|
|
Berisha dhe Rama do të ulen në një tryezë të shtunën në Presidencë. Palët nuk ndryshojnë qëndrim.
"Presidenti i Republikës vendosi që të thërrasë tryezën politike, ditën e shtunë më 13 shkurt në orën 11.00"
TIRANË - Tryeza e bisedimeve PS-PD, ku do të tentohet që të gjendet zgjidhja për krizën politike në vend do të mblidhet ditën e shtunë.
Kreu i Shtetit, Bamir Topi, ka mundur dje që nëpërmjet edhe ndihmës së ambasadorëve të huaj në Tiranë, të bind dy liderët politikë në vend, kreun e mazhorancës, Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama që të ulen në datën 13 shkurt në orën 11:00 në tryezën e tij në Presidencë, për të diskutuar mbi mundësitë e gjetjes së një kompromisi që do t'i jepte fund ngërçit politik, që ka mbërthyer politikën shqiptare prej më shumë se shtatë muajsh.
Takimi
Pas një dite të ngjeshur me takime dhe telefonata në funksion të koordinimit të tryezës për zgjidhjen e krizës, ashtu siç edhe rekomandon rezoluta e Këshillit të Europës, Presidenti i Republikës Bamir Topi ka mundur dje që (përmes bisedave telefonike)
të lërë parimisht një takim me kryetarët e dy partive më të mëdha në vend, kreun demokrat Sali Berisha dhe atë socialistë Edi Rama.
Një fakt i tillë është konfirmuar dje nga vet zyra e shtypit e kreut të shtetit, e cila në një njoftim të shkurtër për mediat ka bërë të ditur datën dhe orën e saktë kur dhe është programuar të mbahet ky takim.
"Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vendosi që të thërrasë tryezën politike, ditën e shtunë më 13 shkurt 2010, në orën 11:00, në Selinë e Presidentit, në vijim të takimeve të sotme me Kreun e Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ambasadorin Helmut Lohan, me Ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, me Ambasadorin e SHBA-së në vendin tonë, Xhon Uithers II, si dhe pas kontakteve me Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama", - thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Presidentit në internet.
Por përveç faktit të mësipërm nga presidenca nuk mësohet asgjë më shumë në lidhje me detajet e kësaj tryeze, pavarësisht se nga dy forcat kryesore politike konfirmohet se deri më tani nuk është përcaktuar asgjë, veç vullnetit që kanë shprehur krerët e tyre për tu ulur për të biseduar tek presidenti.
Kutitë
Pavarësisht konfirmimit që ka marrë Presidenti nga dy protagonistët e politikës shqiptare, suksesi i bisedimeve duket i vështirë. Kjo për faktin se palët në këtë debat nuk pranojnë që të heqin dorë nga qëndrimet e tyre të shprehura publikisht edhe më parë lidhur me hapjen e kutive të votimit.
Edhe dje, këto dy forca kanë bërë të qartë nga selitë e tyre respektive se i mbeten qëndrimeve të shprehura më parë. Kështu, socialistët vlerësojnë si të panegociueshme kërkesën për hapjen e kutive të votimit, ndërsa mazhoranca nga ana tjetër e konsideron atë diçka absolutisht të pamundur për tu realizuar.
Çka do të thotë se negociatat mes palëve pritet të zgjasin, megjithëse burime nga dy partitë e mëdha, bëjnë të ditur se çdo gjë i është lënë tryezës së kryetarëve. Një gjë e tillë bëhet edhe më e besueshme për vet faktin se kryeministri Sali Berisha në mes javës do të largohet për një vizitë jashtë vendit për tu kthyer posaçërisht për takimin e së shtunës.
Tryeza e parashikuar për tu mbajtur të shtunën do të jetë një mundësi për të zgjidhur krizën para se në vend të vijë komiteti presidencial i Këshillit të Europës, i cili gjithashtu do të investohet për këtë çështje, me një paketë propozimesh.
GËRDECI Një grup hetuesish të Prokurorisë mbërritën dje në vendin e shpërthimit, ku kryen kqyrjen e mjetit saldues me vendim...
ELBASAN/ Kujtim Qamili është ndaluar nga policia, ndërsa për të është vendosur masa "arrest shtëpie" ELBASAN - "Raporti i fundit"...
Lajmet 08 Shkurt - Ora 13 -
data/08-02-2010
Lajmet 08 Shkurt - Ora 12 -
data/30-08-2008
Lajmet 08 Shkurt - Ora 11 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Komenti juaj