Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

"Spitalet shkelin ligjin me emërimet e farmacistëve"

Eglantina Bardhi | 11/03/2010 | Shendeti | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, theksoi se një kategori farmacistësh keqpërdorin profesionin. Problem, sidomos në spitale

Urdhri i Farmacistëve


Farmacisti është garanti i fundit i dhënies së barit tek i sëmuri, sepse ai ka për detyrë të korrigjojë dhe gabimet që i shpëtojnë syrit të mjekut. Por, në fakt, pikërisht me këtë kategori bluzash të bardha ndeshen një sërë problemesh, si kequshtrimi dhe keqpërdorimi i profesionit, mungesë përgjegjshmërie për t'u anëtarësuar në institucionet përkatëse.


Për të gjithë problematikën e farmacistëve në një intervistë për gazetën "Shekulli", presidenti i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë (UFSH), Arjan Jaupllari, shpjegoi atë çka ndodh në tregun farmaceutik, sidomos shkeljet që bëjnë institucionet shtetërore me punësimin e farmacistëve.


Ç'është profesioni i farmacistit?


Është një nga profesionet e rregulluara që ushtrohet nga farmacisti, i cili ka njohuritë e domosdoshme, për barin, profesionin dhe shëndetin, të fituara vetëm me shkollë.


Farmacisti është profesionist i shëndetit dhe gjatë ushtrimit të profesionit udhëhiqet nga etika mjekësore dhe Kodi Deontologjik Farmaceutik, në përputhje të plotë edhe me legjislacionin farmaceutik.


Profesioni i farmacistit nuk mund të fitohet me kurse. Sot përgatitja e kësaj kategorie profesionistësh është atribut vetëm i shkollave të larta të akredituara.


Si i ushtron kompetencat profesionale organizmi i Urdhrit të Farmacistit?


Sipas misionit, ky organizëm ka kompetenca të mjaftueshme profesionale, të cilat janë të mundshme për t'u zbatuar, por nëse i referohemi faktit, mund të themi se jemi në zbatim e sipër.


Është për të ardhur keq të përmend shkeljen e ligjit 9150, datë 30.10.2003, "Për Urdhrin e Farmacistëve në Republikën e Shqipërisë", nga ana e institucioneve shtetërore, të cilët punësojnë farmacistë, pa qenë anëtarë të UFSH. Kjo shkelje flagrante lidhet me faktin e detyrimit të varësisë që kanë këto institucione, sidomos spitalet, por dhe Ministrisë së Shëndetësisë, nga e cila kanë varësi.


Pse farmacistët e spitaleve nuk janë anëtarë të urdhrit?


Detyrimisht duhet të jenë anëtarë, sepse i detyron ligji. Disa prej tyre që kanë etikë profesionale dhe respekt për ligjin janë anëtarësuar, por është detyrim për institucionin që të mos lejojë punësimin e tyre, pa qenë të anëtarësuar në UFSH.


Pra, është faji i drejtorive të spitaleve, ashtu siç kanë dhe shumë faje të tjera, ku më skandalozi është punësimi si farmacistë i veterinerëve, kimistëve, infermierëve etj.


Unë mendoj se një nga shkaqet e gjendjes skandaloze të mungesës së barnave në spitale, është mungesa e rolit të farmacistëve, të cilëve nuk u është lënë asnjë kompetencë. Ne jemi të bindur se, pa vendosur në qendër të menaxhimit të barnave në spitale farmacistin, pa konsulencën e tij, gjendja e spitaleve me barna, nuk do të rregullohet asnjëherë.

Po për mbikëqyrjen e ushtrimit të profesionit në farmaci çfarë mund të na thoni?


Për sa i përket ushtrimit të profesionit, ky është një moment që duhet të ndalemi pak më gjatë, sepse farmacisti nuk jep thjesht barna të sëmurit, por dhe dije shkencore për barnat ku mund të përmendim: efektet e barit ndaj sëmundjes, efektet e kundërta, mënyrën e përdorimit dhe efektet anësore të tyre.


Farmacisti është garanti i fundit i dhënies së barit tek i sëmuri, sepse ai ka për detyrë të korrigjojë dhe gabimet që i shpëtojnë syrit të mjekut. Të gjitha këto kompetenca i ka vetëm farmacisti, i cili mbështetur edhe në etikën profesionale, është profesionisti më i kualifikuar për t'i shërbyer të sëmurit me barna.


Pse në farmaci shërbejnë dhe profesionistë të tjerë përveç farmacistit?


Unë përmenda që në farmaci duhet të shërbejë vetëm farmacisti dhe me këtë nënkuptoj që vetëm ai e ka këtë të drejtë ligjore dhe nuk thashë për profesionistë të tjerë që e kanë këtë të drejtë.


