|
|
Kryeministri Berisha pohoi dje gjatë mbledhjes së qeverisë se policët do t'i shtohen kufirit në kuadër të liberalizimit të vizave
Pritet që kjo kategori të angazhohet në kontrollet dhe patrullimet e kufirit të gjelbërt
TIRANË- Rreth 200 punonjës policie që më parë kanë qenë me detyrë të ruajtjes së objekteve të rëndësisë së veçantë të klasifikuara nga qeveria, do të lënë këtë detyrë për t'u transferuar në strukturat e Policisë së Kufirit dhe të Migracionit, si pjesë e Policisë së Shtetit. Një lajm i tillë është bërë i njohur dje nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Ministrave.
Një veprim i tillë, pritet që nëpërmjet një akti normativ të Këshillit të Ministrave, pas shkrirjes së strukturës ku kanë shërbyer deri tani. Ndërkohë që kohë më parë është kryer një transferim i tillë, nga Policia e Objekteve në drejtim të Kufirit. Nuk bëhet fjalë për largime nga radhët e Policisë, por vetëm për transferimin e tyre nga një sektor tek një tjetër.
Ristrukturimin e Policisë kufitare e bëri dje të ditur Kryeministri Sali Berisha, i cili gjatë mbledhjes së Qeverisë, u shpreh se këto ndryshime janë të detyrueshme për të përmbushur detyrimet e reja, që ka Shqipëria, për të përfituar nga procesi i liberalizimit të vizave.
Në fjalën që mbajti në mbledhjen e Qeverisë, për propozimin e tij për dërgimin e efektivave të ruajtjes së objekteve në ruajtjen e kufirit Berisha u shpreh: "Vazhdon reforma e policisë, por këtë herë jo me shkurtime.
Hiqen nga objektet 200 punonjës të Policisë së Shtetit dhe dërgohen që të gjithë në Policinë e Kufirit, sepse procesit të heqjes së vizave, duhet t'i përgjigjemi me shkallë më të lartë të përgjegjësisë në sektorin e migracionit dhe të luftës kundër drogës". Sipas Kryeministrit, edhe sektorët e tjerë që kanë të bëjnë me kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave duhet të konsolidohen.
Sipas tij, gjysmë milion euro është planifikuar për fuqizimin e serverëve dhe potencialeve të sistemeve të veçanta në kufi. Zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Policisë për Kufirin dhe Migracionin, Pëllumb Nako, tha se fillimisht projekti ka qenë që në strukturën e re të policisë kufitare të përfshihen edhe 300 efektivë të tjerë. Kjo strukturë do të merret kryesisht me patrullimin e terrenit në zonat kufitare, dhe do të ketë karakterin e forcave kontrolluese të kufirit dhe të ndërhyrjes në rastet e nevojshme.
Një forcë e tillë duket se do të jetë e përqëndruar në drejtim të identifikimit dhe goditjes së grupeve që merren me kontrabandimin e klandestinëve, apo me parandalimin e shkeljes së kufirit nga grupe të ndryshme personash me qëllim kalimin e kufirit në rrugë të paligjshme.
Sipas Nakos, deri tani nga shifra e parashikuar janë marrë vetëm 180 punonjës. Zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit u shpreh dje në një prononcim për gazetën "Shekulli", se transferimi i 200 punonjësve të policisë drejt kufirit, ka ardhur pas shkrirjes së strukturës së policisë së objekteve.
Për të mos i nxjerrë në reformë, policët që deri tani kanë shërbyer në ruajtjen e objekteve të rëndësisë së veçantë, do të shkojnë të shërbejnë në strukturat e Policisë Kufirit dhe Migracionit. Gjithë punonjësit që kanë shërbyer në policinë e objekteve kanë marrë sigurinë e Kryeministrit Berisha, për të mos mbetur jashtë radhëve të policisë, për të shërbyer në strukturat e Policisë së Kufirit.
Kryeministri Berisha pohoi dje gjatë mbledhjes së qeverisë se policët do t'i shtohen kufirit në kuadër të liberalizimit të vizave...
Kryeministri Berisha pohoi dje gjatë mbledhjes së qeverisë se policët do t'i shtohen kufirit në kuadër të liberalizimit të vizave...
Lajmet 01 Prill - Ora 12 -
data/01-04-2010
Lajmet 01 Prill - Ora 11 -
data/30-08-2008
Lajmet 01 Mars - Ora 10 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Komenti juaj