Marte, 09 Shkurt 2010 16:50:00

Lexoni versionin Print

Industria gjermane e veshjeve në Shqipëri

Një aspekt i rëndësishëm i interesit të delegacionit gjerman për të bashkëpunuar me ndërmarrjet shqiptare të veshjeve, ishte prodhimi i këmishave, bluzave, prodhimi i veshjeve për gra, veshjeve të brendshme dhe veshjeve të punës

T.B
Premte, 18 Prill 2008 14:55:00

Jemi më shumë se sa të befasuar nga potenciali që ofron industria shqiptare e veshjeve në bashkëpunimin e ardhshëm me firmat gjermane. Kështu iu shpresh Kai Armann, drejtori ekzekutiv i fabrikës së tekstileve Sanetta GmbH & Co me qendër në Meßstetten, njërit prej prodhuesve më të rëndësishëm gjermanë të veshjeve, i cili mori pjesë në udhëtimin informativ të njëzet prodhuesve gjermanë të shquar të veshjeve, që u zhvillua nga 14-18 prill 2008 në Shqipëri.

Vizita e firmave gjermane, prej të cilave ishin të pranishme ndër të tjera edhe ndërmarrje me famë botërore si Hugo Boss ose Triumph International, ishte një pjesë e rëndësishme e Programit për Zhvillimin Ekonomik dhe Politikat e Punësimit në Shqipëri, program të cilin për momentin po e zbaton në Shqipëri Shoqëria për Bashkëpunimin Teknik (GTZ GmbH) me porosi të Ministrisë Federale për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik (BMZ) në bashkëpunim me Komisionin e Lindjes të ekonomisë gjermane.

Një aspekt i rëndësishëm i interesit të delegacionit gjerman për të bashkëpunuar me ndërmarrjet shqiptare të veshjeve, ishte prodhimi i këmishave, bluzave, prodhimi i veshjeve për gra, veshjeve të brendshme dhe veshjeve të punës. Gjithsej u përzgjodhën nga GTZ-ja rreth njëzet ndërmarrje shqiptare të prodhimit të veshjeve me seli në Tiranë, Durrës, Shkodër, Krujë dhe Berat, të cilat u vizituan nga firmat gjermane. Në delegacion bënin pjesë edhe drejtorët ekzekutivë të Shoqatës së Industrisë Gjermane të Veshjeve, nga Kölni, të Shoqatës së Përgjithshme të Industrisë Gjermane të Trikotazheve, nga Shtutgarti, një gazetare e kësaj fushe me eksperiencë mbarbotërore, një ndërmarrje europiane lider në teknologjinë e presëtarisë si edhe për logjistikën e transportin.

“Nga perspektiva e të gjithë pjesëmarrësve gjermanë udhëtimi informativ ishte një sukses i vërtetë,” – tha Reinhard E. Döpfer, drejtor ekzekutiv i Shoqatës për Marketingun Ndërkombëtar të Modës dhe Textileve (ITMM),  i cili në bashkëpunim me GTZ-në dhe ekspertin e saj për teknologjinë e veshjeve, z. Wolfgang Weis, përgatiti dhe realizoi udhëtimin. Dörpfer e arsyeton mbylljen pozitive të udhëtimit me argumentin që firmat gjermane për herë të parë patën rastin të krijonin një opinion personal për vendin dhe njerëzit si edhe të hiqnin paragjykimet me bazë historike. Përveç kësaj, përsa u përket sipërmarrësve që u vizituan dhe punëtorëve të tyre, ata treguan një shkallë të lartë serioziteti dhe një bazë solide së bashku me pretendime për rezultate dhe rendimente të larta. Përsa i përket profesionalitetit të ndërmarrjeve shqiptare të prodhimit të veshjeve, një e treta e firmave të përshira në programin e vizitave u vlerësuan me notën “mirë deri shumë mirë”, një e treta me “kënaqshëm deri mjaftueshëm” dhe një e treta me “ende pamjaftueshëm por të afta për t’u zhvilluar”.

Kritere të rëndësishme gjatë vlerësimit ishin organizimi dhe racionaliteti i proceseve të prodhimit, shkalla e vjetërsisë së makinerive, niveli i rendimentit dhe fleksibiliteti i rrobaqepëseve, respektimi i standardeve të cilësisë dhe i kërkesave minimale ekologjike si edhe gjendja e përgjithshme e ambjenteve të ndërmarrjes dhe higjiena e tyre. Sipas mendimit të ekspertëve gjermanë, rreth dy e treta e firmave shqiptare kishin nevojë të përmirësoheshin dhe të përshtateshin me normat ndërkombëtare e bashkëkohore në fuqi përsa u përket të gjitha këtyre aspekteve të prodhimit. Pala gjermane i konsideron përmirësimet në këtë drejtim si të realizueshme dhe pa kosto të lartë financiare për investimet.

Por industria gjermane sheh një deficit të përgjithshëm në faktin se vetëm shumë pak firma shqiptare kanë në dispozicion impiante presëtarie të komanduara me kompjuter, çka është një kusht i rëndësishëm paraprak për thellimin e procesit të prodhimit  siç e kërkojnë porositësit gjermanë në përgjithësi prej partnerëve të tyre të huaj të prodhimit.
Në këtë pikë ata ndryshojnë dukshëm nga porositësit italianë, të cilët zakonisht ua çojnë ndërrmarrjeve shqiptare të fasonit kallëpet në mënyrë komplete duke e kufizuar standardin e cilësisë në Shqipëri në një minimum. Industria gjermane e veshjeve  konsideron që për rritjen e standardeve të cilësisë të procesit të prodhimit qeveria shqiptare ka ende shumë për të bërë dhe do të duhej që për këtë qëllim të vinte në dispozicion mundësira të favorshme financiare në formën e programeve për kredi të nivelit të mesëm. Në përgjithësi industria gjermane e veshjeve e sheh Shqipërinë si vend prodhimi, si një alternativë të rëndësishme dhe të aftë për zhvillim në 5 deri 10 vitet e ardhshme për t’u futur në rrjetin e firmave të fasonit të përqëndruar në Evropën e mesme dhe juglindore. Sipas zëdhënësit të delegacionit ajo është e gatshme ta mbështesë industrinë shqiptare të prodhimit të veshjeve gjatë zhvillimit të saj  duke i dhënë porosi sa më shpejt të jetë e mundur, si dhe me anë të përcjelljes së njohurive dhe eksperiencës dhe duke mos përjashtuar mundësinë e investimeve në ndërmarrje private që do të ngrihen në Shqipëri.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML