Anola Bajo ka tentuar që të hidhet nga kati i pestë. Fletët e provimit të saj kanë humbur dhe ajo rrezikon skualifikimin
SARANDË- Humbja e fletës së maturës dhe indiferentizmi i institucioneve shtetërore kanë shpënë dje një 18- vjeçare nga Saranda drejt vetëvrasjes. Anola Bajo, maturante e vitit të katërt në shkollën e mesme të Përgjithshme “Hasan Tahsini” pretendon se ka humbur të drejtën e klasifikimit pas zhvillimit të të gjitha raundeve të provimeve të maturës shtetërore. Paraditen e djeshme ajo është ngjitur në parvazin e katit të pestë dhe ka kërkuar që aty të shkonte kreu i drejtorisë arsimore ose në rast të kundërt do të vriste veten. Për fat të mirë situata është qetësuar pa minuta më vonë dhe vajza ka shpëtuar.
Historia e saj ka nisur një muaj më parë kur nuk iu dha rezultati i provimit të letërsisë, të cilin e kishte zhvilluar si gjithë maturantët e tjerë. Prindërit e saj dhe vetë 18- vjeçarja pretendojnë se nuk dihet pse por në kolonat e rezultateve emri i maturantes Anola Bajo nuk figuronte i klasifikuar. “Të gjithë maturantët morën rezultatin, ndërsa ajo jo”,- thotë e ëma e vajzës, Varvara. Verifikimet e mëtejshme kanë treguar se atë ditë në provim, në grupin e saj janë shpërndarë 21 teste për 21 maturantë por janë korrigjuar 20 të tillë. “Prisnim rezultatet e provimeve të Letërsisë.
Pjesës më të madhe të maturantëve iu shpallën rezultatet në shkollë, ndërsa 21 nxënës nuk e kishin emrin në lista. Pas dy ditësh erdhën edhe përgjigjet e 20 testeve, ku mungonte vetëm njëri. Administratorët na thanë që të merrte secili testin e tij, madje na porositën që të verifikonim me kujdes shkrimin. Të gjithë morën fletët e tyre ndërsa unë nuk e gjeta provimin tim. Ata më thanë se provimi im mungonte pasi unë nuk e kisha dorëzuar”,- tregon vajza 18- vjeçare. Në këtë moment ajo ka nisur të qajë. Edhe gjatë ditëve në vazhdim ajo ka provuar që të gjejë testin e humbur por më kot.
Paraditen e djeshme vajza është vënë në dijeni se rrezikohet që të skualifikohet përfundimisht dhe të trajtohet si mbetëse në maturën shtetërore, ndaj edhe ka marrë vendimin ekstrem. Për t’i dhënë fund kësaj situate, prindërit mes lotëve kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe ardhjen e drejtorit të Zyrës Arsimore, Eduard Mehmeti, për të zgjidhur situatën. Vajza kërkonte zgjidhje ose ajo do të hidhej për tu vetësakrifikuar.
Sipas pretendimit të prindërve, zyra arsimore nuk kishte dërguar asnjë shkresë në ministri për të justifikuar të paktën dëmin që kanë shkaktuar. Kjo ka qenë arsyeja që nga kati i pestë maturantja kërkonte që të vinte vetë drejtori i Zyrës Arsimore, që sipas saj kishte premtuar se çdo gjë do të rregullohej. Ajo kërkonte që ai të premtonte edhe një herë para publikut të mbledhur rreth pallatit se Anola nuk do ta humbiste vitin akademik dhe se do të shkonte në shkollën e lartë. Pas thirrjeve të shumta për të hequr dorë, vajza është bindur dhe ka zbritur nga parvazi ku ishte ngjitur.
Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, e ka siguruar se do të ndërhynte në instancat superiore te Arsimit që të krijohej një mundësi për të një sezon special për tu klasifikuar maturantja Anola Bajo në lëndët që ajo nuk u testua dhe t’i krijohet mundësia për zgjedhje të degës për në shkollën e lartë. Kjo zgjidhje u pranua nga palët dhe i dha fund një ankthi që mbërtheu qytetin për disa orë.