Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Violinat "Stradivarius", lufta e Sigurimit të Shtetit për t'i zotëruar

Mark Brunga | 08/03/2010 | Shoqeri | komentet 7 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Dy prej violinave të mjeshtrit të madh kanë qenë edhe në Shqipëri, por ndërkohë të dyja nuk dihet se ku ndodhen. Për njërën prej tyre Sigurimi i Shtetit këshilloi nisjen e negociateve me Greqinë, pas vjedhjes që iu bë


Dokumentet flasin se edhe në Shqipëri ka pasur persona që zotëronin një vegël muzikore të rrallë, e cila përbën edhe sot një ndër objektet antikuare me vlera shumë të mëdha e mjaft të lakmuara në ankandet e vendeve perëndimore me potencial të madh ekonomik.


Për violinën Stradivarius në Shqipëri flitet në dy raste.
Thuhet se violina e parë e mjeshtrit të madh Antonio Stradivari ka ardhur që në kohët e Mehmet Ali Pashës.


Ajo kishte rënë në duar të nipit të tij, Adil Serezit, ish-latifondist dhe bashkëpunëtor i mbretit Zog, i dënuar me 15 vjet burgim pas çlirimit të vendit. Në librin autobiografik të Nazif Bezhanit, "I mallkuari i Noes", autori shpjegon se si ndodhi që pronari i violinës së rrallë ishte arrestuar dhe dënuar. Bezhani shpjegon në librin e tij se Adil Serezin çlirimi i vendit e kishte gjetur të ndarë nga gruaja e tij që banonte në Sofje dhe se ai për të jetuar kishte filluar që të punonte si bahçevan në Universitetin e Tiranës.


Një ditë atë e takon Fecorr Shehu, drejtor i Sigurimit të Tiranës, dhe i thotë: "Jam i dërguar nga Mehmet Shehu dhe kjo dorë që po të jap, është dora e shokut Mehmet. Ai është i informuar mirë që ti ke një violinë "Stradivarius" dhe pasuri të tjera jashtë shtetit. Ne kërkojmë që ato t'ia falësh shtetit dhe ne do të mendojmë për jetën tënde..."


Adil Serezi, sipas Bezhanit, kishte mbetur i shtangur, pa e ditur si të përgjigjej. Ishte e vërtetë që ai kishte një trashëgimi të tillë, por atë nuk e dinte askush veç tij dhe së shoqes, që tani banonte jashtë shtetit...


Historiku i violinës së Serezit


Ajo violinë e rrallë, shkruan Bezhani, i ishte dhuruar gjyshit të Adilit kur ishte guvernator në Egjipt, nga ana e Napoleon Bonapartit, dhe ai ia kishte lënë trashëgim djalit të tij të adoptuar, Ali Serezit, që ishte babai i Adilit.


Përfundimisht, ajo mbeti nën zotërimin ligjor të Adilit, i cili e ruante me kujdes në banesën e tij jashtë shtetit. Atë violinë e kishin parë edhe shumë antikuarë dhe kishin kërkuar për ta blerë, duke dhënë çmime fantastike, por ai nuk e kishte dhënë, sepse nuk kishte nevojë për para dhe se e ruante kujtim nga babai. Për këtë ai iu përgjigj Fecorr Shehut: "Nuk mund t'jua jap se e kam kujtim nga babai!"


Persekutimi


Menjëherë pas përgjigjes kundërshtuese që dha ndaj kësaj çështjeje, u përgatit akuza për bashkëpunim me Zogun dhe shumë shpejt iu komunikua dhe vendimi i dënimit. Ky ish-milioner dhe zotërues i një vegle të çmuar muzikore, tani ishte katandisur për mëshirë... Nuk dihet më tej fati i kësaj violine që mbeti në Bullgari dhe që historikisht rrënjët e saj si objekt i rëndësishëm historik shtriheshin deri tek Napoleon Bonaparti.


Dokumentet sekrete të Sigurimit të Shtetit për familjet korçare
Violina "Stradivarius", trafikimi për në Greqi

Sigurimi i Shtetit Shqiptar arriti të dokumentonte në pranverën e vitit 1991 trafikimin drejt Greqisë së një violine të prodhuar nga mjeshtri i madh Antonio Stradivari. Në një dokument të klasifikuar si sekret, Sektori i Sigurimit në Degën e Punëve të Brendshme në qytetin e Korçës informonte Degën e Tetë të Drejtorisë së Parë se "violina është e vitit 1716 me mbishkrimin "Antonius Stradivarius" dhe se ishte blerë gati një shekull më parë nga Sotir Polena. Shkresa mban datën 24 maj të vitit 1991 dhe është e regjistruar me numër 615.


Në krye është shkruar lënda "Mbi tregtarin grek Leonidha Kapuranin". Pikërisht ky tregtar i huaj ka qenë, siç e vërtetojnë edhe dokumente të tjera, nën vëzhgimin e rreptë të syrit të Sigurimit. Arsyet ishin dy: propaganda që ai bënte kundër regjimit komunist dhe interesi i tij i veçantë për objektet e rralla e të çmuara.


Pronarja e violinës


Personi tjetër që është mbajtur nën vëzhgim, ishte mjekja Ida Polena, e cila ishte njëkohësisht pronare e violinës së çmuar, e konsideruar pjesë e trashëgimisë kulturore. Sipas raportit, pazaret për blerjen e "mallit" ishin përfunduar që në Korçë, ndërsa Leonidha Kapurani i kishte siguruar Ida Polenës dhe Anesti Bellos vizë greke për të përfunduar gjithçka në shtetin fqinj.


Në 24 prill të vitit 1991 Ida Polena së bashku me motrën, kunatin, mbesën dhe burrin e mbesës (Aleksandër Kolë Gjoni) kanë dalë nga vendkalimi kufitar i Kakavijës dhe kanë marrë rrugën për në Janinë.


Pasi ndenjën të gjithë bashkë për dy ditë në kryeqendrën e Greqisë së Veriut, të afërmit e saj u shpërndanë në Greqi, ndërsa mjekja Ida Polena qëndroi për të vazhduar negociatat me Leonidha Kapuranin.


Vetë Ida ka shpjeguar përpara policisë shqiptare se, me gjithë këmbënguljen e Kapuranit, ajo nuk pranoi ta shesë violinën dhe pas presioneve të shumta e detyrojnë të rikthehet në Shqipëri.


Grabitja


Por, ndërsa kthehej drejt Korçës, pa dalë ende nga toka greke, Ida Polena sulmohet nga dy persona të armatosur e të maskuar.


Në deklarimet e saj në polici ajo ka treguar se nuk kishte mundur dot të identifikonte personat që i morën me forcë violinën e çmuar, ndonëse dyshimet e saj ishin për personat që i kishin kërkuar me këmbëngulje ta shiste. Pas kësaj ngjarjeje, policia greke nisi hetime të thelluara, të bindur se ndodheshin përballë një veprimtarie të organizuar.


Në raportin e policisë sekrete shqiptare thuhet se Sigurimi nuk i besonte tërësisht versionit të servirur nga Ida Polena. Sipas thënieve të saj, ajo vetëm në Greqi ka marrë vesh vlerën e violinës, pasi një mik i Kapuranit i ardhur nga Gjermania ka kërkuar ta blejë me 300 mijë marka.


Por vetë punonjësit e Sigurimit shprehen të bindur në raport se marrëveshja për shitjen është realizuar që në Korçë dhe nuk dihet pse Polena ka ndërruar mendje në çastin e fundit duke vendosur mos ta shesë.


Më 13 maj të vitit 1991 mediat greke bëjnë të ditur se Leonidha Kapurani dhe dy bashkëpunëtorë të tij ishin arrestuar si pjesëtarë të një bande kontrabandistësh. Ndër të tjera, atyre iu sekuestrua edhe violina "Stradivarius", e cila i përkiste familjes korçare Polena dhe që përbën një pasuri kombëtare me vlera të pallogaritshme.


Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Korçës, Qamil Lamaj, i rekomandonte dikasterit të veprohej në bazë të rregullave ndërkombëtare, duke i kërkuar shtetit grek rikthimin e kësaj pasurie kombëtare të sekuestruar. Hetimet për këtë ngjarje kanë vazhduar në të dyja anët e kufirit, por violina shqiptare mbeti në Greqi...


"Telemetri", agjenti që informoi mbi violinën

Në pranverën e vitit 1991 gjithçka po ndryshonte në Shqipëri, ndërsa Sigurimi i Shtetit vazhdonte të ishte një makineri e përkryer në informacionin e grumbulluar me format dhe metodat agjenturore që përdorte. Në një dokument të nxjerrë nga arkivat e këtij institucioni famëkeq raportohet me hollësi për veprimtarinë e një tregtari grek në qytetin e Korçës.


Sapo ishin hapur kufijtë me botën dhe Leonidha Kapurani, emigrant në Gjermani, vlleh etnik me pasaportë greke (sipas informacionit rezervat të sigurimit) kishte ardhur për vizitë në Shqipëri.


Tregtari Kapurani, sipas raportit të firmosur nga kryetari i Degës së Punëve të Brendshme në Korçë, kishte ndërmarrë një tur vizitash në qytetet e Durrësit, Sarandës, Gjirokastrës dhe Korçës.


Në shkresën me numër 443 të datës 29 mars të vitit 1991, bëhet edhe biografia e Kapuranëve. Sigurimi i Korçës njoftonte Degën e tetë të Drejtorisë së Parë se vëllai i tregtarit, Ilia Kapurani, ishte pushkatuar në vitin 1964 si agjent i zbulimit grek, por në Degën e Punëve të Brendshme të Korçës nuk kishte dosje për tregtarin në fjalë dhe kërkohej koordinim veprimesh me Tiranën.