Profesionistët e shëndetit janë të përcaktuar në ligjin për profesionet e rregulluara, por secili profesionist ka të përcaktuar kompetencat profesionale në legjislacionet e fushës së ushtrimit të profesionit, si dhe sanksionet nga kequshtrimi profesional. Pra, në ligjin e UFSH janë të përcaktuara saktë detyrimet që rrjedhin nga profesioni i farmacistit, në mbrojtje të shëndetit të konsumatorit.


A ka kequshtrime profesionale?


Legjislacionet shëndetësore bashkohen në një pikë të përbashkët, kanë në qendër të tyre pacientin dhe shëndetin e tij, kështu që kanë parashikuar edhe sanksionet në mbrojtje të shëndetit të tij.


Po t'i referohemi realitetit për kequshtrim profesional të farmacistit, ka pasur vetëm raste të rralla të gabimeve pa dashje, të cilat janë bërë dhe objekte të gjykimit nga ana e komisioneve disiplinore të gjykimit profesional të UFSH. Ajo që e shqetëson këtë organizëm sot është keqpërdorimi i profesionit.


Si ta kuptojmë këtë?


Shumë thjesht, sipas ligjit për barnat dhe shërbimin farmaceutik, të drejtën për të hapur një farmaci është e lirë, pra këtë të drejtë e ka çdo person fizik dhe juridik, por kriteri profesional nuk lejon që një farmaci të hapet pa pasur drejtues teknik të saj një farmacist, i cili ka të drejtë të drejtojë vetëm një farmaci dhe është përgjegjës për të gjithë veprimtarinë e farmacisë.


Pra, farmacia mund të hapet vetëm me farmacist dhe mund të qëndrojë e hapur vetëm kur është prezent farmacisti drejtues teknik ose një farmacist i punësuar me kontratë, por dhe në rastin e fundit, përgjegjësia e veprimtarisë bie mbi farmacistin drejtues teknik, kurse përgjegjësia profesionale mbi të dy.


**********************

Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve kritikon Qendrën e Kontrollit të Barnave për mosfunksionimin e saj. Ja masat ndëshkimore ndaj farmacistëve abuzues

Jaupllari: QKKB nuk realizon detyrat që ka


Urdhri i Farmacistëve nuk është strukturë kontrolli, por sigurisht që është detyrim ligjor mbikëqyrja e profesionit të farmacistit. Kështu u shpreh presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, i cili theksoi se strukturë kontrolli është pikërisht Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave ku nuk la pas as kritikat ndaj këtij institucioni.


"Strukturë kontrolli dhe vendimmarrëse është Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, por meqenëse ajo nuk po e bën këtë dhe shumë të tjera si duhet, jemi të detyruar të intensifikojmë mbikëqyrjen profesionale", - theksoi Jaupllari.


Ndërkohë, ai shpjegoi edhe masat që duhet të merren ndaj farmacive që shkelin rregullat dhe ligjin.


"Në udhëzimin e UFSH, në zbatim të këtij vendimi, janë të përcaktuara saktë të gjitha rastet e shkeljeve dhe masat që duhet të merren, të ndara në disa kategori: kategoria e parë, kur në farmaci punon një farmacist që nuk është anëtar i urdhrit, kategoria e dytë, kur nuk është drejtuesi teknik, por vetëm n/farmacisti, kategoria e tretë, kur nuk është drejtuesi teknik, por një student i vitit të 4 ose 5 të shkollës së lartë, që ka kryer dhe praktikë profesionale dhe kategoria e katërt, kur në farmaci gjendet një person jo farmacist", shpjegoi Jaupllari, duke shtuar se masat variojnë nga paralajmërim dhe gjobë në tre kategoritë e para dhe përjashtim deri në tre vite nga e drejta e ushtrimit të profesionit, kur janë konsumuar dy masat e para.


Për kategorinë e katërt, pra kur në farmaci jep barna një person që nuk është farmacist, direkt do t'i hiqet e drejta e ushtrimit të profesionit drejtuesit teknik të farmacisë deri në tre vite.


 
Letrat e lexuesve
 

VIDEOT E FUNDIT

Kur golin e shënon era....

Ka ndodhur në Gjermani dhe shumë e kanë cilësuar si të habitshme. Protagoniste shumë e rëndësishme gjatë ndeshjes mes Wimsheim...

Videoja amatore: Momentet e fundit të presidentit Kennedy

Një video amatoriale rrëfen momentet e fundit të presidentin amerikan John Fitzgerald Kennedy, në aeroportin e Dallasit, në 22 nëntor...

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool