Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Nxënësit e shkollës profesionale, protestë për koeficientin e Fakultetit Ekonomik

Gj.Neçaj/Y.Lezo/K.Thanasi | 11/03/2010 | Kronike | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

ELBASAN - Nxënësit e shkollës profesionale "Ali Myftiu" në degën ekonomi-banka dhe tatim-sigurime kanë vendosur të protestojnë para Fakultetit Ekonomik të Elbasanit për korrigjimin e koeficientit të vendosur për shkollat profesionale nga ky fakultet.

Nxënësit kanë kërkuar që profili i tyre natyror të vlerësohet me koeficientin maksimal 1,4 si në të gjitha universitetet e tjera, dhe jo 1,2 që nuk i jep atyre mundësinë të vazhdojnë profilin e lartë ekonomik.


Të rinjtë i kanë nisur një peticion rektorit të Universitetit të Elbasanit dhe Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre, koeficienti mund të ndryshojë vetëm nëse këtë e bën dekani i Fakultetit Ekonomik.

Pasi kanë zhvilluar një takim me dekanin Albert Delimeta, të rinjtë kanë kërkuar një takim me Ministrin e Arsimit. Vetë dekani Delimeta iu ka shpjeguar nxënësve se koeficienti 1,2 është vendosur për të gjitha shkollat profesionale dhe ai nuk mund të bëjë një përjashtim për shkollën "Ali Myftiu".


Ai tha se niveli i ulët i shkollave profesionale ka bërë që të vendoset ky koeficient. "Fakulteti Ekonomik, - tha ai, - është një fakultet i kërkuar dhe do të përzgjedhë edhe studentët më të mirë.

Ky fakultet ka vendosur koeficientin 1,4 për gjimnazet në profilin natyror. Ndërkohë, të rinjtë pasi kanë dëgjuar shpjegimet e dekanit, kanë vendosur t'i drejtohen fillimisht rektorit dhe më pas ministrit të Arsimit. Ata kërkojnë ndryshimin e koeficientit për shkollën profesionale me profil ekonomik nga Universiteti i Elbasanit.

*********************


FIER
Buxheti i pamiratuar, zyrtarë të OSBE-së, takim me kryebashkiakun


FIER - Buxheti i bashkisë Fier për vitin 2010, i cili nuk është miratuar ende edhe pse kanë kaluar tre muaj, ka bërë që organizmat ndërkombëtare siç është ai i OSBE-së paraditen e djeshme të trokasë në zyrat e institucionit të bashkisë Fier. Tre përfaqësues të saj janë takuar me kryetarin Baftjar Zeqaj, duke marrë nga ky i fundit një informacion të plotë për mosmiratimin e buxhetit të bashkisë Fier për vitin 2010.


Sipas Zeqajt, pas dërgimit të një peticioni pranë Këshillit të Evropës, dje paradite ka qenë një përfaqësi e zyrës së OSBE-së në Tiranë ajo që është njohur me mosmiratimin e buxhetit të bashkisë, ku, sipas tij, ky mosmiratim ka dhënë edhe pasojat e para duke shkaktuar probleme në shumë drejtime.


Në takim, i cili është kryer me dyer të mbyllura në zyrën e kryetarit të Bashkisë Fier, është diskutuar atmosfera jo e mirë midis forcave politike lolale që ka përfshirë këshillin bashkiak, i cili ka tre muaj që nuk është mbledhur. Kjo ka ardhur edhe nga fakti se nuk po mblidhen krerët e grupeve të këshilltarëve për të marrë një vendim për të zhvilluar mbledhjen e radhës. Sipas Zeqajt, janë bërë përpjekje, por ende nuk është gjetur gjuha e përbashkët mes forcave politike, sidomos ajo e PD-së dhe LSI-së.


Këta të fundit kërkojnë disa ndryshime në adminisratratën e bashkisë gjë që e kanë miratuar pa praninë e së majtës, ndërsa buxheti i cili do të financojë jo vetëm projekte të rëndësishme të bashkisë për qytetin e Fierit, por qindra familje që jetojnë me ndihma ekonomike, kanë më se tre muaj që nuk po e marrin.

Këto edhe të tjera probleme kryetari i bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, ua ka bërë të ditur përfaqësuesve ndërkombëtarë që kanë dëgjuar me vëmendje ankesat e kryetarit të bashkisë, të cilët kanë mbajtur vetëm shënime, sipas protokollit të tyre, në të tilla takime. "Nuk kemi më shpresë te qeveria, - shprehet kryetari i Bashkisë, Fier Zeqaj, - shpresa e vetme që ka mbetur, janë donatorët".

********************

TROPOJËRifillojnë reshjet e dëborës


TROPOJË- Që nga mëngjesi i së mërkurës kanë rifilluar reshjet e dëborës, duke arritur deri në 70-80 cm në disa fshatra të komunave Lekbibaj dhe Margegaj. Dëbora ka rënë gjatë gjithë ditës, duke arritur deri në mbi 40 cm trashësi.


Rrugët dhe sheshet janë pastruar me borëpastruese, ndërkohë janë të bllokuara të gjitha fshatrat e komunës Lekbibaj dhe fshatrat Çerem, Valbonë, Rrogam dhe Dragobi të komunës Margegaj. Fermerët dhe banorët e zonave, sipas burimeve nga Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit, kanë mbetur pa bazë ushqimore për blegtorinë, pasi pritej përmirësimi i motit në këtë mesmarsi, por situata ka ardhur duke u rënduar dhe baza ushqimore e ardhur nga Gjakova është shitur me dyfishin e çmimit.


Akset rrugore brenda nacionale janë të zhbllokuara, kurse akset rrugore nëpër fshatra të komunave janë të bllokuara totalisht. Vështirësi paraqitet furnizimi me ushqime për banorët e komunës Lekbibaj, të cilët janë krejtësisht të izoluar. Vështirësi ka edhe në furnizimin me energji elektrike, ujë, pasi dëbora ka këputur linjat elektrike në fshatra.


Shtabi i emergjencave civile pranë nënprefekturës po merr masa për zhbllokimin e rrugëve me borëpastruese dhe furnizimin e shkollave me dru zjarri, pasi edhe temperaturat kanë filluar të rriten si pasojë e të ftohtit ditët e fundit. Banorë të moshuar thonë se në këtë periudhë rrallë ka ndodhur të rifillojnë reshje të tilla dëbore me temperatura kaq të ulëta.


*******************

VLORËStrehimi, debate në sallën e këshillit bashkiak.


VLORË - Nën një interes jo të paktë nga qytetarët që shpresojnë të hyjnë në skemat e strehimit me kredi te zbutura nga shteti shqiptar, mbledhja e këshillit bashkiak sërish është shtyrë, duke ndikuar edhe në debate mes këshilltarësh dhe qytetarëve të pranishëm në mbledhjen e këshillit. Në rendin e ditës dje ishte vendimi për asistencat, ndihmën ekonomike, për të pastrehët dhe një titull qytetar nderi.


Mungesa në sallë e një pjese të konsiderueshme të anëtarëve socialist bëri që të kërkohet nga ana e të majtëve mosfillimi i mbledhjes. Mes debatesh për këtë çështje, kanë ndërhyrë edhe qytetarë, të cilët kanë hyrë në ambiente të sallës ku zhvillohet mbledhja e këshillit.


Shumë prej tyre i janë hakërruar këshilltarëve prezent në sallë, duke kërkuar prej tyre zgjidhje të problemeve që kanë në strehim dhe shqyrtim të projektvendimit të asistencës dhe njëherazi të projektvendimit të të pastrehëve, ku presin të përfitojnë kredi të buta 75 familje vlonjate të pastreha.


Pas debatesh mbledhja është mbyllur nga kryetari i këshillit, pasi edhe ndërhyrja e policisë bashkiake nuk bëri të mundur qetësimin e qytetarëve në sallë, dhe pas kësaj vijuan deklaratat nga të majtët e të djathtët në këshill. Kujtim Sulçe, kryetar i këshilltarëve socialistë, fajësoi kreun e këshillit dhe politikën e djathtë për ngërçin e radhës në këshillin bashkiak. Ai u shpreh se mbledhja nuk ishte njoftuar dhe nuk ishte përcaktuar datë.


Ndërsa garantoi qytetarët se në rast se vijojnë me këto manipulime të djathtët, këshilltarët e majtë në këshill dhe aleatët e tyre do të mblidhen javën e ardhshme për projektvendimet në fjalë, duke përdorur dhe maxhorancën që kanë në këshill. Ndërsa të djathtët nëpërmjet një deklarate të lexuar nga Laureta Bejkosala, akuzuan këshilltarët e majtë dhe kreun e bashkisë, se sa herë që është fjala për fonde, ata aplikojnë termat e abuzimit.


Pas një amullie e rrëmuje në sallë mbledhja u mbyll duke u lënë për javës tjetër, por pa përcaktuar datën. Do të jenë gjithsej 75 përfitues nga kreditë e buta, për 220 persona që janë aktualisht në listën e paraqitur këshillit bashkiak.

***************************

Qeveria shton kontratat e përkohshme

TIRANË - Në nivelet e qeverisjes qendrore do të punësohen më shumë punonjës me kontratë të përkohshme. Ky është një vendim i marrë dje në mbledhjen e radhës së qeverisë.


Sipas këtij vendimi, në aparatet e qeverisjes qendrore do të punësohen rreth 200 punonjës më shumë me kontrata pune të përkohshme. Një muaj më parë, Këshilli i Ministrave vendosi që numri i punonjësve me kontratë të përkohshme për vitin 2010 për njësitë e qeverisjes qendrore të ishte 576 persona.


Por dje ky këshill ka vendosur që numrin e kontratave të përkohshme ta çojë në 753. Këto vende pune janë parashikuar kryesisht për sanitarë, punonjës mirëmbajtjeje, specialistë, roje etj. Kontrata e përkohshme e punës zgjat katër deri në 12 muaj. Ndërsa orët e punës që punonjësi duhet të realizojë variojnë nga katër deri në tetë orë.


Përjashtim nga ky vendim përbën numri i punonjësve për realizimin e veprimtarive statistikore. Afatet kohore dhe të tjera specifikime lidhur me punonjësit e Institutit të Statistikës do të përcaktohen nëpërmjet një udhëzimi të përbashkët të drejtorit të përgjithshëm të INSTAT-it dhe ministrit të Financave.

 

Komenti juaj

 

Aldo Bare, refuzohet gjykimi i shkurtuar

"Çështja nuk mund të gjykohet me aktet që ndodhen në dosjen e sjellë nga prokuroria dhe duhet të shqyrtohet me...

Ndërtimet pa leje, bashkia përplaset me ministrinë

VLORË/ Policia bashkiake ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve për një mini-mol për jahtet qeveritare VLORË - Një ndërtim i nisur...

 
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool