Arsimi i lartë/ Studentët ankohen se nuk janë informuar për problemet që do të kishin pas përfundimit të trevjeçarit
Mësuesit e ardhshëm të anglishtes e italishtes nuk mund të vazhdojnë studime të mëtejshme, pasi nuk ka pedagogë
Vlorë - Kur pritet që të fillojnë studimet e larta mijëra studentë, një grup prej atyre që i kanë përfunduar janë ngritur në protestë. Ku do të vijojmë studimet dhe pse jemi keqinformuar në vite? Ky ishte problemi i ngritur dje nga një grup studentësh të gjuhëve të huaja në universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, problem që iu përcoll rektorit Shaskaj, por pa marrë një sqarim të plotë.
Këto ditë të para të vitit të ri akademik, që shënon edhe nisjen e programit të nivelit të dytë, janë pritur me reagime nga studentët e degës së anglishtes dhe italishtes, që kanë përfunduar vitin e tretë. Dje ata përcollën shqetësimin për ecurinë e mëtejshme të studimeve. Kjo për faktin se vijimi duket i pamundur për ta pas përfundimit të programit trevjeçar e duke i lënë të zhgënjyer.
Studentët, pas një takimi të zhvilluar pak ditë më parë me rektorin e universitetit, Tanush Shaskaj, kanë kërkuar sërish informacion te rektori, por ky i fundit thjesht i ka drejtuar tek Ministria e Arsimit, e cila, sipas tij, ka kompetencat e duhura për këtë. “Jam shumë e shqetësuar për fatin e mëtejshëm të studimeve të mia”, thotë një studente e vitit të tretë të degës së italishtes. “Duhet të na kishin informuar që kur nisëm studimet apo edhe në vijim se si do të vijonte diplomimi, për të bërë edhe ne zgjedhjet tona”. “Na kanë mbajtur me shpresa deri tani dhe para këtij viti nuk na jepet asnjë shpjegim”,- thotë një studente tjetër.
“Nëse nuk ishin të zotët të vijonin, mos ta aplikonin fare sistemin e Bolonjës”,- thotë një tjetër studente e degës anglisht. “Ne do të vijojmë protestat,” u shprehën studentët, duke u ankuar se kanë qenë tërësisht në kushtet e mungesës së informimit dhe se tashmë gjenden përballë një fakti të kryer. Për këtë ata fajësojnë si Ministrinë e Arsimit, por edhe fakultetet ku janë regjistruar, të cilat u kanë parashtruar nisjen e shkollimit me kushte tërësisht të tjera. Pak ditë më parë, në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, në Fakultetin e Edukimit, u mor vendim të hapet programi Master i Nivelit të Parë në mësuesi, për ciklin e lartë të arsimit bazë, në lëndët “Matematikë-Fizikë”.
Për degët e gjuhëve të huaja, të të njëjtit fakultet, ky është një “mision i pamundur”, pasi, siç mësohet nga vetë rektorati, për nivelin në fjalë nuk është numri i duhur i pedagogëve që plotësojnë kriteret e doktoraturës. Kjo ishte edhe përgjigjja që kanë marrë studentët nga rektori Shaskaj, i cili i ka drejtuar në Ministrisë e Arsimit. 120 studentë të degës italisht dhe anglisht mësohet se do të vijojnë protestat, ndërkohë që janë pjesë e problematikave që ka aktualisht Universiteti i Vlorës.