Njëkohësisht në shkresë përmendet raporti i bashkëpunëtorit të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin "Telemetri", i cili njoftonte se Leonidha Kapurani, nëpërmjet nipit të tij, Alekos, grumbullon ikona dhe florinj për t'i trafikuar në Greqi.


Ndërsa në lidhje me propagandën kundër regjimit komunist, janë mbledhur dëshmitë e të paktën dy personave, që citohen me emër të plotë në raport. Gjithashtu, Sigurimi raportonte edhe për vëzhgimin e jashtëm që i ishte bërë tregtarit, duke përmendur lidhjet e tij me shoferin e Parkut të Mallrave, Paulin Leka, dhe mjeken e dalë në pension, Ida Polena.


Dokumenti që po u paraqitet lexuesve tregon se si Sigurimi i Shtetit luftoi deri në rënien e llogores së fundit... por violina kishte mbetur tashmë jashtë gardhit shtetëror të Shqipërisë.


 

7 KOMENTE

une nuke di se sa violina te tilla ka por di qe policia gjermane ka sekustruar nje violin "Srtadivari qe po shitej nga nje serb dhe nje gabel nga Kosova i cili vari veten perpara denimit!ne gjitha gazetat gjermane i ishte vene rendesi e madhe violines me nje cmim te papare,dhe vete Hjduti kerkonte ne internet nje shume prej 700000 euro,por qe kishte kontaktuar me blersin qe ishte Polic!Violina eshte sekuestruar nga policia Gjermane ne rrugen Limmer str,Hannover ,dhe te gjitha gazetat shkruajten per kete aksion policor!UNE SHPRESOJ QE SHTETI SHQIPETARE DUHET QE TE KERKOJE NGA GJERMANIA PASURINE SHQIPETARE,POR JO TA MARRE DHE TA SHESE PER VETE GJE QE ESHTE NORMALE TEK SHTETI QE KEMI NE!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

Une mendoj se volina i takon familjes qe eshte pronare e saje. Nuk eshte pasuri kombetare, por pasuri private e familjes Polena. Asaj i takon ta shese dhe ta bleje atje ku e shikon te arsyeshme. C'lidhje ka shteti me pronen e familjes Polena. Shteti po te doje, bujrum t'ja bleje dhe ta ruaje ne tunelet e Krrabes...

More Dritan po s'e di ti qe pasurite kombetare ju meren shqiptareve dhe me tej pervetesohen nga politikanet ne fuqi? Po si ajo more Dritan: NE EMER TE POPULLIT, dhe vrisnin ke te desh qeveria moniste e Enverit. Populli eshte nje koncept abstrakt, si nje mize pa koke, kush e p..erth popullin skiptar?
Ala ke ura mor z.Dritan, se sheh sa flori i vidhet skiptareve dhe skiptaret flejne gjume?
R.Selmani.

Nuk eshte here e pare qe nga atdheu yne dalin objekte te cilesis se vecant .
Une jam i bindur qe sigurimi e grabiti vijolinen . edhe me bezdis fakti pse e lejoj zonjen POLENA te kalonte kufirin kur e dinin per obejektin qe posedonte z Polena. Ede tregtari grek eshte karremi i gjthe kesaj loje .

Nuk eshte hera e pare qe objekte te tilla
dalin jasht atheut ton.Por lind pyetja
a eshte e vertet qe [sigurimi] eshte ai qe i mbron keto objekte me cilsi te vecant. Apo i perdor per qellime personale.Me duket si nje rruge pa krye.

eshte pasuri kombetare pasi do ja vjedhin prape ne shqiperi pasardhesit e sigurimsave.sic po vjedhin dhe shkaterrojne kishat shqiptare e monumentet e tjera te kultures, me objekte te rralla mbi 400 vjecare.asnje prej ketyre hajduteve cuditerisht nuk kapet

Nje gje nuk po kuptoj dot!
"violina "Stradivarius", e cila i përkiste familjes korçare Polena dhe që përbën një pasuri kombëtare me vlera të pallogaritshme"
Pse violina eshte papritmas pasuri kombetare? dhe jo pasuri e familjes Polena?

Komenti juaj

 

Udhëzimi, ja normat e reja të punës mësimore dhe edukative

Ministria e Arsimit me anë të një udhëzimi ka përcaktuar normat mësimore të stafit pedagogjik parauniversitar. Ja të gjitha normat...

Financimi i universiteteve, MASH nis debatin publik

Skema e re, nëse nuk plotësojnë kriteret e cilësisë rrezikojnë të mbyllen edhe universitetet publike Modeli kilian i financimit të...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool