|
|
Për të gjetur një zgjidhje të pranueshme, diskutimi i projektligjit për SHISH-in në komisione është shtyrë
Në komisionin e Sigurisë ka mbërritur amendamenti që do të propozohet për të arnuar projektligjin për SHISH-in
TIRANË - Reagimi i opozitës, por më shumë presioni i faktorit ndërkombëtar i përfaqësuar edhe në vendin tonë ndaj qeverisë për ndryshimet e propozuara në ligjin për Shërbimin Informativ Shtetëror duket se ka dhënë efektin e vet.
Qeveria është tërhequr nga tentativa e saj për të rritur influencën dhe kontrollin mbi shërbimin sekret dhe në projektligjin e paraqitur për miratim në Kuvend pritet të bëhen një sërë rregullimesh, me anë të të cilave do të synohet që të qetësohen edhe partnerët ndërkombëtar që në vite kanë sponsorizuar jo pak për modernizimin dhe për të rritur profezionalizmin e këtij shërbimi.
Burime pranë qeverisë dhe komisionit parlamentar të Sigurisë Kombëtare kanë bërë të ditur se tashmë ka mbërritur në Kuvend amendamenti që do të propozohet për të arnuar projektligjin në fjalë, sipas rekomandimeve që kanë dhënë edhe të huajt në takimet e fundit që kanë zhvilluar me përfaqësues të qeverisë.
Megjithëse nuk konfirmohet se nga cilat prej pikave të projektligjit është tërhequr shumica qeverisëse, nga reagimi i përfaqësive të huaj dhe opozitës duket se shqetësimi më i madh i tyre ka të bëjë pikërisht me ato pika ku dhe zgjerohen kompetencat e kreut të qeverisë ndaj këtij shërbimi dhe konkretisht ndaj drejtorit të tij.
Kështu, në ligjin e përgatitur nga qeveria, dhe që aktualisht ndodhet në zyrat e kryesisë së Kuvendit thuhet ndër të tjera se drejtori që udhëheq punën e Shërbimit Informativ Shtetëror, përveç raportit të zakonshëm vjetor, duhet që të raportojë përpara Kryeministrit në çdo kohë dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e këtij institucioni.
Ndërsa në ligjin e vjetër, kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror raportonte në Këshillin e Ministrave, si dhe te Presidenti i Republikës për problemet, që lidheshin me sigurinë kombëtare. "Drejtori i SHISH-it i paraqet Kryeministrit një raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton atij, në çdo kohë, dhe për çdo çështje, që lidhet me veprimtarinë e tij", - thuhet në nenin 5 të ligjit të ndryshuar.
Kompetencat e kreut të qeverisë mbi këtë institucion shkojnë edhe më tej, kur shërbimi shqiptar mund të kërkojë të hetojë mbi shërbimet e huaja. Shërbimit Informativ Shtetëror nuk i lejohet të mbledhë informacion mbi shërbimet e inteligjencës së vendeve të tjera, pa marrë më parë miratimin e Kryeministrit.
Gjithashtu, po në ndryshimet e kryera në këtë ligj, Kryeministri është ai që jep miratimin ose jo nëse Shërbimi Informativ i Shtetit mund të vendosë marrëdhënie bashkëpunimi me vendet e tjera për realizimin e objektivave të tij.
Amendamentet sa më sipër, sipas diplomatëve të huaj, rrezikojnë të cenojnë profesionalizimin e shërbimit sekret dhe ta vënë atë nën një ndikim të pastër politik. Kështu, për të gjitha këto ndryshime të paraqitura në projektligj qeveria duket se ka reflektuar dhe gjatë diskutimit të tij në komisione pritet të bëhen propozimet konkrete, të cilat do të paraqiten nga deputetë të ndryshëm si amendime personale.
Nuk përjashtohet mundësia që në komision të paraqesë propozime për ndryshime edhe vet SHISH. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur para disa ditësh vet kreu i komisionit të Sigurisë Kombëtare, Leonard Demi, i cili ka pohuar se pritet dhënia e mendimit edhe prej drejtorit të këtij institucioni.
