Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

PS, "ditar" për grevistët dhe kauzën e votës

Lindita Cela | 12/05/2010 | Politike | komentet 0 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Dje ka nisur dokumentimi i çdo hapi të protestës së opozitës, ku firmosin jo vetëm protagonistët e saj, por edhe simpatizantët e thjeshtë


TIRANË - Bash mu në mes të çadrës, aty ky është kthina e ndihmës së shpejtë, është vendosur një tavolinë e kuqe e mbi të rëndon një bllok i madh. Blloku sa është bërë sefte. Megjithëse në ditën e 11 të grevës së urisë, në të janë të shënuara momentet më kritike të protestës së opozitës së ndërmarrë deri më tani.


Por, shumica e grevistëve as që e di që stafi organizator ka menduar të dokumentojë çdo sekondë të protestës së 22 deputetëve të Partisë Socialiste dhe 180 simpatizantëve të saj. Është një vajzë e re e stafit, ajo që lajmëron grevistët që përveç ngujimit të tyre duhet edhe të firmosin për bllokun që dokumenton çdo detaj të lëvizjes më të madhe të opozitës.


Blloku mban mbishkrimin "Transparenca e zgjedhjeve", ndërkohë që në fletët e tij të para janë të shkruara me një kaligrafi të mrekullueshme arsyet se përse 200 socialistë ndërmorën sakrificën më sublime, atë të vetëflijimit. Më tej, pasi shfleton bllokun sheh të shkruar qartë kushtet e opozitës për të ndërprerë protestën e saj e ca më tej mendimet e çdo njërit prej pjesëmarrësve të grevës.


Sigurisht që firmëtaret e para janë gratë. Jo pse janë të pakta në numër, por me sa duket organizatorët janë mundur të tregojnë disi kujdes për të shpërblyer sakrificën e tyre.


Të struktura në qoshëzën e tyre të çadrës, (ndarja është bërë krejt rastësisht), të duket se asnjëra prej tyre, në ditën e 11-të të grevës nuk ka aq lidhje me atë çfarë ndodh përreth. Janë miqësuar aq shumë me njëra-tjetrën sa me të dalë që aty nuk kanë nevojë për udhërrëfyes për të gjetur banesat e njëra-tjetrës.


Por, sa vjen vajza e stafit organizator dhe lajmëron për hedhjen e firmave në bllokun e kuq në qoshëzën e grave shuhen llafet. Nuk flitet as për recetat e gatimit dhe as për fundjavat që do të kalojnë bashkërisht, sapo të përmbyllin me sukses sfidën e tyre.


Ashtu të heshtura dhe me këmbë zvarrë drejtohen nga mesi i çadrës, aty ku shumica e grevistëve ndjekin me vëmendje mitingun e radhës, që tashmë është kthyer në një destinacion për socialistët.


E para firmos Shegushe Ligori e pas kësaj Anila Bakalli. Përballë bllokut të rëndë, nuk janë më ato gratë që vuajnë urinë e që pjesën më të madhe të ditës flasin për recetat e gatimit. Janë krejt ndryshe. Të forta e të sigurta për çdo frazë që hedhin, fundi i së cilës mban firmën e tyre.


Të duket sikur po asiston në një deklaratë të shpalljes së Pavarësisë, ku në vend të burrave të moçëm e me thinja sheh gra të sfilitura, por që firmosin pa u dridhur dora. Ndihen të sigurta, dhe tejet krenare që janë pjesë e firmëtarëve të këtij blloku që ndoshta nesër do të jetë faqja me historike e Partisë Socialiste, pse jo dhe e vendit.

******************

Dita e 11 e grevës, 4 grevistë përfundojnë në spital

TIRANË - Në ditën e 11 të grevës së urisë janë shtuar edhe rastet e dërgimit të grevistëve në spital, si pasojë e gjendjes së rënduar shëndetësore, nga mungesa e ushqimit për një kohë të gjatë.


Transportimi i grevistëve për ditën e djeshme është bërë që në orën 02:00 pas mesnate, ku grevisti Astrit Agjami nga qyteti i Kukësit është transportuar me ambulancë drejt spitalit, si pasojë e problemeve që ai kishte me tensionin dhe stomakun.


Një tjetër grevist la po dje grevën e urisë për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Grevisti është Fatmir Kalemaj, mbi 50 vjeç, nga qyteti i Patosit. Ai u dërgua në spital pas komplikacioneve me tensionin.


Ndërkohë, në qendrën Spitalore "Nënë Tereza" ka përfunduar edhe deputeti i dytë grevist, pas Besnik Bares, Asllan Dogjani. Ai u largua nga greva për shkak të problemeve kardiake. Ndërkohë, probleme me stomakun ka shfaqur edhe Artmir Ahmetaj, 26-vjeçari nga Tirana, i cili është detyruar që të ndërpresë grevën e urisë.

*******************

Duke iu përgjigjur kryeministrit Berisha, Brokaj tha se pacienti ka të drejtë të zgjedhë mjekun që do

Brokaj: Gjendja e grevistëve e rëndë

TIRANË - Sabit Brokaj, mjeku që ka qëndruar për 11 ditë rresht në çadrat e grevës së urisë, deklaroi dje se gjendja e grevistëve është tepër e rëndë. "Gjendja e grevistëve është rënduar më shumë, të gjithë kanë shqetësime.


Ne tani natyrisht trajtojmë shqetësimet, por më shumë i ruhemi rrezikut, pasi prej këtyre momenteve rreziku është bërë evident dhe kjo dihet nga të gjithë. Sapo përcollëm për në spital Asllan Dogjanin, me probleme të luhatjes së tensionit dhe shqetësime të tjera. Kishte nevojë për trajtim dhe observacion", - tha dje Brokaj.


Ai i ka kthyer përgjigje edhe kryeministrit të vendit Sali Berisha, duke shtuar se, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pacienti ka të drejtën e tij të zgjedhë mjekun që do. "Që do të thotë, këta njerëz që kanë vendosur të sakrifikojnë jetën e tyre, kanë të drejtën e tyre të pranojnë ose të mos pranojnë mjek të tjerë.


Personalisht kam respekt për këta mjek që qëndrojnë këtu në gatishmëri, të urgjencës së Tiranës, të cilët realisht sakrifikojnë. Si mjekët që janë brenda çadrave, që unë kam besim absolut tek ata, si dhe tek mjekët që i trajtojnë grevistët që venë në spital.


Por, përderisa ka dhe mjekë të atillë që venë në spital e turbullojnë pacientët tanë që shtrohen atje, duke shkelur etikën dhe duke shkelur dhe mbi etikën e mjekut, vetiu ne i qëndrojmë përzgjedhjes së ndihmës mjekësore dhe personelit mjekësorë", - tha Brokaj, duke shtuar se kur grevistët shtrohen në spital, mjekët i alarmojnë, duke i thënë se u shkatërrohet ky apo ai organ.

 

Komenti juaj

 

Bllokohen 2 kg heroinë, një në pranga

OPERACIONET/ Në Vlorë policia ka arrestuar dy vëllezër nga fshati Velçë, teksa ka gjetur në një stan 80 kilogram lëndë...

Ballsh, vijon kaosi në spital, rritet numri i të prekurve

HELMIMI/Numrit të banorëve të Ballshit i është shtuar edhe ai i disa fshatrave të zonës, ndërsa dyshohet se një nga...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool