Versioni Print ndrysho

Shekulli ne versionin e shtypur

* Duke klikuar me siper kaloni ne versionin e gazetes Shekulli te shtypur, ku mund te lexoni te gjitha informacionet qe ka patur gazeta e dites ne treg

Debate në sallë, opozita braktis seancën

Shekulli Online | 25/06/2010 | Politike | komentet 3 KOMENTE | komentet SHARE | -zvogelo shkrimin +zmadho shkrimin

Ruçi: Ikim për të mos qenë jo vetëm bashkëfajtorë dhe bashkëpërgjegjës, por as edhe dëshmitarë i këtij akti të turpshëm

TIRANË - Vendosmëria e mazhoranës për të miratuar ndryshimet e Rregullores së Kuvendit, detyroi grupin socialist të braktisë seancën parlamentare. Deputetët e majtë qëndruan në sallë vetëm për diskutimet mbi draftin për ndryshimin e ligjit, si dhe në miratimin e projektligjeve të tjera në rendin e ditës së seancës parlamentare.


Gjatë fjalës së tij, kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, u shpreh se amendimet që mazhoranca kërkon t'i bëjë rregullores cenojnë rëndë parlamentarizmin. Sipas Ruçit, nëpërmjet këtij amendamenti vihen nën kontroll institucionet e pavarura dhe i jep fund frymës së kompromisit.


Kjo ishte edhe arsyeja që kreu i grupit të Partisë Socialiste, në emër të deputetëve të tjerë, njoftoi edhe largimin e opozitës nga salla e kuvendit. "


Amendamenti që kërkoni të votoni sot i jep një goditje të rëndë frymës së mirëbesimit reciprok, kompromisit dhe konsensusit, aq shumë të dëshiruar. Në kushtet e një krize të zgjatur 10-mujore, që e dëmton jo pak mjedisin politik, gjë e cila në qoftë se do të vazhdoni kështu, e çon përfundimisht situatën politike në Shqipëri në pikën e nisjes.


Prandaj, në këto kushte Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, për të mos qenë jo vetëm bashkëfajtor dhe bashkëpërgjegjës, por as edhe dëshmitar i këtij akti të turpshëm, i këtij votimi që është ogurzi për parlamentarizmin, dhe për të gjitha argumentet që parashtrova më lartë, ne si grup parlamentar largohemi nga salla", - përfundoi fjalën e tij kreu i grupit parlamentar socialist. Menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të grupit, deputetët e Partisë Socialiste dolën nga salla e kuvendit.


Seanca parlamentare ka vijuar më tej me fjalën e kryetarit të grupit të Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Duke marrë shkas nga largimi i opozitës nga salla e kuvendit, kreu i Grupit të PD, Patozi, tha se është për të ardhur keq që opozita nuk po jep kontributin e saj.


"Kjo nismë që do miratohet sot nuk ka parasysh as një, e as dy gjyqtarë por krijimin e një politike transparente. Kjo do të krijojë një standard të ri sa herë që politika do të marrë vendime për pushtin gjyqësor. Do ishte në interesin e opozitës që të bëhej pjesë kontribuuese.


Si gjithmonë opozita e humbi këtë shans", u shpreh kreu i grupit të PD-së, Astrit Patozi. Ndërkohë, nuk përjashtohet mundësia që grupi i Partisë Socialiste të mblidhet për të diskutuar për mundësinë e rifillimit të bojkotit të jetës parlamentare.


DEBATET
PS - PD, pro dhe kundra amendimeve

Seanca parlamentare e ditës së enjte është shoqëruar me debate mes deputetëve të të dyja forca politike si për ndryshimin e rregullores, ashtu edhe për rezolutën e Parlamentit Europian. Të dy palët kanë mbrojtur pozicionet e tyre. Deputetët e majtë e kanë deklaruar se ndryshimi i rregullores cenon rëndë jetën parlamentare.


Sipas tyre, mazhoranca ka frikë nga rrjedhja e votave. Ndërsa deputetët e djathtë deklaruan se ndryshimi i mënyrës së votimit, nga votim i mbyllur në votim të hapur i shërben transparencës së zgjedhjeve.


I pari që mori fjalën në Kuvend ishte deputeti demokrat Viktor Gumi. Sipas tij, ndryshimet në rregullore sjellin një përmirësim të dukshëm në procedurat parlamentare, rrisin transparencën e vendimmarrjes së parlamentit dhe llogaridhënien.


"Nisma për votimin e hapur kërkon të thyejë një mentalitet, ndaj duhet të shprehim besim në përzgjedhjen që bëjmë përmes votimit të hapur dhe nominal për dekretet e Presidentit", tha Gumi.


Deputeti i grupit parlamentar të PD tha se votimi i hapur i dekreteve presidencialë është një procedurë që i përgjigjet zhvillimeve të parlamentit shqiptar dhe amendamentet e paraqitura nuk kanë përmbajtje antikushtetuese dhe as janë në shkelje të ligjit. Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, tha se amendimi i rregullores synon t'iu heqë deputetëve dhe kështjellën e fundit të pavarësisë, që është vota.


Dokle: Reformë zgjedhore pa transparencë nuk ka. Ju bëjmë thirrje hapni kutitë, zgjidhni krizën, shpëtoni ekonominë. Ne kemi shprehur vullnetin e plotë për arritjen e zgjidhjes së krizës
Topalli: Është e vërtetë që pardje janë bërë të gjitha përpjekjet për të shtyrë procesin e votimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për liberalizimin e vizave", deklaroi Topalli, ndërsa theksoi se "z. Rama ka dështuar në përpjekjet e tij për të shtyrë votimin", tha ajo para deputetëve në Parlament.


Paloka: Më vjen keq që prisnin që opozita përgëzon këtë rezolutë. Më vjen keq që paskan arritur vuvuzelat deri në Shqipëri. Se seriozisht jo se iu pëlqente, por të paktën siç bëtë me vendimin e Komisionit Europian kur kryetari juaj çoi letër Barrosos, dikur përdorej shprehja si kofini pas të vjelës, por këto kohët moderne ka dalë shprehje e re. Pasi Rama përshëndeti vendimin e KE-së, shqiptarët thanë se është si vendosja e prezervativit pas të bërit seks.


Dokle: Në bazë të asaj shprehje që thatë, unë mund të them vetëm një gjë: zoti Paloka ju u bëtë kondom për kryeministrin. Shurdhëria dhe kokëfortësia e qeverisë nuk mund t'i imponohet një popullit të lirë dhe të gatshëm të sakrifikojë për lirinë.


Të ulemi bashkërisht, thërret kryeministri, ndërkohë që përpiqet me çdo mjet, me gjithë klanin e tij, t'i imponojë zëvendësimin e transparencës me mashtrimin, të dialogut me diktatin, të shtetit të së drejtës me pushtetin e korrupsionit, duke vështirësuar integrimin dhe duke i shtyrë vizat, sa nga vjeshta në pranverë dhe sërish nga pranvera në vjeshtë, duke e detyruar edhe njëherë Parlamentin Europian të bëjë thirrje për përgjegjësi dhe përgjegjshmëri, për zgjidhjen e kizës mbi bazën e parimit kushtetues të transparencës, për plotësimin e kritereve ende të paplotësuara.


Bregu: "Në momentin kur Shqipëria bëhej gati për të nënshkruar procesin e stabilizim asociimit dhe marrëveshjen kryesore të saj me BE-në, Edi Rama e fishkëlleu gjatë këtë proces. Ai nuk ka lënë lobing pa bërë për keq, për të lobuar kundër procesit të integrimit të Shqipërisë apo për të përcjellë kauzën pa kauzë të tij të humbur, edhe tek miqtë apo partnerët tanë perëndimorë", tha ministrja Bregu.


Gumi: "Nisma për votimin e hapur kërkon të thyejë një mentalitet, ndaj duhet të shprehim besim në përzgjedhjen që bëjmë përmes votimit të hapur dhe nominal për dekretet e Presidentit", tha Gumi. Votimi i hapur i dekreteve presidencialë është një procedurë që i përgjigjet zhvillimeve të parlamentit shqiptar dhe amendamentet e paraqitura nuk kanë përmbajtje antikushtetuese dhe as janë në shkelje të ligjit.


Damian Gjiknuri: Ndryshimi i rregullores është një provë për parlamentarizmin. Ndryshimi i rregullores synon t'iu heqë deputetëve dhe kështjellën e fundit të pavarësisë, që është vota".


Me këtë akt, kryeministri Berisha kërkon të heqë vullnetin e deputetit që shprehet me votën e fshehtë, duke tentuar të ushtrojë kontroll mbi votën e tij. Ky është një rrezik që kërcënon parlamentarizmin. Kjo është çështje votash dhe ju keni frikë nga rrjedhja e votave të mazhorancës


Shalsi: Nëpërmjet procesit të votimit të hapur ju nuk synoni transparencën dhe nuk jeni të sinqertë në qëllimin që deklaroni. Ju kërkoni të impononi kriterin politik në emërimin e gjyqtarëve për të krijuar tek ta detyrime të paqena.


Ju kërkoni që çdo i emëruar të ndjehet borxhli përpara forcës suaj politike dhe ndaj do ta përdorni këtë që një ditë ata t'ju shlyejnë nderin sa herë që do të doni të ndërhyni në vendimet e gjyqësorit, duke e vënë gjyqësorin nën një presion dhe varësi direkte apo indirekte.


Ruçi: Nga debatet që dëgjova është që kreu i PS ka dhënë para kesh ndaj ndërkombëtarëve, dhe jo ndaj kujtdo, por ndaj ministrave të Jashtëm të BE-së. Një tjetër pikë, sipas jush, është votimi i fshehtë sipas deklaratave tuaja është i vjetër, standard klientelist, korruptiv. E kuptoni se për kë bien këto daulle të nderuar deputetë të mazhorancës.


Bien për ju. Jeni deputetë të korruptuar. Jua tha partia juaj. Ky është mesazhi që përcjell ky amendament. Sa mirë e kapni për argument Amerikën, por urdhëroni të vendosim standardet amerikane duke filluar nga transparenca e zgjedhjeve.


Patozi: Ne kemi futur rend dite që të përshëndetej rezoluta e BE-së si një hap tejet i rëndësishëm. Pritën kreun tuaj që ta bënte. Pritën që të kalonte radha e deputetëve dhe e kreut të grupit për të përshëndetur.


Dua të shpreh keqardhjen për këto qëndrime aspak dinjitoze të opozitës dhe për këta individë që janë organizuar për në anën e kundërt të procesit. Kjo është një çështje që në kushtet normale do të mjaftonin vetëm dy minuta negocimi mes krerëve të grupeve. Sindromi i kutisë ka errësuar logjikën e opozitës.


Për arsye të mosbesimit, e ka bërë bashkëpunimin të pamundur. Ju jeni në të drejtën tuaj, por nuk keni asnjë argument. Argumenti i vetëm është se vijnë nga opozita. Kjo nismë është tërësisht korrekte, sepse nuk cenon asnjë pikë të kushtetutës.

********************************


Kuvendi miraton vetëm me votat e PD-së ndryshimet në rregullore
PD ndryshon me forcë rregulloren e Kuvendit

TIRANË - Mazhoranca ka miratuar pasditen e djeshme në mënyrë të njëanshme ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, në një seancë ku opozita u detyrua që të largohet. Ndryshimi i mënyrës së votimit për dekretet e presidentit Topi u miratuan me 73 vota pro dhe asnjë kundër.


Me amendimet që iu bënë rregullores, deputetët do të votojnë në mënyrë të hapur për dekretet e presidentit, një ndryshim ky që e kthen Kuvendin shumë vite pas. Ndryshimi i rregullores së Kuvendit u ndërmor me propozimin e një grupi deputetësh të djathtë, të cilët e bazuan kërkesën e tyre në nenin 117 të rregullores.


Sipas këtij neni, çdo deputet ka të drejtë të paraqesë propozime për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit. Për shqyrtimin e këtyre propozimeve ndiqet procedura e parashikuar në këtë Rregullore për paraqitjen dhe shqyrtimin e projektligjeve.


Ndryshimet e rregullores janë shtyrë disa herë në kuvend, pasi mazhoranca nuk ka pasur konsensusin e opozitës. Edhe në seancën e djeshme, të pranishëm gjatë votimit të amendimeve ishin vetëm deputetët e djathtë.


Një arsye, sipas të majtëve, që mazhoranca kërkon ndryshimin e rregullores nga votim i fshehtë në votim të hapur është edhe frika nga rrjedhja e votave. Socialistët janë shprehur se për shkak të numrave të kufizuar që ka mazhoranca, rrjedhja e një ose dy votave bën që Berisha të mos zgjedhë emrat që preferon ai.


Miratimi i Rregullores i hap rrugë edhe seancave dëgjimore në Komisionin e Ligjeve të tri kandidaturave për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe më konkretisht për Medi Bicin, Sokol Çomon dhe Vehxhi Muçmatën.

Shqyrtimi i tre dekreteve të Topit për Gjykatën e Lartë do bëhet jashtë afateve që përcakton rregullorja. Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se seancat dëgjimore të tri kandidaturave të presidentit do të nisin duke filluar nga dita e martë.

 

3 KOMENTE

Replike h...
Bojkotin,protestat,Grevat e urrise .....beni mire qe ti fusni ne sirtar dhe ti kycni,se do tu duhen nje dite.Saliu nuk tallet me ju, jeni ju qe talleni me elektoratin tuaj. Ajo qe ju tha Rames nuk ka rendesi se sa ishte 1/2 apo 1/4, rendesi ka qe ata hyne ne Parlament, mbushen vendet vakante te tij etj.Ata kane zene mend dhe e dine se c'duhet bere,por mos u cudit qe po te them se e kane barutin e lagur dhe nuk ndez.

Pretendojme se jemi ne demokraci. Kjo do te thote se duhet te jemi fleksibel. Duhet te perdorim te gjitha metodat demokratike; si debatet, protestat, grevat e mjetet e tjera. Mua me vjen keq per komentuesin h , i cili njeh vetem nje rruge zgjidhje- greve e bojkot pa mbarim.
Socialistet provuan gjithe menyrat, nje vit te tere. Populli i ndoqi pas, gjithmone e me masivisht. Ky eshte suksesi real.Tani gati te gjithe, jane bindur se vjedhja e votes ka qene ashiqare,ne menyren me te turpeshme. Qeveria e demaskuar deri ne palce.
Protestat, debatet demaskuese, duhet te vijojne. Dikush thote se Saliu, nuk pyet per metoda demokratike. Kjo eshte e qarte si drita e diellit.
CILI HAJDUT I TREMBET TURPIT? SALIU FRIKEN PO, E NJEH SI BURRAT.
Lakun politik po ja shkurtojme me gjithe lakej.

O .... te PS ,o derdimena te PS o........
Bojkot te perhershem te parlamentit te mos njihet qeveria e hajduteve dhe krimineleve.
Kush ju tha te hyni ne parlament? Tall b..then Berisha me ju .... Sala s'ka ndegjuar asnje fjale te europianeve dhe si behet vone fare ,kurse ju u fliqet nga Europa.
Nje gjysme fjale ju tha dhe ju menjehere ne parlament ,........, do vini mend apo jo?
redaktoi
(MODERATORI)

Komenti juaj

 

SHKB- ja arreston për mitmarrje, një polic në Kakavijë

Punonjësi i Policisë akuzohet se gjatë intervistimit të një emigranti të kthyer nga Greqia i mori atij 500 euro. I...

Droga 5.3 kg vinte nga Italia, do shpërndahej në Kosovë dhe Maqedoni

TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, pas arrestimit të pesë të dyshuarve që dy ditë më parë po tentonin të shkëmbenin 5.3...

 
Komentet
Letrat e lexuesve

PODCAST

Shekulli Online si faqe kryesore Shekulli Online si e preferuar
 
 

© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200

Page Ranking Tool