet e kryera në këtë ligj, Kryeministri është ai që jep miratimin ose jo nëse Shërbimi Informativ i Shtetit mund të vendosë marrëdhënie bashkëpunimi me vendet e tjera për realizimin e objektivave të tij.


Amendamentet sa më sipër, sipas diplomatëve të huaj, rrezikojnë të cenojnë profesionalizimin e shërbimit sekret dhe ta vënë atë nën një ndikim të pastër politik. Ndërkohë, në shtesat e kryera në ligjin e ndryshuar mandati i drejtorit të Shërbimit Informativ bëhet 5 vjet dhe me të drejtë riemërimi vetëm një herë, ndërkohë që më parë nuk përcaktohej afati i qëndrimit në krye të SHISH-it.


Një pikë kjo që më sa duket nuk është mirëpritur nga ndërkombëtarët, pasi drejtori aktual i SHISH-it, Bahri Shaqiri, gëzon mbështetje mes ndërkombëtarëve, të cilët e shohin me jo pak dyshim çdo tentativë për shkarkimin apo zëvendësimin e tij.


Ndryshe nga ligji i vjetër, për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it merret edhe mendimi i Komisionit Parlamentar për sigurinë kombëtare që vepron pranë Kuvendit të Shqipërisë.


"Me propozimin e Kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare", - thuhet në nenin 5/1 të shtuar në këtë ligj. Ndryshimet në ligj parashikojnë gjithashtu edhe hetimin e personave publikë.


Duke futur si element hetimin e personave publikë parashikohet që një nga detyrat parësore të SHISH-it është mbledhja, zbulimi e parandalimi i krimit të organizuar si dhe rastet e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike.


Një pikë kjo, që nëse keqinterpretohet, për ekspertët e huaj, juridikisht dhe politikisht, përkthehet si e dyshimtë. Për pasojë, ndërkombëtarët kanë nxituar të ushtrojnë ndikim mbi qeverinë shqiptare për të rimarrë në konsideratë ndryshimet.


Ambasadorët e Komisionit Europian e të Spanjës, Lohan dhe Montobio, si edhe ai amerikan Uidhers kanë zhvilluar javën e kaluar takime me kryeministrin Berisha, me të cilin janë diskutuar edhe kundërshtitë e tyre për këtë ligj. I pyetur nga "Shekulli" për të komentuar këto takime, një zëdhënës i ambasadës së SHBA-së deklaroi: Qeveria amerikane konsultohet rregullisht me qeverinë e Shqipërisë mbi një gamë të gjerë çështjesh.


Ne nuk komentojmë hollësi të këtyre diskutimeve. Lidhur me projektligjin për shërbimin informativ, është një çështje me rëndësi që meriton të shqyrtohet me kujdes dhe durim. Shqyrtimi duhet të marrë parasysh aspiratat euro-atlantike të Shqipërisë dhe detyrimet e saj si një aleat i NATO-s"

Ndryshimet dhe shtesat e kryera dje në ligjin për ligjin nr. 8391 datë 28.10.1998, "Për Shërbimin Informativ të Shtetit"

Neni 3

Shërbimi Informativ i Shtetit ka për detyrë:

a) Të mbrojë sigurinë kombëtare, në veçanti, mbrojtjen kundër kërcënimeve nga spiunazhi, terrorizmi dhe sabotazhi, si dhe nga veprimet që synojnë përmbysjen e sistemit të demokracisë parlamentare;
b) Të mbledhë informacion për prodhimin, trafikimin e armëve e të lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe për krimet kundër mjedisit;
c) Të mbledhë informacion për njohjen, zbulimin, parandalimin e krimit të organizuar, të kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe për korrupsionin e personave që ushtrojnë funksione publike;
ç) Të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe të agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, për parandalimin e krimeve të rënda;
d) Të mbledhë, me miratimin e Kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera;
dh) Të mbrojë sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve dhe të pasurisë, me mjete të përshtatshme, përfshirë verifikimin dhe kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve;
e) Të certifikojë personat, sipas përcaktimeve ligjore;
ë) Të kryejë veprimtari mbështetëse tekniko - administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme.


Shërbimi Informativ i Shtetit, për realizimin e funksioneve të mësipërme, ruan raporte të drejta, ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut.
Ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë parimet bazë të punës së Shërbimit Informativ të Shtetit


Neni 2

Neni 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

Neni 5


Shërbimi Informativ i Shtetit drejtohet nga drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili është përgjegjës për:

a) operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kontrollin e tyre;
b) efikasitetin e Shërbimit Informativ të Shtetit;
c) sigurimin e çdo informacioni, në përputhje me qëllimin dhe funksionet e Shërbimit Informativ të Shtetit;
ç) garantimin se Shërbimi Informativ i Shtetit nuk ndërmerr veprime në interes të ndonjë partie politike;
d) garantimin e zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara me palët e treta;
e) informimin dhe raportimin te Presidenti i Republikës dhe te Kryeministri për probleme, që lidhen me sigurinë kombëtare.

Drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë, dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij.


Sipas përcaktimeve të Kryeministrit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit raporton edhe në Këshillin e Ministrave.


Neni 3

Pas nenit 5 shtohet neni 5/1, me këtë përmbajtje:

Neni 5/1

1. Me propozimin e Kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.


Drejtori qëndron në detyrë për një mandat 5 - vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë.


2. Me propozimin e Kryeministrit, Presidenti i Republikës emëron zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.


3. Zëvendësdrejtori është në varësi të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryen detyrat e ngarkuara prej tij. Ai e zëvendëson drejtorin, në rastet kur ky i fundit ndodhet jashtë vendit ose kur mungon në detyrë për arsye shëndetësore, për një periudhë jo më shumë se tre muaj.


4. Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, për efekt të trajtimit financiar, ka status të njëjtë me ministrin, ndërsa zëvendësdrejtori ka status të njëjtë me zëvendësministrin.".


Neni 5


Paragrafi i tretë, i nenit 9, ndryshohet, si më poshtë vijon:

"Shërbimi Informativ i Shtetit, në funksion të realizimit të detyrave të tij, mund të bashkëpunojë, me miratimin e Kryeministrit, me shërbime informative të vendeve të huaja"

 

Komenti juaj

 

I moshuari digjet nga furnela elektrike

TIRANË- Digjet aksidentalisht me furnelën elektrike i moshuari në momentet që po ngrohej në banesën e tij. Isa Tafa,...

Pesë grabitje në një orë, në kryeqytet

Grabitësit sulmuan një pikë lojërash fati, një pikë këmbimi valutor një argjendari dhe një lojtar kumari në kryeqytet Në fshatin...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool