|
|
PE bën thirrje për zgjidhjen e krizës në përputhje të Kushtetutës, përmes hetimit të materialeve zgjedhore
STRASBURG - Me 567 vota pro, 47 kundër dhe 19 abstenime, Parlamenti Europian miratoi dje Rezolutën e hartuar nga raporteri Nikolas Chountis mbi perspektivën europiane të Shqipërisë, duke i kërkuar në të njëjtën kohë kësaj të fundit, se integrimi në Bashkimin Europian është në varësi të zgjidhjes së krizës aktuale politike.
Për këtë arsye, europarlamentarët e djathtë dhe të majtë kanë kërkuar njëzëri ngritjen e komisionit hetimor dhe hetimin e materialeve zgjedhore, si domosdoshmëri për zgjidhjen e situatës politike.
Rezoluta e miratuar me gati shumicën e eurodeputetëve thekson nevojën e ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, ku shumicën dhe kryetarin ta posedojë opozita, gjë e cila është pranuar që më parë edhe nga mazhoranca.
Në lidhje me procedimin e komisionit hetimor për hetimin e zgjedhjeve parlamentare, socialdemokrati Libor Rouçek ka rënë dakord me eurodeputeten e djathtë, Doris Pack, për të hequr vetëm termin "të gjitha", duke lënë si përcaktim "hetimin e materialeve zgjedhore" nga ky komision hetimor.
Propozimi tjetër i ardhur nga e majta europiane kërkon që rregullorja e Kuvendit të zbatohet sa më shpejt me konsensusin e të dyja forcave politike, me qëllim që të sigurohet transparencë për burimet financiare e administrative dhe të rriten kapacitetet mbikëqyrëse të Parlamentit.
Amendamentet kryesorë të propozuar nga eurodeputetët e majtë dhe që morën edhe konsensusin e të djathtëve kanë marrë dritën jeshile, ndërsa amendamentet e radikalëve të djathtë të përfshira në Rezolutë të mërkurën, në të cilat propozohej dhe rekomandohej ndërprerja e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe bllokimi i heqjes së regjimit të vizave, u rrëzuan nga votat e europarlamentarëve, kryesisht të djathtë.
Por, pavarësisht rrëzimit të këtyre amendamenteve, Parlamenti Europian është shprehur se anëtarësimi i vendit do të varet nga zgjidhja e krizës politike dhe ecuria e mëtejshme e saj.
"Qeveria dhe opozita shqiptare duhet të kuptojë se kapërcimi i mosmarrëveshjeve aktuale është kyçe për progresin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe për aspiratat e mëtejshme europiane të shqiptarëve.
Përsëriten konkluzionet e Këshillit të Ministrave të Jashtëm se është momenti final për gjetjen e zgjidhjes ndaj krizës aktuale politike, dhe është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, së bashku me opozitën për të gjetur siç duhet, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë me Kushtetutën shqiptare, zgjidhjet e nevojshme për rrugën e vendit drejt BE-së", thuhet në amendamentin 1 të eurodeputetëve të majtë, Libor Rouçek, Adrian Severin dhe Hannes Svoboda.
Edhe në deklaratën e Parlamentit Europian kërkohet zgjidhja e krizës politike, duke theksuar se funksionimi i plotë i institucioneve dhe Parlamentit janë shtylla kryesore e një sistemi demokratik.
"Parlamenti Europian bën gjithashtu thirrje për një zgjidhje të krizës aktuale politike pas zgjedhjeve parlamentare shqiptare, të qershorit 2009. Ai vë në dukje se funksionimi normal i institucioneve, sidomos i Parlamentit, janë shtylla kurrizore e një sistemi të konsoliduar demokratik dhe (...) një kriter shumë i rëndësishëm politik për integrimin në BE", - thuhet në deklaratën e PE.
Parlamenti Europian i bën të qartë Shqipërisë se duhet të plotësojë kriterin politik për të qenë anëtare e Bashkimit Europian. PE kërkon gjithashtu që qeveria shqiptare të bëjë përpjekje substanciale për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor, përfshirë këtu reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftën ndaj korrupsionit që, sipas ndërkombëtarëve, mbetet një sfidë e madhe politike.
"Për t'u pranuar në Bashkimin Europian kushti kryesor është përmbushja kritereve të Kopenhagenit. Së pari, në Shqipëri, Parlamenti e pranon përparimin e bërë me reformat, por thekson nevojën për një përpjekje të mëtejshme substanciale për të konsoliduar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Kjo duhet të përfshijë reformimin e sistemit gjyqësor dhe luftën kundër korrupsionit, e cila mbetet "një sfidë e madhe politike", - thuhet në rezolutën e hartuar nga Nikolaos Chountis.
Gjithashtu, në amendamentet e tyre, socialdemokratët europianë shprehin keqardhjen që shumica parlamentare hodhi poshtë kandidaturat e propozuara nga Presidenti për postet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa specifikon domosdoshmërinë e pavarësisë së institucioneve kushtetuese.
Megjithëse, nuk ka një datë të përcaktuar, PE kërkon që kjo rezolutë duhet të zbatohet nga forcat politike shqiptare, duke iu përmbajtur të gjitha pikave në mënyrë që të gjendet zgjidhja e krizës politike që vazhdon prej më se një viti.
Liberalizimi i vizave, keni ecur mirë
Për sa i përket liberalizimit të vizave, Parlamenti Europian mirëpret dhe vlerëson ecurinë e deritanishme të Shqipërisë në këtë proces.
Por, ky institucion i kërkon Komisionit Europian nëse vendi ynë mund të plotësojë tre kriteret e mbetura për muajt e ardhshëm, në mënyrë që Këshilli dhe Parlamenti të jenë të qartësuar për gjithçka kur të marrin vendimin e tyre për heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë brenda këtij viti.
"Mirëpritet mbështetja ndër-partiake për liberalizimin e vizave, shprehur në rezolutën e Parlamentit shqiptar të 11 marsit 2010.
Mirëpritet propozimi legjislativ i Komisionit, dhe i bëhet thirrje Komisionit që të kontrollojë nëse kriteret e mbetura plotësohen në muajt e ardhshëm, me synim të qartësimit të mënyrës për Këshillin dhe Parlamentin për të miratuar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët shqiptarë në fund të 2010-ës", - thuhet në amendamentin 4 të socialdemokratëve europianë.
Në këtë mënyrë kërkohet përmbushja e kriterit që ka të bëjë me riatdhesimin e të kthyerve në Shqipëri, luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe konfiskimin e aseteve të kriminelëve.
Amendamentet e miratuara dje së bashku me Rezolutën për Shqipërinë
Amendamenti 1
Libor Rouçek, Adrian Severin, Hanes Svoboda në emër të grupit politik Socialdemokrat:
Paragrafi 3 (a:
"Shpreh shpresën se qeveria shqiptare dhe opozita në mënyrë të qartë të kuptojnë tejkalimin e kundërshtimeve aktuale politike, e cila është vendimtare për përparimin e vendit drejt integrimit në BE; përsërit përfundimin e arritur në takimin e Punëve të
Jashtme të Këshillit më 17 qershor 2010, se është koha për të gjetur një zgjidhje për krizën politike të tanishme në një bazë që do të qëndrojë në testin e kohës, dhe se kjo është përgjegjësi e qeverisë së Shqipërisë, së bashku me opozitën për të gjetur menjëherë zgjidhjet dhe rrugët, në mënyrë transparente dhe në përputhje të plotë të Kushtetutës shqiptare."
Amendamenti 2
Libor Rouçek Adrian Severin, Hanes Svoboda në emër të grupit S & D
Paragrafi 4 (a:
"Merr parasysh një marrëveshje themelore për ngritjen e një komisioni parlamentar hetimor për të hetuar zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Kryetari dhe shumica e anëtarëve të zgjidhen nga opozita, me një mandat për të hetuar të gjitha materialet zgjedhore.
Kjo duhet të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe thekson se ky komision hetimor duhet të paraqesin konkluzionet e tij në kohë për të mundësuar që Parlamenti të miratojë legjislacionin e ri përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale në bazë të propozimeve të komitetit dhe atyre të bëra nga OSBE- / ODIHR-i."
Amendamenti 3
Libor Rouçek, Adrian Severin, Hanes Svoboda në emër të grupit S & D
Paragrafi 6:
"Mungesat e përsëritura të opozitës në Parlament që nga zgjedhjet kanë të vonuar miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të 3 / 5. Vë në dukje se legjislacioni penal ka nevojë për një shumicë të tillë, ashtu si edhe ligji i shumëpritur për gjykatat administrative; kërkon që opozita të reflektojë thellë mbi veprimet e saj politike;
6. I bën thirrje autoriteteve shqiptare për të hartuar dhe zbatuar sa më shpejt të jetë e mundur një reformë me konsensus në bazë të rregullave të procedurës së Parlamentit, e cila do të sigurojë transparencë në lidhje me burimet administrative dhe financiare, përmirësimin e kapaciteteve mbikëqyrëse në Parlament dhe të drejta të barabarta, dhe përfaqësimi për opozitën në komisionet parlamentare dhe aktivitetet parlamentare; i bën thirrje të dyjave palëve - shumicës dhe opozitës për të zhvilluar një dialog konstruktiv për të siguruar një proces të hapur dhe transparent legjislativ, në konsultim me grupet e interesit dhe të aktorëve të shoqërisë civile, në mënyrë që të miratohen legjislacione të rëndësishme pa vonesa të mëtejshme, duke përfshirë edhe ligjet që kërkojnë një shumicë prej 3 / 5."
Amendamenti 4
Libor Rouçek, Adrian Severin, Hanes Svoboda në emër të grupit S & D
Paragrafi 10:
"Përshëndet miratimin e propozimit legjislativ të Komisionit për liberalizimin e vizave, dhe i bën thirrje Komisionit për të parë nëse nivelet e mbetura mund të përmbushen në muajt e ardhshëm, me qëllim që t'i hapet rruga Këshillit dhe Parlamentit për të miratuar dokumentin e heqjes së regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë deri në fund të vitit 2010.
Përshëndet mbështetjen e ndërpartiake politike për liberalizimin e vizave, e shprehur në rezolutën e miratuar nga Parlamenti shqiptar më 11 mars 2010; mirëpret miratimin më 27 maj 2010 të propozimit legjislativ të Komisionit për liberalizimin e vizave, dhe i bën thirrje Komisionit për të parë nëse standardet e mbetura janë përmbushur ose jo, me qëllim që t'i hapet rruga Këshillit dhe Parlamentit për të miratuar dokumentin e heqjes së regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë deri në fund të vitit 2010."
Amendamenti 5
Libor Rouçek, Adrian Severin, Hanes Svoboda në emër të grupit S & D
Paragrafi 14:
"Mirëpret faktin që ligji i lustracionit u pezullua nga Gjykata Kushtetuese dhe se ligji është aktualisht në shqyrtim, duke u përfshirë në një konsultim të gjerë dhe me konsensus, sidomos me Komisionin e Venecias.
Duhet të përgatitet një projektligj i ri, dhe thekson rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucioneve kushtetuese; 14. Shpreh keqardhjen që shumica në pushtet hodhi poshtë një nga kandidaturat për anëtar në Gjykatën Kushtetuese."
Vrasja është kryer nga dy persona me motor teksa viktima ndodhej në makinë. Shtatë plumba në trupin e Konomit Policia:...
Si u zhdukën "të fortët" e parë të Tiranës, një histori e nisur në fillim të vitevit 1990 kur në...
Lajmet 01 Prill - Ora 12 -
data/01-04-2010
Lajmet 01 Prill - Ora 11 -
data/30-08-2008
Lajmet 01 Mars - Ora 10 -
data/30-08-2008© 1997-2008 SHEKULLI MEDIA GROUP - Rruga Ismail Qemali, Pallati Abissnet - Tirane, [Shqiperi] - Tel. 04 337 8200
Komenti juaj