|
|
Mazhoranca qeverisëse jo vetëm vendos nën kontrollin e saj Shërbimin Informativ Shtetëror, por përcakton afate për zgjedhjen e drejtorit të ri
TIRANË - Mazhoranca qeverisëse vendos nën kontrollin e saj Shërbimin Informativ Shtetëror. Shumica e djathtë ka miratuar dje pa praninë e opozitës dhe në një seancë të mbyllur për mediat, ndryshimet në ligjin "Për Shërbimin Informativ Shtetëror", duke lënë si pjesë të draftit që do t'i paraqitet tashmë seancës plenare, thuajse pjesën më të madhe të dispozitave që përcaktojnë varësinë dhe kontrollin direkt të aktivitetit të këtij shërbimi nga Kryeministri.
Drafti i integruar edhe me amendamentet e SHISH-it dhe që ka marrë votën e komisionit të ligjeve pavarësisht se ka më shumë nene nga projektligji fillestar i paraqitur nga qeveria, përmban në vetvete thuajse të pandryshuar pikat që përcaktojnë detyrat e këtij shërbimi, ku natyrisht mbeten edhe kompetencat dhe të drejtat që ka kreu i qeverisë, si ndaj drejtorit ashtu edhe ndaj veprimtarisë së tij.
Pavarësisht modifikimeve, që i është bërë draftit fillestar, në projektligj ka mbetur thuajse e pandryshuar varësia që i krijohet këtij shërbimi nga kreu i qeverisë, pa pëlqimin e të cilit SHISH-i nuk mund të ndërmarrë thuajse asnjë hap në realizimin e misionit të vet, që natyrisht është siguria kombëtare.
Në nenin 3 të ligjit ekzistues të SHISH-it shtohen një sërë pikash dhe në ndryshim nga drafti fillestar, projektligji i integruar ka pësuar vetëm një spostim të renditjes së detyrave që ka shërbimi inteligjent shqiptar, por që në të vërtetë nuk prekin pikat më të nxehta për të cilat gjatë këtyre ditëve ka pasur një kundërshtim të fortë si nga opozita ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar.
Kështu sërish në këtë draft përcaktohet se SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme.
Madje, në krahasim me projektligjin e qeverisë tashmë drafti i integruar shkon edhe më tej në këtë drejtim pasi sanksionon se procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit tek kryeministri përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, çka rrit edhe më varësinë dhe kontrollin e këtij institucioni nga ekzekutivi.
Një ndryshim që mund të konsiderohet pozitiv për sa i përket detyrave të SHISH-it është se ai do të mbledhë informacion në shërbim të zbulimit apo parandalimit të krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe korrupsionit të personave, që ushtrojnë funksione publike, vetëm kur ky korrupsion cenon sigurimin kombëtar.
Gjithashtu, në krahasim me variantin e mëparshëm projektligji i ri nuk përmban dhe një pikë tepër të kontestuar dhe që përcaktonte mbështetjen që SHISH duhet të jepte veprimtarisë së forcave policore në parandalimin e krimeve të rënda. Por ajo që duket se i vë kapakun gjithë projektligjit dhe që nga opozita është kritikuar fortë është përkufizimi që i bëhet mandatit të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH në 5 vjet.
Por sikur të mos mjaftonte me kaq në projektligj është bërë dhe një përcaktim kohorë për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të ri, procedura të cilat duhet të përfundojnë brenda dy muajve të parë nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Me këtë ndryshim duket qartë se drejtori aktual i SHISH, i cili ka qenë i pranishëm gjatë seancës së djeshme dëgjimore në Komisionin e Ligjeve ka pranuar dhe kapitullimin e tij, pasi me hyrjen në fuqi të këtyre ndryshimeve ai do të duhet të lërë postin që mban për t'i hapur rrugë një garë të re për kreun e ri, ku natyrisht nuk përjashtohet as ai të kandidojë.
Draftit përfundimtar i janë shtuar dhe një sërë amendimesh të tjera, të cilat kanë ardhur si propozime të SHISH-it dhe që kanë kryesisht karakter teknik, siç është edhe ai që i jep të drejtën punonjësve të SHISH për të marrë informacion nga autoritetet shtetërore, qendrore ose lokale dhe nga personat fizikë e juridikë, përfshirë dhe shfrytëzimin e regjistrave, bazave të të dhënave, dokumentacionit zyrtar, etj.
Ndërkohë që më parë, në çelje të seancës së djeshme kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri, duke shpjeguar zanafillën e këtyre ndryshimeve ka kërkuar ndër të tjera edhe siguri me ligj për operacione që shërbimi kryen nëpërmjet atyre që ai i cilësoi si "struktura ilegale".
*******************
Me të zeza janë ndryshimet e bëra në krahasim me draftin fillestar
PROJEKTLIGJ
Nr. ______ datë ________2010
PËR
DISA NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 8391, DATË 28.10.1998 "PËR SHËRBIMIN INFORMATIV TË SHTETIT", I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozim të Këshillit të Ministrave,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998 "Për Shërbimin Informativ të Shtetit", i ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
Neni 1
Neni 2, paragrafi i parë, ndryshohet si vijon:
"Shërbimi Informativ i Shtetit ka për mision të sigurojë informacionin e domosdoshëm, nga jashtë dhe brenda vendit, për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar."
Neni 2
Neni 3 ndryshohet si vijon:
" Neni 3
Shërbimi Informativ i Shtetit kryen detyrat e mëposhtme:
a) Mbledh informacion dhe kryen veprimtari zbulimi për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, në funksion të sigurimit kombëtar;
b) Mbledh informacion dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues;
c) Mbledh informacion për terrorizmin, për individë, grupe apo organizata që mbështesin e financojnë atë;
d) Mbledh informacion për prodhimin, trafikimin e armëve, e lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe krimeve kundër mjedisit;
e) Mbledh informacion që i shërben zbulimit apo parandalimit të krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike kur ky korrupsion cenon sigurimin kombëtar;
f) Mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve, të aseteve dhe të teknikës me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve.
g) Kryen certifikimin e personave (Vetting), sipas përcaktimeve përkatëse ligjore;
h) Kryen veprimtari mbështetëse tekniko - administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme.
SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të Kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme. Procedurat për raportimin dhe marrjen e pëlqimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për realizimin e funksioneve të mësipërme, Shërbimi Informativ i Shtetit, ruan raporte të drejta ndërmjet nevojës së sigurimit të informacionit të domosdoshëm dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Ligjshmëria dhe objektiviteti janë parimet bazë të punës së Shërbimit Informativ të Shtetit.
Shërbimi Informativ i Shtetit ruan sekretin lidhur me burimet, identitetin e bashkëpunëtorëve, metodat e punës si dhe informacionin e klasifikuar sekret shtetëror, në përputhje me legjislacionin në fuqi."
Neni 3
Neni 5 ndryshohet si vijon:
" Neni 5
Shërbimi Informativ i Shtetit drejtohet nga Drejtori, i cili është përgjegjës për:
a) veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kontrrollin e saj;
b) mbarëvajtjen e Shërbimit Informativ të Shtetit;
c) garantimin që çdo informacion të disponohet vetëm brenda qëllimit dhe funksioneve të Shërbimit Informativ të Shtetit;
d) garantimin se Shërbimi Informativ i Shtetit nuk ndërmerr veprime të cilat kanë për qëllim t'i shërbejnë, apo t'i sjellin përfitime ndonjë partie politike;
e) garantimin e zbatimit të marrëveshjeve ndërinstitucionale;
f) informimin dhe raportimin te Presidenti i Republikës dhe te Kryeministri, për probleme qe lidhen me sigurimin kombëtar.
Drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH.
Me kërkesë të Kryeministrit, Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, raporton edhe në Këshillin e Ministrave."
Neni 4
Pas nenit 5, shtohet neni 5/1 me përmbajtjen si vijon:
" Neni 5/1
Me propozim të Kryeministrit, Presidenti i Republikës, emëron dhe shkarkon drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar, Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.
Me propozim të Kryeministrit, Presidenti i Republikës, emëron dhe shkarkon zëvendësdrejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit. Për kandidaturën e propozuar Kryeministri merr mendimin e Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare.
Drejtori dhe zëvendësdrejtori qëndrojnë në detyrë për një mandat 5-vjeçar, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Procedura për emërimin në detyrë fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit përkatës.
Zëvendësdrejtori është në varësi të drejtorit të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryen detyrat e ngarkuara prej tij. Zëvendësdrejtori zëvendëson drejtorin kur mungon në detyrë, por jo më shumë se tre muaj.
Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit, për efekt të trajtimit financiar ka status të njëjtë me atë të ministrit, ndërsa zëvendësdrejtori ka status të njëjtë me atë të zëvendësministrit.
Neni 5
Paragrafi i katërt, i nenit 7, shfuqizohet.
