Pas të dhënave për rritje të korrupsionit ditën e djeshme nga sondazhi i bërë nga IDRA dhe i financuar nga USAID, kryeministri i vendit Sali Berisha dhe kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, kanë trumbetuar arritjet e tyre para militantëve të Lezhës. Ata kanë kundërshtuar sondazhin dhe janë shprehur se kanë bërë reforma të cilat kanë ulur korrupsionin në vend, ndryshe nga ç’parashtroi USAID për rritje të tij me 13%.
Megjithë të dhënat për rritjen e kostos së jetesës së shqipëtarëve, Berisha është shprehur se janë rritur pensionet dhe pagat. Po të njëjtën gjë ka deklaruar nga ana e saj edhe Jozefina Topalli. Sipas tyre paratë për rritjen e këtyre pensioneve dhe pagave janë gjetur nga lufta ndaj korrupsionit.
“Mos harroni se tre vjet më parë ministrat dhe zv -ministrat kishin vendosur monopolet. Unë them se sërish ka zyrtarë të korruptuar por nuk ka zyrtarë me monopole siç kishte tre vjet mëparë” – tha Berisha.
Po ashtu Berisha ka ftuar qytetarët shqiptarë të jenë bashkëpunëtorë në luftën ndaj korrupsionit. Bëhuni pjesë e kësaj lufte se sa më shumë të luftojmë këtë kancer aq më lartë do ngjitemi ne” –tha Berisha.
Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli u shpreh se janë bërë reforma në të gjitha aspektet e jetës.
Sipas saj Shqipëria ka rritjen më të madhe ekonomike prej 6%, krahasuar me Italinë që e ka 0%, Francën 2% dhe Gjermaninë 3%. Por sipas ekspertëve të ekonomisë ky krahasim që bën Topalli nuk është i drejtë pasi rritja ekonomike normalisht është më e madhe në vendet në zhvillim se sa në ato të zhvilluara si Italia, Franca apo Gjermania të cilat kanë arritur standardet e kërkuara, dhe kanë industri e ekonomi të zhvilluar dhe të fuqishme.
“Ne rritëm pensionet dhe paratë i gjetëm nga lufta ndaj korrupsionit” – u shpreh Topalli. Por janë vetë pensionistët që deklarojnë se megjithë rritjen e pensionit, çmimet e rritura të ushqimeve kanë bërë që ai pension të mos dalë as për kushtet minimale të jetesës.
Ndërsa media dhe shqiptarët prisnin reflektim të qeverisë ndaj sondazhit, Berisha deklaron se nuk beson te perceptimi i publikut
Rreth 87% e shqiptarëve besojnë se korrupsioni është rritur ose ka mbetur në të njëjtat nivele gjatë vitit 2007. Duket se vetë kryeministri Sali Berisha, i takon minorancës prej 13%, të cilët mendojnë se korrupsioni është ulur.
Dje, kur media dhe opinioni publik priste që kryeministri dhe qeveria e tij të përgjigjeshin për rezultatet dramatike të sondazhit mbi korrupsionin, një projekt i financuar nga USAID dhe i prezantuar nga ambasadori i SHBA-ve, John Withers, z. Berisha anashkaloi një përgjigje të drejtpërdrejtë, por përsëriti ndoshta për të njëqindtën herë se "korrupsioni është ulur".
"Ka korrupsion, por në administratën time nuk ka më konflikt interesi dhe ne po e luftojmë atë", - tha kryeministri duke folur para një grupi euforik studentësh në Qytetin Studenti, duke mbrojtur hapur administratën e tij.
Dy ditë më parë, u bë e ditur se 75.3% e shqiptarëve ndjenin se problemet e vendit sot janë papunësia, problemet ekonomike dhe varfëria. Sipas z. Berisha, problemi i vendit është mungesa e lirisë. "Shqipëria është një nga vendet më të pasura në botë për nga burimet", - deklaroi kryeministri para studentëve. "Ne jemi sot të varfër sepse na ka munguar liria".
Këshilltarikryeministrit për luftën kundër korrupsionit, z. Fatbardh Kadilli, deklaroi nga ana e tij për TV Klan se rritja e numrit të shqiptarëve që ndjejnë se ka korrupsion, është edhe si pasojë e luftës së qeverisë kundër korrupsionit. "Sa më shumë nisma ligjore të ketë, sa më shumë arrestime të ketë, aq më i lartë është perceptimi se ka korrupsion", - deklaroi Kadilli, sipas të cilit, është shumë pozitiv fakti se vetëm 5% e shqiptarëve e konsiderojnë korrupsionin si problem të vendit, kuotë kjo në rënie kundrejt viteve të mëparshme.
Vetë kryeministri Berisha, deklaroi pak javë më parë se nuk besonte te opinioni publik si matës i realitetit të korrupsionit në vend. I pyetur nga BBC "Hard Talk", se pse më shumë shqiptarë vlerësojnë se mitmarrja dhe korrupsioni është rritur, kryeministri tha: "Këto janë perceptime. Në realitet është shumë më pak".