Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

PS: Berisha të ulet pa kushte PD: PS po lexon keq rezolutën

B.Quku | 09/02/2010 | Politike | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

PD-ja dhe PS-ja nuk pranojnë kushtet e njëra - tjetrës. Deputeti i PS-së, Saimir Tahiri, tha se PD-ja duhet të ulet pa kushte. Ndërsa PD-ja fajëson Ramën për negociatat


TIRANË - Megjithëse Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vendosur të ulë në tryezën e bisedimeve krerët e partive politike për të zgjidhur krizën politike në vend, qëndrimet e tyre vazhdojnë të jenë të tendosura.


Përmes deputetëve dhe zëdhënësve të partive, si Partia Socialiste ashtu edhe ajo Demokratike me deklaratat e tyre kanë lënë të kuptohet se, nuk po arrijnë në një pikëtakim midis tyre.


Edhe pse të dyja forcat kryesore politike shprehen të gatshme për t'u ulur në tryezën e Presidentit Topi, asnjëra prej tyre nuk po lëshon nga pretendimet e formuluara, që prej mbarimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit.


Gjithashtu, nga ana tjetër, edhe ndërhyrja e komunitetit ndërkombëtar nuk ka arritur që të krijojë mundësinë e një marrëveshjeje paraprake midis krerëve të mazhorancës dhe opozitës, para se këta të fundit të ulen në tryezën e bisedimeve të Presidentit Topi, që pritet të mbahet këtë fundjavë.


Partia Socialiste këmbëngul në kërkesën e saj për hapjen e kutive të votimit, ndërsa mazhoranca pretendon se kjo kërkesë shkel vendimet e gjykatave dhe se ajo nuk do të jetë pjesë e negocimit politik.


Sipas deputetit të Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, Kryeministri Berisha, po anashkalon tryezën e bisedimeve duke u justifikuar, se cenohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Sipas Tahirit, ky veprim i kreut të mazhorancës nuk e zgjidh krizën politike.


"Vetë tryeza e dialogut, të cilën Sali Berisha vazhdon ta anashkalojë me pretekste që në të vërtetë nuk kanë të bëjnë as me Kushtetutën e as me Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, nuk zgjidh përfundimisht as krizën e demokracisë e shtetit ligjor, as krizën institucionale e as krizën ekonomike, por vetëm i hap rrugë zgjidhjes përfundimtare duke vendosur në themel garantimin e votës së lirë", - tha dje Tahiri. Në emër të PS-së, ai kërkoi që PD-ja të futet në negociata pa kushte.


"Tashmë në fund të karrierës së tij politike, i bëjmë thirrje Kryeministrit Sali Berisha të lërë xhirot e dimrit e lojërat me topa bore, të ulet pa kushte absurde në tryezën e dialogut e të bëjë gjithçka është e mundur për t'i hapur rrugë zgjidhjes së krizës politike dhe institucionale, krizës së demokracisë e shtetit të së drejtës, si dhe krizës ekonomike e sociale që po mbyt shqiptarët dhe sipërmarrjen private", - tha ai.


Nga ana tjetër, Partia Demokratike, e cila zotëron edhe pushtetin, reagoi duke theksuar se mazhoranca është e gatshme për të mbështetur tryezën e bisedimeve me kreun dhe mbështet aspektet kryesore të Rezolutës së Këshillit Europian.


Sipas zëdhënëses së PD-së, Erla Mëhilli, pretendimet se Kryeministri Berisha kërkon të anashkalojë tryezën e negociatave kanë të bëjnë me keqleximin e Rezolutës së KiE-së nga ana e opozitës. "Mazhoranca aktuale mbështet pikë për pikë Rezolutën e Këshillit të Europës dhe është e gatshme për shndërrimin e të gjitha kërkesave të saj në realitet.


Pretendimet e Partisë Socialiste se Berisha kushtëzon tryezën te Presidenti, janë thjesht një formë për të maskuar interpretimin kokëposhtë të Rezolutës së KE, sikur ajo përfaqëson një dokument që shpërblen bojkotin, - u shpreh ajo.


Me gjithë kundërshtitë e forcave politike për të mos negociuar kushtet e njëra -tjetrës, ajo që do të vendosë nëse do të zgjidhet ngërçi politik apo jo në vend do të jetë ulja në tryezën e Presidentit më 13 shkurt të liderëve kryesorë në vend, Sali Berishës dhe Edi Ramës.