Neni 6
Neni 9 ndryshohet si vijon:
"Neni 9
Në përmbushje të detyrave të përcaktuara në paragrafin e parë të nenit 3, Shërbimi Informativ i Shtetit e vë informacionin e nevojshëm në dispozicion të organeve të Policisë së Shtetit apo agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, sipas kompetencës dhe pa cenuar veprimtarinë e tij.
SHISH informon institucionet kompetente edhe kur çmon se informacioni në dispozicion të tij është i nevojshëm për zbulimin ose parandalimin e veprave penale dhe kur kjo nuk cenon veprimtarinë e tij.
Shërbimi Informativ i Shtetit nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor."
Neni 7
Në nenin 13, paragrafi i katërt ndryshohet si vijon:
"Punonjësit e SHISH për përmbushjen e detyrave në funksion të sigurimit kombëtar, kërkojnë informacion nga autoritetet shtetërore, qendrore ose lokale dhe nga personat fizikë e juridikë, përfshirë dhe shfrytëzimin e regjistrave, bazave të të dhënave, dokumentacionit zyrtar, etj. Drejtuesit dhe punonjësit e autoriteteve shtetërore, personat juridike dhe fizikë, përmbushin kërkesat e punonjësve të autorizuar nga Drejtori i SHISH. Në këto raste punonjësit e SHISH duhet të identifikohen, duke paraqitur dokumentin zyrtar të identifikimit dhe autorizimin përkatës.
Neni 8
Në përmbajtjen e ligjit bëhen zëvendësimet si vijon:
a) fjalët "Shërbimi Informativ Kombëtar" zëvendësohen me fjalët "Shërbimi Informativ i Shtetit"
b) fjala "SHIK" zëvendësohet me fjalën "SHISH"
c) fjalët "Kuvendi Popullor" zëvendësohen me fjalët "Kuvendi i Republikës së Shqipërisë".
Neni 9
Dispozitë kalimtare
Në zbatim të nenit 5/1 të këtij ligji , Drejtori dhe zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit emërohen në detyrë brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji. Në ndryshim nga neni 5/1 i këtij ligji zëvendësdrejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit herën e parë ka një mandat 3 vjeçar.
Neni 10
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Avni Kita, 46 vjeç, punonjës i Urdhrit të Mjekut, u gjet i vetëvarur dje në mëngjes në oborrin e spitalit...
PRETENCA Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë konkluzioneve të saj kërkoi dënimin e dy të akuzuarve të mbetur të grupit...
Lajmet 01 Mars - Ora 12 -
data/01-03-2010
Lajmet 01 Mars - Ora 11 -
data/30-08-2008
Lajmet 01 Mars - Ora 10 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Kush ka veshe degjon,kush ka sy shikon,cdo gje mund te jete sali berisha por shqiptar jo. kjo eshte shume e vertete dhe ai qe i mungonte e gjeti ne mes te Skraparit, sa do ti eci ta shohim, shqiperia ne rrezik sigurishte qe keto jane mendime shkurte.
çeshtje nuk i tha te gjitha. Te presim hapin e Berishes nen petkun e reformatorit. Do te kemi zhvillime interesante?!...
Per te shpene sihariqin Beogradit se Berisha eshte ne rruge te mbare?! Atehere SHISH yni eshte ne udhekryq. Nuk eshte me sekret por lakuriq fare. Amerikani me siguri e ka nje arsye per shqetesimin e tij. Natyrisht ne koferencen e tij per shtyp per kete
u zgjuan rrufeshem per mos u miratur ndryshimi. Kush ia kerkoi kete levizje Berishes?! Ku ka deshtuar SHISH ne vitet e fundit qe Berisha kembengul te marr kontrollin ne dore?! Perse duhej kjo levizje e Metes ne keto çaste per te shkuar deri ne Beograd?!
pikpamja organizative e profesionale. Perse i kerkoi ndryshimet Sali Berisha ne kete moment?! Ne 1997 Berisha eshte akuzuar si agjent i serbit e me vone kjo lloj akuze ka rene ne heshtje. Pikerisht qe tani Berisha kerkon kontrollin e SHISH, amerikanet
Amerikanet e kane kundershtuar ne menyre te vullnetshme ndryshimet per kete ligj. Me lindin disa pyetje:
Eshte thene se sherbimi yne sekret ka raporte shume te ngushta me ate amerikan dhe ky i fundit ka ndihmuar per reforminin e sherbimit tone nga