Ministri i Bujqësisë Jemin Gjana nuk ka dhënë asnjë shpjegim për vajin kancerogjen që mendohet të jetë futur në tregun vendas. Ai është paraqitur shumë i qetë në një panair agrobiznesi në qytetin e Beratit dhe i është përgjigjur kështu interesimit të medias: “Ndodhem këtu për panairin e agrobiznesit dhe shpjegimet për vajin do ti jap në Tiranë”.
Po të njëjtin reagim ka patur edhe kreu i doganave Përparim Dervishi, i cili është shprehur se ‘po bëhen verifikime dhe deri tani nuk ka asgjë të konfirmuar’.
Vaji kancerogjen
Fati i dhjetëra tonëve vaj të importuar nga rafineria famëkeqe e Volosit në Greqi, importuar prej kohësh në drejtim të tregut shqiptar, mbetet ende i paqartë. Ministria e Bujqësisë ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se në tregun vendës, nuk ka hyrë nga ky produkt, pasi analizat e bëra nga Drejtoria e Bujqësisë në Korçë kanë rezultuar të pastra.
Por nëse i referohemi fakteve se si është zbuluar sasia rekord e vajit prej më shumë se 2 mijë ton në Greqi, atëherë dyshimet për depërtimin e këtij vaji të ndotur edhe në tregun vendës, shtohen. Sipas Ministrisë Greke të Ushqimit, sasia prej 1 182 ton vaj e bllokuar në Greqi, erdhi pas analizave që për Ministrinë helene janë vënë në dispozicion nga ana e Institutit të Analizave në Berne të Zvicrës. Pra, kur në shtetin fqinj, që është edhe anëtar i Bashkimit Europian, ka mundur që kjo sasi vaji të depërtojë lehtësisht në dogana, atëherë ç’mund të themi për analizat e bëra në Shqipëri për këtë vaj të ndotur rëndë me dikosinë? Gjatë ditës së djeshme, autoritet greke kanë njoftuar se për këtë çështje kanë filluar hetimet, të urdhëruara nga instancat e Prokurorit të Përgjithshëm në Athinë. Këto hetime do të nxjerrin në dritë edhe mundësinë se si një sasi kaq e madhe vaji, i cili 10% të tij përbëhej nga lubrifikantë makinash, kishte mundur që të kalonte pa asnjë problem doganat greke dhe të arrinte të përpunohej në rafineritë greke, në një kohë që sinjalizimi që pengoi shitjen e tij në treg mundi që të vinte vetëm nga Instituti i Bernes në Zvicër.
***
Vaji i rafinerive të Volosit, në Greqi, importohet prej 6 muajsh në Korçë. Tashmë paniku ka përfshirë 350 mijë banorët e qarkut të Korçës, ndërkohë që krerët e Drejtorisë së Bujqësisë garantojnë se vaji me elementë kancerogjene nuk ka depërtuar nga shteti fqinj në Shqipëri, ndonëse kjo nuk mund të jepet me siguri. Nga ana tjetër, edhe vetë drejtuesit e firmës “Dessina Ballkan” në kryeqendrën e Juglindjes, pretendojnë të mos kenë futur asnjëherë vaj të përzierë me lubrifikantë, ndërsa sipas tyre mungesa e vajit të lulediellit ka qenë e gjatë në rafineritë ku ata furnizoheshin. Por gjithçka mbetet e veshur me mister të plotë, ndërkohë që nuk dihet me saktësi se sa është e garantuar jeta e konsumatorit, ku prej 6 muajsh rezulton se ata kanë konsumuar vajin “Ballkan” i cili vinte nga Greqia. Madje, veç vajit të lulediellit, kjo firmë ka importuar gjithashtu dhe vaj pambuku dhe vaj kolze, që duket se nuk janë shumë të preferuar nga shqiptarët. Nisur nga kjo situatë alarmante pas skandalit të zbuluar një ditë më parë në Greqi, ku janë bllokuar rreth 2 mijë ton vaj luledielli, i përzierë me lubrifikantë makine i cili ka në përmbajtje të tij elementë kimikë që rrezikojnë jetën e njeriut, ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana ka nisur gjatë të premtes drejt Korçës një grup kontrolli, për të marrë kampione të vajit luledielli të firmës korçare që ka importuar nga firma greke “Manos S.A.”. Gjithashtu ka nisur dhe kontrolli i dokumentacionit në doganën e Kapshticës, nga e cila janë zhdoganuar sasi të jashtëzakonshme vaji, vetëm për tregun korçar.
***
Petrit Hajdërlliu, pronari i firmës “Dessina Ballkan” thotë se nga distributori kryesor i vajit në Greqi ka marrë ngarkesën e fundit prej 18 tonësh, në muajin prill. Sipas tij, vaji i lulediellit ka qenë shumë i kërkuar në tregun shqiptar dhe më gjerë, madje, dhe firma në Greqi nuk ka patur sasi të mëdha në dispozicion, për të përballuar kërkesat e shumta të tregut. Por, nga ana tjetër, Hajdërlliu mohon të ketë futur në Shqipëri vaj me përzierje kancerogjene të dëmshme për shëndetin e njeriut, ku sipas tij, ky vaj ka vetëm pak kohë që ka mbërritur nga Ukraina dhe ishte në proces rafinimi në Volos. “Firma ime nuk ka futur asnjëherë vaj me përbërës të rrezikshëm, kjo dhe për faktin se, ai iu nënshtrohet të gjitha analizave laboratorike nga institucionet përkatëse. Sasitë që kam sjellë, nuk i janë shmangur analizave dhe laboratori mund të konfirmojë një gjë të tillë, pasi ne në të gjitha rastet jemi korrektë”,- thotë ndër të tjerë pronari i firmës shqiptare Petrit Hajdërlliu, e cila sipas mediave greke, por dhe qeverisë greke, ka qenë distributori kryesor për Shqipërinë. Vetë Hajdërlliu thotë se ka nisur bashkëpunimin me “Manos S.A.”, rreth 6 muaj më parë, pasi kjo ishte dhe një nga fabrikat por dhe distributorët kryesorë të vajit nga viti 1934 në Greqi, por dhe njëherësh, furnizuesja e një sërë tregjesh të shteteve evropiane. Përsa i përket vajit të lulediellit, ai bënë të ditur se ngarkesa e fundit e mbërritur në Shqipëri mban datën 17.04.2008, pra vetëm tre javë më parë, ndërkohë që kjo e bën dhe më të mistershme cilësinë e këtij vaji, që nuk gjendet më në magazina. Kjo ngarkesë, sipas dokumentacionit që gjendet pranë doganës së Kapshticës, ka gjithashtu dhe vaj kolze dhe pambuku, ndërkohë që sasia kryesore prej 18 tonësh është vaj luledielli. Nuk dihet nëse ky vaj vjen nga Ukraia dhe është rafinuar në Volos, përgjigje të cilën dhe vetë pronari i firmës shqiptare nuk di ta japë, por, sipas tij, ai ka kryer importin e këtij produkti ushqimor mjaft të konsumueshëm, konform të gjitha rregullave. Drejtoria e Bujqësisë dhe Ushqimit në Korçë, është vënë në alarm për sasitë e vajit që kanë hyrë në juglindje nga Greqia, ndërsa është kërkuar ribërja e analizave të kampionëve që ka vënë në dispozicion “Dessina Ballkan”. Sipas Adrian Mahos, drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe Ushqimit në Korçë, laboratori i kësaj drejtorie ka kryer të gjitha analizat në bazë të aparaturave që ata kanë dhe nuk figuron të ketë elementë të rrezikshëm kancerogjenë, që çojnë deri në vdekjen e njeriut. Maho shprehet për gazetën, se gjithçka është në kontroll të plotë dhe nuk duhet të ketë vend për panik.