Erla Mëhilli


"Mazhoranca aktuale mbështet pikë për pikë Rezolutën e Këshillit të Europës dhe është e gatshme për shndërrimin e të gjitha kërkesave të saj në realitet. Pretendimet e Partisë Socialiste se Berisha kushtëzon tryezën te Presidenti, janë thjesht një formë për të maskuar interpretimin kokëposhtë të Rezolutës së KE, sikur ajo përfaqëson një dokument që shpërblen bojkotin"

*****************************

Presidenti i Republikës zhvilloi dje takime të veçanta me Uidhersin dhe dy ambasadorët Lohan dhe Montobio

Kriza, Topi negociata me ambasadorët

TIRANË - Nevoja e zgjidhjes së krizës politike në vend, që prej zgjedhjeve të fundit parlamentare, ka rritur veprimin politik të komunitetit ndërkombëtar të akredituar në Tiranë.


Përplasja politike midis mazhorancës dhe opozitës dhe pamundësia e deritanishme për të negociuar kushtet e njëra-tjetrës midis tyre, ka shtyrë përfaqësuesit e huaj që të negociojnë edhe ata kësaj here me Presidentin e Republikës, i cili është mandatuar për të drejtuar negociatat mes krerëve të dy partive PD e PS.


Kreu i shtetit, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim pa praninë e mediave me ambasadorin e Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan dhe ambasadorin e Spanjës, Manuel Montobio de Balanse, si dhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Xhon Uidhers. Takimet midis ambasadorëve dhe Presidentit Topi janë zhvilluar në intervale kohore të ndryshme.


Në orën 12:40 të ditës së djeshme, Topi priti në Presidencë ambasadorin spanjoll, Manuel Montobio dhe atë të KE-së, Helmut Lohan. Ndërsa vetëm 50 minuta më pas, kreu i shtetit u takua me ambasadorin amerikan Uidhers. Takimi që u zhvillua me dyer të mbyllura ka pasur si temë diskutimi zgjidhjen e krizës politike dhe ndërhyrjen e Presidentit për të thirrur në një tryezë të përbashkët Kryeministrin Sali Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama.


Sipas njoftimit për shtyp, të selisë së Presidencës theksohet se në këtë takim, ambasadorët e kanë konsideruar, rolin e Presidentit Topi si mjaft të rëndësishëm në zgjidhjen e ngërçit politik, si dhe domosdoshmërinë e thirrjes së një tryeze politike për të negociuar midis liderëve të forcave kryesore politike, për të dalë nga situata aktuale ku ndodhet Shqipëria.


"Këto takime, në të cilat u inkurajua roli kyç i Presidentit si moderator, u organizuan në kuadrin e vazhdimit të konsultimeve të kreut të shtetit me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar nën frymën e rekomandimeve të rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe qëndrimeve të Bashkimit Europian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri.


Gjatë takimeve u diskutua mbi rëndësinë dhe nevojën e mbajtjes së tryezës së dialogut mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, nën moderimin e Presidentit Topi, në përpjekje për t'i kontribuar normalizimit të klimës politike dhe rivendosjes së dialogut parlamentar", - thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës.


Rezoluta e miratuar disa ditë më parë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës sanksiononte qartë se Presidenti duhet të ushtrojë pushtetin e tij kushtetues për të ulur dy krerët e partive politike në tryezën e bisedimeve. Ndërsa Bashkimi Europian nga ana tjetër përmes ambasadorit spanjoll në Shqipëri, Montobio i bëri të qartë politikës shqiptare që të zgjidhë sa më parë krizën politike, pasi BE-ja nuk mund ta pranojë Shqipërinë në këtë gjendje.

 

Komenti juaj

 

Oficerët e Avokatët, ekzaminojnë saldatriçen e shpërthimit

GËRDECI Një grup hetuesish të Prokurorisë mbërritën dje në vendin e shpërthimit, ku kryen kqyrjen e mjetit saldues me vendim...

Kryeministri: Këtë vit nis rruga Elbasan-Tiranë

Berisha tha se trajtimi, pagat dhe trajnimi i mësuesve janë shtyllë e reformës që po ndërmerr qeveria në arsim Nga...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool