Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

BE: Tryeza Rama -Berisha, presim rezultate

A.P | 12/02/2010 | Politike | komentet 5 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Sipas Presidencës së BE-së, bllokimi i tanishëm politik duhet të tejkalohet nga udhëheqja politike shqiptare, duke marrë parasysh të gjitha pasojat e vazhdimit të këtij bllokimi për interesat kombëtare


TIRANË - Nisma e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për të ulur në një tryezë kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama, është mirëpritur dje edhe nga Presidenca e Bashkimit Europian, përmes një deklarate zyrtare.


Në qëndrimin e saj, Presidenca e BE-së i bën thirrje klasës politike shqiptare që të gjeje një zgjidhje me qellim zhbllokimin e situatës politike në vend.


"Bashkimi Europian mirëpret nismën e Presidentit Topi për të mbajtur një takim me Kryeministrin Berisha dhe kreun e Partisë Socialiste, z. Rama, dhe mirëpret përgjigjet pozitive nga të dy liderët për të marrë pjesë në takim dhe të marrin në konsideratë së bashku mënyrat për të lëvizur përpara sa më shpejt të jetë e mundur", - thuhet në njoftimin për shtyp të BE-së.


Bashkimi Europian rikonfirmon perspektivën e saj për Shqipërinë dhe inkurajon veprime për të siguruar se Shqipëria mund të marrë hapa të mëtejshëm në këtë proces.


"Në këtë kontekst, bllokimi i tanishëm politik duhet të tejkalohet nga udhëheqja politike shqiptare, duke marrë parasysh të gjitha pasojat e vazhdimit të këtij bllokimi për interesat kombëtar", - thuhet në deklaratë. Qëndrimi i Presidencës së BE-së vjen një ditë para zhvillimit të tryezës së Presidentit të Republikës, tryezë e cila ka si qellim gjetjen e një zgjidhjeje për krizën politike në vend.


Deklaratat e ndërkombëtarëve kësaj here kanë qenë në unison të plotë, ndërkohë që kanë mbështetur pa rezerva nismën e vetë kreut të shtetit. Dy ditë më parë, reaguan po përmes qëndrimit zyrtar edhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë, si dhe ajo e OSBE-së.


Përmes qëndrimeve të tyre zyrtare, ambasadorët Uidhers dhe Bosh mbështetën plotësisht përpjekjet e Presidentit të Republikës për të ndërmjetësuar bllokimin e vazhdueshëm të situatës politike. Si ambasada e SHBA-së ashtu edhe ajo e OSBE-së shprehen besimin se një tryezë e tillë do të ofronte mundësi për zgjidhjen e asaj që ata e cilësuan ngërç politik.


Në fillim të javës, pas negociatave të zhvilluara edhe me ambasadorët, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, njoftoi përmes një deklarate zyrtare se do të thërriste tryezën politike, ditën e shtunë në orën 11.00. Vendimi i Presidentit erdhi edhe pas kontakteve telefonike, që ai kishte zhvilluar me kryetarin e PS-së, Edi Rama dhe kryeministrin, Sali Berisha.


Ambasadori i KE-së, Helmut Lohan, flet për situatën politike

Lohan: Mirëpresim nismën e Presidentit Topi

Kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ambasadori Helmut Lohan, konfirmoi dje gjatë një takimi të zhvilluar në Vlorë, mbështetjen për nismën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për një tryezë mes Berishës dhe Ramës, në funksion të daljes nga kriza politike, që ka përfshirë vendin.


"Komisioni Europian, që, përmes komisionerit Stefan Fyler, po ndjek situatën në Shqipëri, e mirëpret nismën e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për tryezën e rrumbullakët, ku po shikon përpjekjet e të dy palëve për të marrë në konsideratë gjetjen e një zgjidhjeje për të dalë nga situata", - tha Lohan, i cili ishte i pranishëm në një simpozium të zhvilluar dje në mjediset e Universitetit "Ismail Qemali", të Vlorës, me temë "Europa mes meje dhe teje".


Ai theksoi se janë udhëheqësit politik në Shqipëri, që duhet të gjejnë një zgjidhje dhe, sipas tij, "do ta bëjnë padyshim, në funksion të së ardhmes së Shqipërisë dhe integrimit të saj evropian". Për Ambasadorin Lohan, integrimi i Shqipërisë në BE, varet jo vetëm nga përpjekjet që do të bëhen në këtë drejtim, por edhe nga përshpejtimi i këtyre përpjekjeve. Ai ju referua ndër të tjera edhe parlamentit shqiptar, të cilin momentalisht e cilësoi mosfunksional.

*****************************

Gjatë takimit u diskutua për tryezën e ardhshme politike mes pozitës dhe opozitës,

Nesër tryeza, Topi konsultohet me Bosh

TIRANË - Tryeza politike që do të mbahet ditën e nesërme midis liderëve të forcave politike, Rama e Berisha, për zgjidhjen e krizës politike në vend, ka shtuar edhe konsultimet e Presidentit të vendit, Bamir Topi me faktorin politik ndërkombëtar.


Kreu i shtetit priti dje në Presidencë shefin e OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh. Sipas njoftimit për shtyp të Presidencës, bëhet e ditur se Robert Bosh vlerësoi rolin e Presidentit Topi në zgjidhjen e ngërçit politik në vend, duke i ofruar atij edhe rolin e OSBE-së për funksionimin e parlamentarizmit në Shqipëri.


"Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti sot Shefin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Robert Bosh, në kuadër të konsultimeve që Kreu i shtetit po zhvillon në prag të tryezës politike së të shtunës.


Në këtë takim u diskutua për tryezën e ardhshme politike mes pozitës dhe opozitës, të cilën Presidenti Topi vendosi ta thërrasë ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010. Nga ana e tij, Ambasadori Bosh shprehu edhe njëherë vlerësimin për rolin e Presidentit Topi duke e siguruar njëkohësisht atë për të gjithë gatishmërinë e OSBE-së për të ofruar përvojën dhe asistencën e saj në rifunksionimin e suksesshëm të demokracisë parlamentare shqiptare", - thuhet në njoftimin për shtyp.


Kreu i OSBE-së i shtohet listës së konsultimeve të Presidentit Topi, pas atyre me ambasadorin spanjoll Manuel Montobio, ambasadorin e Komisionit Europian, Helmut Lohan, ambasadorin Uidhers dhe ambasadorin gjerman Bernd Bochardt.


Në prag të mbajtjes së tryezës së bisedimeve duket që Presidenti për të luajtur rolin e tij në administrimin e negociatave e ka pasur të nevojshme që të konsultohet me pjesën më të rëndësishme të komunitetit ndërkombëtar në vend.


Ndërkaq, në orën 11:00 të paradites së nesërme, me ndërmjetësimin e Presidentit Topi, do të ulen në tryezën e bisedimeve Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës, Edi Rama, për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës politike që vazhdon që pas zgjedhjeve të fundit parlamentare.

*********************************


Rama merr mbështetjen e PSE-së. Socialistët europianë e konsiderojnë iniciativën e marrë nga Topi si një hap të nevojshëm drejt gjetjes së një zgjidhjeje

PSE: Hetimi i zgjedhjeve të përfshijë hapjen e kutive

TIRANË - Për herë të parë nga Parlamenti Europian përcillet një kërkesë konkrete për qeverinë shqiptare, ajo e hapjes së kutive të votimit. Janë socialistët evropianë që kërkojnë transparencë të plotë të zgjedhjeve parlamentare të 28 Qershorit.


Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka marrë mbështetjen e drejtuesve të lartë të grupit socialist e demokrat në Parlamentin Europian, të cilët kanë dhënë si zgjidhje të krizës pikërisht hapjen e kutive të votimit. Mbështetja për kauzën e opozitës ka ardhur si nga Presidenti i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, Martin Shultz, ashtu edhe nga nënkryetari i grupit, Hanes Svoboda.


Svoboda


Hanes Svoboda, pas takimit të zhvilluar më kreun e opozitës, Edi Rama, ka deklaruar se opozita duhet të kthehet në Kuvend, ndërsa qeveria duhet të garantojë hapjen e kutive për të parë të vërtetën.


"Mendoj se do të ishte mirë që opozita të kthehej në parlament... ky ka qenë gjithmonë opinioni ynë, por në të njëjtën kohë, do të ishte mirë që qeveria të vepronte. Qeveria duhet të veprojë dhe të thotë, dakord, le të kemi transparencë të plotë. Ne si qeveri e pranojmë që opozita e njeh rezultatin e zgjedhjeve.


Kjo është vendosur dhe këtë e ka thënë dhe gjykata. Por, në të njëjtën kohë qeveria duhet të jetë e gatshme të tregohet e hapur dhe transparente, duke përfshirë dhe transparencën e kutive, të kutive të votimit, sepse kjo do të tregonte realisht se kush ka të drejtë kur thotë që ka pasur hile apo nuk ka pasur fare hile.


Duke qenë se na nevojitet paqja dhe stabiliteti në vend dhe vetëm nëse opozita kthehet në parlament dhe në të njëjtën kohë qeveria mbështet hapjen, sinqeritetin dhe transparencën, mund të vendosen themelet e një dialogu të frytshëm në të mirën e vendit", - tha Svoboda.

Rama


Nga ana e tij, kryetari i PS-së, Edi Rama, ka theksuar se transparenca është vlerë e patjetërsueshme e demokracisë perëndimore.


"Sot ne jemi në pikën ku kemi gjetur një mirëkuptim të shkëlqyer me miqtë dhe partnerët tanë të PSE-së, për të vazhduar një proces hetimi dhe për të garantuar transparencën e plotë përfshirë edhe hapjen e kutive, në një proces ku do të angazhohet një Komision Hetimor Parlamentar, duke kthyer opozitën në Parlament, duke vazhduar së bashku në rrugën e reformave dhe të integrimit të Shqipërisë në Europë.


Ne jemi gati të kthehemi në Parlament, sapo të garantohet vullneti për transparencë të plotë të zgjedhjeve të shkuara, për të garantuar zgjedhjet e ardhshme.


Sapo të garantohet se objekti i hetimit është i pakufizuar dhe përfshin dhe hapjen e kutive, duke bërë jo që të kemi një përmbysje të rezultatit në tavolinë, por që përmes nxjerrjes në dritën e diellit të të gjithë problemeve të zgjedhjeve, t'i japim fund një sistemi korrupsioni elektoral dhe të hapim një rrugë të re për Shqipërinë", - tha Rama.


Shultz


Garancia për transparencë të plotë të zgjedhjeve u dha edhe nga Presidenti i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian, Martin Shultz, gjatë takimit të zhvilluar me një delegacion të Partisë Socialiste të kryesuar nga Kryetari i PS-së, Edi Rama.


Shultz dhe kryetari i opozitës, Edi Rama, ranë dakord që një rrugë-dalje për krizën politike aktuale në Shqipëri duhet të gjendet urgjentisht dhe se një bazë e re dialogu konstruktiv ndërmjet qeverisë dhe opozitës duhet të vendoset.


Për këtë qëllim u ra dakord që opozita të kthehet në Parlament në të njëjtin moment, pasi të jetë marrë një vendim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, përfshirë hapjen e kutive të votimit, mbi mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet parlamentare të vitit 2009.


Ky hetim duhet të sigurojë transparencë të plotë si një bazë për përmirësime të rëndësishme për mënyrën se si do të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme, me qëllim përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.


Ekspertë ndërkombëtarë duhet të asistojnë komisionin hetimor në përmbushjen e punës së tij dhe duhet gjithashtu të asistojnë në përcaktimin e përmirësimeve të nevojshme të kuadrit zgjedhor. Schultz dhe Rama e konsideruan iniciativën e marrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë si një hap serioz dhe i nevojshëm drejt gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike në vend.


Po dje, kryetari i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar edhe nga disa deputetë të tjerë socialistë, ka zhvilluar një takim edhe me eurodeputetin e grupit të djathtë të PE, (PPE) Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit për Marrëdhëniet me Europën Juglindore.


Eurodeputeti Kukan ka zëvendësuar Doris Pack në këtë delegacion. Edhe gjatë këtij takimi, Rama u shpreh se PS-ja kërkon transparencë dhe jo pushtet në tavolinë.

 

5 KOMENTE

TRYEZA E KETYNE U BE SI THENJA E NASTRADINIT,PRIT GOMAR TE MBI BAR,BARI MBIU GOMARI NGORDHI.

TRYEZA E KETYNE U BE SI THENJA E NASTRADINIT,PRIT GOMAR TE MBI BAR,BARI MBIU GOMARI NGORDHI,

Kutite e votimit nuk jane prone e qeverise dhe aq me pak te Sali Berishes.Ato administrohen nga institucione te pamvarura keshtu qe opozita tja kerkoje pikerisht ketyre institucioneve hapien e kutive.Berisha ngaterohet kot ne kete pune qe nuk e ka ne komp

Megjithese fitoj kandidati I mbeshtetur nga Rusia, BE nuk eshte e interesuar qe te krijohet nje krize e radhes ne Ukraine, sepse rrezikohet sovraniteti territorial I Ukraines. Prandaj neser kompromisi do gjendet, por jo hapje kutish.

Rezultatet e takimit do te jene pozitive, per arsye se vete BE nuk eshte e interesuar ne hapjen e kutive, sepse nqs do te hapen ne Shqiperi kutite atehere do te kekrohet nje hapje kutish edhe ne Ukraine nga Julia Timoshenko, gje qe destabilizon situaten.

Komenti juaj

 

Policët e Burgjeve kryeministrit: S'marrim pagesat

BURGJET Grupi i Togës së Shoqërimit të Burgjeve prej 15 muajsh nuk kanë marrë pagesat për punën e realizuar jashtë...

"Serial killeri": Kam vrarë familjen, dua të vdes

Rrëfimi i vrasësit serial nga Librazhdi: Si vrava familjen time. Arrestohet e dashura që e kishte ndihmuar në krime ELBASAN-...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool