Zyrtarë pranë qeverisë, këshilltarë të kryeministrit si dhe media zyrtare, publikuan të paplota të dhënat e sondazhit, thanë se "korrupsioni është i lartë në drejtësi" apo e përdorën fjalën e z. Withers për interesat politike të mazhorancës. Në kuvend, deputeti Bujar Leskaj kërkoi heqjen e imunitetit të deputetëve dhe akuzoi opozitën si kundërshtare për këtë reformë.
Gazeta zyrtare e PD, Rilindja Demokratike komentoi të dhënat e publikuara dy ditë më parë në mënyrë selektive, duke rënë në konkluzionin se korrupsioni është "veçanërisht i lartë mes drejtësisë dhe shëndetësisë", por nuk përmendi në asnjë rast të dhënat për ministrat dhe deputetët. Në fakt, perceptimi publik vë në dukje se në gjykata ka pasur më pak korrupsion gjatë vitit të kaluar, në sistemin e shëndetësisë nuk ka pasur ndryshim ndërsa në rangjet politike, është rritur. Pati mes mbështetësve të qeverisë që përgënjeshtruan të dhënat për korrupsionin. Këshilltari për politikat antikorrupsion, Fatbardh Kadilli, deklaroi në TV Klan se të dhënat për perceptimin e korrupsionit janë të pavërteta dhe se korrupsioni është në ulje.
Rezultatet e një sondazhi të publikuar, vunë në dukje se qytetarët vlerësojnë se korrupsioni është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar dhe se konsiderojnë veçanërisht të korruptuar ministrat dhe deputetët. Rezultatet vënë në dukje se qeveria Berisha po bie në të njëjtin nivel korrupsioni ose më poshtë në krahasim me vitin 2005, kur në qeveri qenë të majtët. Sipas sondazhit, kryeministri ka humbur besimin e qytetarëve të të gjitha bindjeve politike, por veçanërisht mes atyre me prirje të djathta. Në vitin 2006, 18.3% e shqiptarëve me prirje të djathta besonin se korrupsioni qe shtuar. Për 2007, ata që e besojnë rritjen e korrupsionit arritën në 38.5%.
Shpresë e vrarë
Indekset që masin besimin publik kritikohen në të gjithë botën si mekanizma jocilësorë, por pavarësisht kësaj, pranohet se publiku ndjen korrupsionin më shumë kur gjendja e tij ekonomike vështirësohet. Në vitin 2005, energjia elektrike qe shqetësimi kryesor i të intervistuarve. Vitin e kaluar, (kur vendi kaloi krizën më të rëndë energjetike në histori), ky qe i gjashti në listën e shqetësimeve të popullatës. Vendin e parë, të dytë e të tretë, e zunë papunësia, problemet ekonomike dhe varfëria. Përkundrejt këtyre të dhënave, kryeministri Berisha deklaroi para studentëve dje: "Shqipëria është një nga vendet më të pasura në planet, por mbetet vend i varfër për shkak se i ka munguar liria".
Sondazhi vëren se 60% e shqiptarëve e vlerësojnë sot situatën ekonomike si të keqe ose shumë të keqe, shifër kjo 13% më e lartë se në vitin 2006. Më shumë se gjysma e popullatës vëren se ekonomia është përkeqësuar gjatë vitit të shkuar, pavarësisht deklarimeve të qeverisë për miliarda investime të huaja dhe rritje ekonomie 6%. Problemi më i rëndë, është se një pjesë e konsiderueshme e popullatës kanë humbur shpresën. Rreth një e treta e vendit beson se ekonomia do të përkeqësohet gjatë vitit të ardhshëm.