ELBASAN- Një masë tritoli ka bërë që bar-piceri "Jurevi", të shpërthejë. Lokali ndodhej në katin e parë të një pallati në lagjen 'Beqir Dardha', afër shkollës pedagogjike "Luigj Gurakuqi", në Elbasan.
Shpërthimi ka ndodhur në orët e para të mëngjesit siç bëhet e ditur nga policia. Ndërkohë që shefi i komisariatit të Elbasanit, Gjelodh Prendi ka deklaruar se masa e tritolit ka qenë e vogël, pasi të vetmet dëme që janë shkaktuar janë prishja e qepenit dhe është thyer xhami.
Arsyet e këtij shpërthimi ende s'janë identifikuar nga forcat e policisë, të cilat po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Pronari i bar-picerisë Thanas Ndrio në intervistën e dhënë për Shekullin u shpreh se ' e vetmja arsye për vënien e tritolit është konkurrenca, se nuk kemi pasur probleme asnjëherë'.
Ndërkohë që për të hetuar këtë ngjarje kanë ardhur disa ekspertë nga Tirana. Deri tani nuk asnjë përgjigje zyrtare nga policia për autorët e kësaj vepre penale, por mësohet se janë shoqëruar disa në komisariat për t'u marrë në pyetje.