Pikërisht për të gjetur një zgjidhje që do të kënaqte shqetësimin e ndërkombëtarëve, diskutimi i projektligjit në komisione është shtyrë. Në shtesat e kryera në ligjin e ndryshuar propozohet gjithashtu që mandati i drejtorit të Shërbimit Informativ të bëhet 5 vjet dhe me të drejtë riemërimi vetëm një herë, ndërkohë që më parë nuk përcaktohej afati i qëndrimit në krye të SHISH-it.
Një pikë kjo që më sa duket nuk është mirëpritur nga ndërkombëtarët, pasi drejtori aktual i SHISH-it, Bahri Shaqiri, gëzon mbështetje mes ndërkombëtarëve, të cilët e shohin me jo pak dyshim çdo tentativë për shkarkimin apo zëvendësimin e tij.
***************************
Ngritja e një instituti për viktimat bazohet në ligjin "Për pastërtinë figurës" që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese
"Dosjet", Qeveria ngre institut kundër vendimit të Kushtetueses
TIRANË - Zbulimi i varrit masiv në malin e Dajtit me eshtrat e 19 personave të ekzekutuar gjatë sistemit komunist ka nisur të përdoret qartazi nga mazhoranca për qëllime politike, jo vetëm për të goditur kundërshtarin, por edhe për të zhvendosur vëmendjen nga kriza që ka përfshirë klasën politike shqiptare si pasojë e bojkotit që i ka bërë opozitë Kuvendit.
Pikërisht në kulmin e këtij debati, mazhoranca e djathtë ka nxjerrë nga sirtarët dy projektligje që për të gjithë opinionin publik, por edhe për atë vet, thuajse ishin harruar dhe që trajtojnë, njëri krijimin e institutit të studimeve të krimeve dhe pasojave të komunizmit në Shqipëri dhe një i dytë që ka të bëjë me krijimin e simboleve të përkujtimit të krimeve të kryera gjatë atij sistemi.
Por, problemi nuk qëndron në faktin se këto dy projektligje janë futur në kalendarin e punimeve të komisioneve parlamentare plot një vit, pasi ato janë paraqitur nga qeveria (të dy projektligjet mbajnë si datë miratimi 14.01 2009 dhe datë të protokollimit në Kuvend 22.01.1009), por tek kundërvënia që i bëhet nëpërmjet draftit "Për krijimin e institutit të studimeve të krimeve dhe të pasojave të komunizmit në Shqipëri" vlerësimeve të dhëna nga Komisioni i Venecias dhe të vendimit më të fundit të marrë nga Gjykata Kushtetuese për rrëzimin e ligjit të shumëdebatuar "Për verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve".
Kjo pasi krijimi i një instituti të tillë që parashikohet nga projektligji që i propozohet Kuvendit për miratim, bazohet tërësisht tek ligji "Për pastërtinë figurës" apo i njohur ndryshe si ligji i dosjeve, i konsideruar nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues.
Pikërisht ky ligj parashikonte në dispozitat e tij edhe ngritjen e një instituti të tillë, për funksionimin e të cilit një vit më parë qeveria hartoi dhe projektligjin që tani rifutet në rendin e punimeve të Kuvendit.
Por, për shkak të ankimimit që i bëri në atë kohë opozita ligjit të lustracionit në Gjykatë Kushtetuese, shumica qeverisëse u detyrua që të ngrijë procedurat e miratimit të projektligjit "Për krijimin e institutit të studimeve të krimeve të komunizmit".
Por tashmë që Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin e saj për ligjin bazë, atë të dosjeve, mazhoranca në kundërshtim me këtë verdikt, e ka futur atë për shqyrtim në komisione. Kjo përbën një shkelje pasi edhe vet nenet e këtij drafti i referohet ligjit të rrëzuar të dosjeve.
Kështu, neni 7 i këtij projektligji nder të tjera parashikon që anëtarë të bordit drejtues të institutit "nuk mund të zgjidhen ata persona që janë objekt i lustracionit, sipas ligjit 22.12.2008 për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve".
Por nuk mjafton vetëm referenca ligjore, pasi drafti i propozuar është i hartuar tërësisht në frymën e ligjit të dosjeve, duke filluar që nga objekti i punës, përbërja, verifikimi i dosjeve, publikimi i të dhënave të grumbulluara në internet, botimi në periodikë të ndryshëm etj.
Në projektligj përcaktohet se institute që parashikohet të ngrihet do të jetë një institucion kërkimor, publik, i pavarur, i cili ka mision që të studiojë, të dokumentojë, të botojë dhe të bëjë të njohura për shoqërinë e më gjerë krimet dhe pasojat e komunizmit. Pra, misioni i këtij instituti bie ndesh me vendimmarrjen Gjykatës, e cila ka vlerësuar disa nga këto detyra si të papranueshme.
*********************
SHISH, Lutaj: Ndryshimet bëhen për të hequr Shaqirin
TIRANË - Partia Socialiste shprehet sërish kundër ndryshimeve të propozuara së fundi nga qeveria për ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Sipas deputetit të kësaj force politike, Piro Lutaj, ndryshimet e propozuara në ligjin për SHISH-in, janë kryer me tendencën për të ndryshuar kryetarin aktual, Bahri Shaqiri.
Lutaj vë në dukje se në këtë draft të ri, ndryshimet thelbësore kanë të bëjnë me zgjerimin e kompetencave të këtij institucioni, që mbledh të dhëna për interes të Kryeministrit të vendit, si dhe në raportimin para tij për çdo gjë dhe në çdo kohë.
"Thelbi i ndryshimit të këtij ligji, është thjesht çështja e ndryshimit të kryetarit të SHISH-it, i cili është aktualisht. Ndryshimi i ligjit në fjalë ka pësuar ndryshim fondamental. Ndryshimet konsistojnë në disa ndryshime thelbësore.
Së pari, mund të themi se janë zgjeruar kompetencat e SHISH-it për grumbullimin e të dhënave, që i interesojnë kryeministrit dhe për gjëra që kryeministri do t'i kontrollojë në çdo kohë", - tha Lutaj në një intervistë për "A1" Tv.
Sipas deputetit të "selisë rozë", ndryshime të tilla që lidhen me elementët e sigurisë kombëtare, siç është përgjimi i strukturave të ministrisë së Financave, si edhe cenimi i kodit të procedurës penale nëpërmjet ligjit për "Policinë Gjyqësore" do të hasin gjithnjë në kundërshtimin e opozitës, për të mos lejuar, sipas tij, që të cenohen të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
"Ndryshimet e ligjit "Për SHISH", apo ndryshime të ligjeve të tjera që kanë të bëjnë me elementë të sigurisë kombëtare, siç është dhënia e të drejtës së përgjimit të strukturave të ministrisë së Financave, nëpërmjet ndryshimit që iu bë Ligjit "Për përgjimet" ose cenimi i kodit të procedurës penale, nëpërmjet ndryshimeve të pritshme të Ligjit "Për Policinë Gjyqësore", do të jenë objekt qëndrese dhe kundërshtie nga PS-ja në veçanti, dhe opozita në përgjithësi për të mos lejuar cenimin e të drejtave të qytetarëve nga pushtetet e pakufizuara e të grabitura ditën dhe natën nga mazhoranca e sotme", - u shpreh ai.
Vetëm gjatë një viti janë trefishuar rastet e gjobëvënieve. Prokuroria: Kemi ulje të trafikut të njerëzve dhe armëve TIRANË- Prokuroria...
Artan Osmani largohet nga drejtimi i Policisë Rrugore të kryeqytetit dhe në vend të tij vjen Fatos Kokalari. Krenar Ahmeti...
Lajmet 10 Shkurt - Ora 12 -
data/10-02-2010
Lajmet 10 Shkurt - Ora 11 -
data/30-08-2008
Lajmet 10 Shkurt - Ora 10 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Komenti juaj