Kryesocialisti beson se ish-aleati i tij, Ilir Meta do të kthehet në koalicionin e madh opozitar
Rama: Lufta e Metës, për interesa personale
"Ilir Meta s'është armiku, as kundërshtari im, po një aleat që aktualisht ka një problem të madh me veten"
Kryesocialisti, Edi Rama duke komentuar zhvillimet brenda kampit të majtë, vlerëson se lufta që ka hapur Lëvizja Socialiste për Integrim ndaj Partisë Socialiste ka në thelb të saj vetëm interesat personale të ish-aleatit të vet, Ilir Meta. Megjithëse gjykon se Meta ka rënë në batakun e politikës së vjetër, Rama është shpresëplotë se, edhe LSI do t'i bashkëngjitet koalicionit të madh opozitar përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009. Ndërkohë, përsa i përket marrëdhënieve me kryeministrin Berisha, kreu i selisë rozë përjashton të ketë një marrëveshje të fshehtë me të, duke u shprehur nga ana tjetër se, bashkëpunimi i kohëve të fundit midis opozitës me mazhorancën për çështjet madhore është pjesë e filozofisë së politikës së re.
Zoti Rama, gjendemi sërish në pozitën e pas 3 korrikut 2005. LSI ndodhet edhe njëherë përballë PS, si në kohën kur sulmonte Fatos Nanon. A përbën kjo parti një fatalitet politik për partinë tuaj?
Unë nuk besoj tek fataliteti, madje më pëlqen shumë një fjalë e urtë, që thotë "Fati i njeriut është karakteri i tij". Kthimi i Ilir Metës në batakun e politikës së vjetër është problem, në radhë të parë, për ardhmërinë e vetë LSI-së e sigurisht edhe për ndjekësit e saj. Padyshim, nuk është as në të mirën e qendrës e të së majtës shqiptare dhe as në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve sot që një forcë, sado e vogël, të shkëputet nga fronti i madh opozitar - i cili aktualisht e tejkalon me herë të tëra shumën e partive të opozitës - e të rifillojë një avaz të vjetër, pa kurrfarë lidhjeje me hallet e me aspiratat e vendit e të njerëzve tanë. Me një fjalë, s'mund të mos trishtohesh kur sot, që Shqipëria kërkon të ndërrojë faqen e një historie 17 vjeçare keqqeverisjeje, një njeri i ri në moshë e i vjetër në politikë si Ilir Meta s'gjen asgjë më të hajrit për të bërë sesa të rikthejë në skenën e jetës politike shfaqjen mizerabël të luftës joparimore e joetike brenda llojit, për interesa krejt personale. Por, s'ka po ashtu asnjë dyshim se kjo lojë, e luajtur njëherë në kurriz të së majtës përpara 3 vjetësh, nuk mund e nuk do të ketë të njëjtin fund të keq për shumicën e shqiptarëve që qeverisen nga Berisha edhe pse s'kanë votuar për të. Qytetarët e këtij vendi, nuk kanë më asnjë nga arsyet që patën në vitin 2005 për të mos e votuar Partinë Socialiste dhe nuk do t'i japin Berishës një mandat të dytë, duke e hedhur votën opozitare kot për Ilir Metën, në rast se Iliri do të qëndrojë jashtë aleancës së madhe politike e qytetare, të cilën po e ndërtojmë dita-ditës jo për të zbritur nga kali një Kryeministër e ca ministra e për ta kthyer pushtetin në kalë të ca të tjerëve, që do të vazhdojnë avazin e këtyre 17 viteve, po për ta mbyllur kapitullin e politikës së vjetër që i mori shumë Shqipërisë e u dha shumë pak shqiptarëve dhe për të zmbrapsur me fuqinë e madhe të ndryshimit armiqtë realë të vendit e të popullit shqiptar, të cilët janë varfëria, papunësia, injoranca, dhuna, korrupsioni.
A gjykoni se ka më hapësirë për një ribashkim me ish-aleatin tuaj, para zgjedhjeve të ardhshme?
Jo vetëm s'jam unë, dhe as Partia Socialiste, shkaku i rirënies së Ilir Metës në batakun e politikës së vjetër, po as e kam dëshiruar e as nuk më vjen hiç mirë ta shoh një mik e bashkëpunëtor në këtë pështjellim të pakontrolluar që gjeneron vetëm energji negative. Prandaj edhe s'kam asnjë arsye për të mos u përpjekur që edhe Ilir Meta të jetë pjesë e bashkimit të ri që po ndërtojmë përtej kufijve të vjetër të partive politike, me të gjithë shqiptarët e dëshiruar për të hapur një faqe të re në historinë e këtij vendi.
Meta dhe liderë të tjerë politikë, apo edhe media të ndryshme, kanë atakuar përmbajtjen dhe mënyrën se si u kryen ndryshimet kushtetuese. Cili është komenti juaj?
Nëse është e vërtetë ajo thënia, se "Cilësia e demokracisë shihet më mirë se kudo tek mënyra se si nuk jemi dakord me njëri-tjetrin", duket po aq e vërtetë që në këtë aspekt, ne shqiptarët kemi për të bërë më shumë se në çdo aspekt tjetër të bashkëjetesës sonë demokratike. Jemi ende tejet të prirur për ta thënë fjalën e fundit të parën, për të parë një arsye për t'u shamatosur me tjetrin në çdo gjë me të cilën s'jemi dakord, për të gjetur pas çdo gjëje që s'na vjen për shtat, gjithfarë arsyesh të paqena. Kultura e paragjykimit për njëri-tjetrin dhe e frikës prej komplotit permanent pas shpinës sonë, të cilën komunizmi e kultivoi për pesëdhjetë vjet, ka ende rrënjë të thella në mendjet tona. Ajo na ysht rëndom në konkluzione të nxituara e të gabuara për çka bëjnë ata me të cilët s'jemi dakord. Në këtë aspekt, besoj se politika e vjetër e këtyre 17 vjetëve ka qenë një zgjatim karikatural i kohës së vjetër të vigjilencës revolucionare e të zbulimit të komploteve në luftë me armikun e brendshëm e të jashtëm. Po kjo është një temë që meriton shtjellime, të cilat s'është as vendi e as koha t'i bëjmë. Ndërkohë që, lidhur me qëndrimet konkrete të Ilir Metës për ndryshimet kushtetuese, unë do të thosha, në rastin më të mirë, janë qëndrime të pajustifikueshme për një njeri që ka qenë Kryeministër e Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Që do të thotë se, minimalisht, duhet të ruajë etikën. Jo thjesht në kuptimin e edukatës qytetare, që është minimumi i munguar në këtë rast. Por në sensin e gjerë të respektit për hapësirën demokratike të komunikimit, e cila është mjaft e ndotur në një Shqipëri të sfilitur nga dasitë e sherret, ku së paku politikanët që kanë qenë në majat e shtetit, s'duhet të sillen si ndotës kryeneçë, po si pastrues kokulur. S'është anormale që Iliri të mos jetë dakord me mua, qoftë për ndryshimet kushtetuese, qoftë për mënyrën se,si u bënë. Por është krejt anormale, që në vend të komunikimit normal, ai zgjodhi rrugën e shkëputjes nga koalicioni ynë. Madje, ende pa u bërë asnjë ndryshim dhe pa u marrë asnjë vendim. Ashtu siç është krejt anormale që pasi ne u ndamë si miq, e me fjalën që do të ritakoheshim sapo ai të konsultonte me njerëzit e tij të dhënat për sistemin spanjoll, "përgjigjen" negative s'erdhi të ma jepte sy më sy, bashkë me çfarëdo propozimi alternativ, siç do të ishte fare normale, po na e dha të gjithëve në televizor, në formën e një deklarate brutale, për krijimin e një të majte tjetër. Krejt anormale është edhe gjithçka rrodhi më pas, në kuptimin që e gjitha u kthye prej Ilir Metës në një kacafytje irracionale me Partinë Socialiste, ku Kushtetuta ishte e mbetet sebepi, po problemi real i tij, është vetja e dalë jashtë kontrollit. S'më takon mua të analizoj arsyet e shpërthimit të mllefit që ka errësuar sytë dhe helmuar gjuhën e Ilir Metës, po di të them vetëm se jam i keqardhur për të, si për një mik që nuk di si ta ndihmosh.
Sa i vërtetë është sot, aksi politik Berisha-Rama?
Mes meje e Kryeministrit, s'ka aks po duel politik. Është një duel që zhvillohet në një kontekst të ri, të cilin ende s'mund ta quajmë stad të ri të politikës shqiptare, po që padyshim, ndryshon ndjeshëm nga konteksti i përplasjes së imponuar prej arrogancës së pashoqe të Sali Berishës, deri në pikën kulmore të zgjedhjeve të 18 shkurtit, në të cilën qytetarët i dhanë Kryeministrit një shuplakë spektakolare dhe Partisë Socialiste e opozitës një vlerësim pozitiv për përpjekjet e bëra gjer më aty e për sjelljen qytetare në atë fushatë, që ishte e para në historinë pluraliste, ku balta e politikës së vjetër hidhej vetëm prej njërës anë dhe ku nga ana tjetër u dëgjua një gjuhë e re. Por, besoj se ky kontekst nisi të trajtësohej qysh se Sali Berisha u ndje ngushtë në kostumin e kryeministrit, në kushtet kur afrimi i mëtejshëm i Shqipërisë me BE-në e me NATO-n, posaçërisht pas zgjedhjes aspak dinjitoze të Presidentit të Republikës, u lidh qartë me reforma që në asnjë vend të botës demokratike s'bëhen dot pa opozitën. Pak më pas, kur në horizontin e politikës shqiptare u vendos publikisht prej partnerëve tanë të mëdhenj euroatlantikë piketa e dukshme e Bukureshtit, së bashku me detyrat konkrete të shtëpisë për politikën shqiptare, kryeministri duket e kuptoi se pa opozitën ftesa për anëtarësim në NATO mund të mbetej një mirazh. I mbetur pa rrugë tjetër, po edhe i interesuar për të kapur trenin për Bukuresht, atij nuk i mbeti veçse të ndiqte Partinë Socialiste që nuk humbi asnjë orë për t'i shërbyer interesave të mëdha të vendit dhe i priu procesit të reformave të domosdoshme sapo kjo u pa e mundshme. Nuk humbëm asnjë orë sepse, mund t'ju them pa farë ngurrimi, kështu do të kishte qenë ky duel qysh ditën time të parë në krye të opozitës në rast se, në anën tjetër, nuk do të ishte një kryeministër në delirin e fitores së pamerituar të 3 korrikut, i cili donte të pamundurën, nënshtrimin tonë, dhe na detyroi të rezistonim paqësisht po shumë vendosmërisht, për të mbrojtur disa standarde të jetës parlamentare e demokratike në Shqipëri, duke marrë edhe koston e pashmangshme në kushtet kur qe krejt e pamundur ajo që, siç e thashë më lart, u bë e mundur më vonë. Kjo sepse opozita për mua s'është ulërimë, as shpifje e denigrim, po sjellje politike alternative në të gjitha kuptimet. Si e tillë, ajo s'është frenim për zhvillimet pozitive të vendit, po nxitëse kurajoze e tyre. Madje një opozitë përparimtare e kohëve moderne u paraprin zhvillimeve dhe shquan gjithnjë kufirin që ndan korsinë e përbashkët të reformave të shtetit e të ekzigjencave të njëjta ndaj vendit në momente të caktuara të jetës kombëtare, ku opozitës i takon të japë kontributin e vet të pazëvendësueshëm, nga korsia e veçantë e garës së alternativave ku opozitën nuk e bashkon asgjë me forcat që qeverisin. Opozita, sipas meje, s'është kurrsesi pasqyra ku njerëzit shquajnë të gjitha deformimet e qeverisjes, po edhe dritarja ku ata shohin një mundësi të re për të ardhmen. Padyshim që kjo e Partisë Socialiste është një opozitë krejt e re, në këtë vend ku opozita i ka mësuar njerëzit me arkivole në dyert e Kryeministrisë, tritol në shtyllat e tensionit, shishe benzine në dritaret e institucioneve, bllokime rrugësh në akset nacionale, bojkot pa afat i punimeve të Parlamentit, mitingje non stop kundër "diktaturës", lumë i pareshtur sharjesh "me libër shtëpie", urrejtje dhe armiqësi kobndjellëse për kundërshtarin. Dhe s'ka se si të mos ketë njerëz të mirë e të ndershëm, shqiptarë e shqiptare të vuajtura dikur e prapë sot, për arsye jo të njëjta po njëlloj të qenësishme nën keqqeverisjen e Sali Berishës, të cilëve ende mund të mos "u ngjisë" siç duhet kjo opozitë e qytetëruar dhe qytetëruese. Madje as disa njerëz me emër, të cilët marrin pjesë me opinionet e tyre në përpjekjet qytetëruese të këtij vendi, nuk i shmangen herë pas here tundimit për të kërkuar prej nesh të ulërijmë, të qëllojmë me fruta e zarzavate kryeministrin, të protestojmë deri në rrëzimin e qeverisë. Mirëpo sensi im i misionit të politikës më thotë se përmirësimi i procesit politik, në këtë vend me ekuilibra kaq të brishtë, është një detyrim shoqëror e një shërbim i munguar i politikës e i politikanëve shqiptarë. Për të cilët suksesi është vetëm mposhtja e tjetrit e jo emancipimi i politikës, që mund të bëhet nga pozitat e atij që qeveris, po padyshim edhe të atij që është në opozitë. Më lejoni t'ju them se jam i bindur që pikërisht sepse ne kemi ndryshuar përqasjen e stilin opozitar sot, nesër do të jetë e pamundur që Partia Demokratike në opozitë të rikthehet tek epoka e gurëve të Berishës. E ky është qysh sot një sukses i yni.
Sa e vërtetë është se e keni humbur zellin opozitar që treguat në rastin e tragjedisë së Gërdecit, në favor të një paqeje me Kryeministrin?
Zelli opozitar, të paktën zelli im opozitar, nuk është zelli i dikurshëm i Sali Berishës që nuk i ndahej podiumit të selisë së PD-së, nga ku shante e mallkonte çdo mëngjes kryeministrat e kohës së ngujimit të tij në atë godinë, prej nga dilte vetëm për të marrë rrugën e mitingut, ku u bënte sharjet e mallkimet e pasdites, të njëjtëve njerëz, me soj e me farë, për t'u kthyer në ndalesën e darkës në foltoren e Kuvendit, ku i jepte edhe një breshëri tjetër sharjesh e mallkimesh atyre që kishte bindur veten se rrinin ulur në karrigen që hyjnitë e kishin bërë për të. Ky lloj zelli opozitar më ka ngjallur krupën pikërisht sepse opozitën se kam menduar kurrë si një shpërfytyrim etik e estetik, në funksion të shtrembërimit të dhunshëm të imazhit të kundërshtarit armik, po si një sfidë etike, e pse jo estetike, në funksion të një të nesërmeje ndryshe, të cilën njerëzit duhet ta shohin në fjalët e në qëndrimet e atyre që komunikojnë me zërin e së ardhmes e jo me avazin e së shkuarës.
Pse ekziston një dallim, sipas jush, mes ashpërsisë së qëndrimit të Metës ndaj jush dhe toneve të përmbajtura që ju keni pasur ndaj tij?
Ndarja me tabiate e teknologji të vjetra, destruktive, në sjelljen e në marrëdhëniet e njerëzve të politikës mes veti e me qytetarët dhe me mandatet e besimit të marrë prej tyre, ndarja me kulturën e vjetër të telenovelës politike ku populli telespektator ndjek atë që ngjan mes personazheve të zgjedhur dhe përfshihet virtualisht në marrëdhëniet e tyre, pa mundur të adresojë e as të shohë zgjidhje për problemet e veta apo, më shkoqur, ndarja me telepolitikën sfilitëse, që e bëri atë gruan e shkretë t'u thoshte atyre dy burrave: "Aman, bashkohuni ju të dy, pa ne rrimë edhe pa ujë e pa drita!", është domosdoshmëri për të dalë nga balta e politikës së vjetër.
A është i saktë përcaktimi se jeni shumë të ngjashëm, pra jeni të destinuar veçse për të qenë rivalë dhe armiq?
Ilir Meta s'është armiku, as kundërshtari im, po një aleat që aktualisht ka një problem të madh me veten. Të ngjashëm? Nuk e di.
A mendoni se e dobëson kreun e ri të shtetit, fakti që do të zgjidhet me një maxhorancë të thjeshtë në Kuvend?
Edhe në Kushtetutën aktuale, kreu i shtetit zgjidhet me maxhorancë të thjeshtë, po pas një cikli krizash të parashikuara nga Kushtetuta, të cilat ndryshimi i kryer së fundi i shmang duke e lënë në dorën e shumicës absolute të Kuvendit përgjegjësinë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. M'u ashtu siç ndodh në plot vende evropiane, po edhe në Kosovën e re demokratike, ku kjo zgjedhje është bërë dy herë dhe nuk ka dhënë asnjë nga ato efekte katastrofike për demokracinë që parashohin ata që kuturisen e flasin deri edhe për puç. Përkundrazi.
Ish-aleatët tuaj, ju akuzojnë se duke aprovuar sistemin e ri zgjedhor, keni shkelur në dëm të tyre një angazhim paraprak që e kishit marrë bashkërisht në koalicion. Sa e vërtetë është kjo?
Kjo është një akuzë politike në kushtet e një krize marrëdhëniesh që s'ka të bëjë fare me të ashtuquajturin angazhim paraprak, përveçse me interesat personale, edhe me padijen lidhur me sistemin e ri zgjedhor. S'ka të bëjë me atë angazhim që përflitet si një marrëveshje e shkelur, sepse të parët që e "shkelën" atë marrëveshje ishin pikërisht aleatët tanë, të cilët firmosën me aleatët e Berishës një marrëveshje për sistemin zgjedhor shumë kohë përpara sesa PS-ja e PD-ja të gjenin gjuhën e përbashkët. Fjalën e "shkelën" do të doja ta vinit në thonjëza, sepse unë logjikoj ndryshe nga akuzuesit e mi, në këtë rast, e nuk e quaj shkelje të asnjë angazhimi diçka të tillë. Për mua ishte krejt normale që, në një fazë debati e negocimi, mes forcave të vogla të kishte afrimitet në preferencat për sistemin, ashtu siç është normale të ketë përqasje të ngjashme mes të mëdhave, për të njëjtat arsye. Po kjo s'është pjesa më interesante për lexuesit tuaj, të cilëve u duhet thënë diçka mbi padijen e akuzuesve të anës sonë lidhur me sistemin zgjedhor. S'ka qenë në asnjë moment, dëshira e as vullneti ynë si Parti Socialiste që të zhdukim apo dëmtojmë të vegjlit duke zgjedhur këtë sistem, i cili në vetvete s'e pengon koalicionin e paraparë edhe në atë angazhimin paraprak që ju përmendët në pyetjen tuaj. Madje përmes një formule koalicioni të njohur botërisht, duke u rreshtuar në front me të mëdhenjtë, edhe të vegjlit mund jo vetëm ta kapërcejnë pragun po të marrin gjithçka u takon, duke hyrë secili me listën e tij dhe për të mbledhur secili votat e tij. Dëshira dhe vullneti ynë ka qenë e mbetet që çdo parti, të marrë çdo votë të sajën, në kuadrin e një sistemi që garanton transparencë me zgjedhësit për programet, ekipet dhe drejtuesit e çdo alternative. Por mungesa e kulturës së debatit e të negocimit dhe kultura e vjetër e frikës prej komplotit permanent pas shpinës sonë, e cila ushqehet sidomos në raste të tilla nga thashetheme të përbindshme e diversione të hatashme që qarkullojnë me shpejtësinë e dritës, edhe në këtë rast, bënë që pa u dëgjuar deri në fund qetësisht me njëri-tjetrin e pa nxënë deri në fund të tëra dijet mbi çka propozohej prej nesh, disa aleatë të kthenin dyfekët e vjetër të baltës ndaj Partisë Socialiste e ndaj meje. Megjithatë kanë të gjithë kohën e nevojshme për t'u informuar hollësisht mbi sistemin, reflektuar mbi të e bashkëbiseduar edhe me ne në rast se do t'ju duhet dhe në rast se, siç uroj, do të duan t'i lenë pas krahëve mllefet e hatërmbetjet e kota, për të dalë nga rrethi vicioz ku janë futur e për të ndërtuar së bashku rrugën e re për Shqipërinë.
Zoti Rama, prej tetë muajsh vijon turi juaj "Dialog me Shqipërinë". A do ta kapë kjo axhendë takimesh, fushatën e ardhshme elektorale?
Dialogu me Shqipërinë, është një proces i hapur e me disa nivele. Kemi trajtuar temat mujore në debate publike apo në nivelin e parë të dëgjimit të qytetarëve. Pastaj kemi nxjerrë dokumentin e debatit mujor që e kemi shtruar për diskutim në nivelin e dytë, atë të dëgjimit të njerëzve të sistemit. Ky dëgjim ka qenë në nivelin vendor, siç qenë tryezat për arsimin në të gjitha bashkitë e vendit me arsimtarë e pedagogë, në aktivitet, në pension a të larguar nga puna, me ekspertë lokalë, studentë, nxënës apo prindër të interesuar, apo tryezat për bujqësinë, në çdo komunë, ku bujq e fermerë, gjithnjë pa dallim bindjesh partiake kanë dhënë mendime e sugjerime, ose ka qenë në nivelin rajonal si në rastin e mjedisit apo siç do të jetë në rastin e shëndetësisë. Ndërkohë që për tema të tjera, si energjia e uji, çështjet sociale, infrastruktura, dëgjimi ka qenë i përqendruar në një tryezë kombëtare ekspertësh. Këto tryeza s'kanë qenë një mbledhje e aq, po forume ku njerëzit kanë folur e gjërat janë mbajtur shënim për t'u kthyer në një raport të shkruar mendimesh e sugjerimesh. Niveli i tretë i dëgjimit, është ai i konferencave rajonale. Kemi filluar në maj me Arsimin e do vijojmë në qershor me Bujqësinë. Por tanimë shumë gjëra ndodhin paralelisht. I gjithë ky volum i madh komunikimi, ku janë përfshirë mijëra e mijëra njerëz, ka në thelb vetëdijen e re se është koha e një politike të njerëzve, me njerëzit e për njerëzit dhe për synim, mbledhjen e mendimeve për programin e ri qeverisës të Partisë Socialiste. Nga çdo njeri i interesuar për ndryshimin, pavarësisht përkatësisë së tij partiake a bindjeve të tij politike. Për këtë është angazhuar edhe Fondacioni "Qemal Stafa" me debatet e tij "Me dyer të hapura", ku ftohen të gjithë aktorët e shoqërisë civile, si dhe me grupet e ekspertëve, për disa tema të posaçme. Po ashtu janë angazhuar edhe ekspertë ndërkombëtarë të nivelit më të lartë, që kanë pranuar me entuziazëm të na japin një dorë, kur janë njohur me konceptin e "Dialogut me Shqipërinë". Në shtator, "Dialogu me Shqipërinë" do të hyjë në fazën e tij të dytë. Nga dëgjimi, do të kalojmë në reagim për çka kemi dëgjuar e në konsultim të hapur të programit të ri, i cili s'do të jetë një libërth për të marrë vota, që të nesërmen e fitores hidhet në kosh si i papërdorshëm për shkak të inflacionit të premtimeve të pambajtshme, po një instrument për të ndryshuar Shqipërinë, pas një dialogu të vërtetë me qytetarët dhe një pune shumë serioze me ekspertët vendas e me ata të huaj. Për të mos përsëritur avazin e 17 vjetëve, për të mos premtuar çka nuk bëjmë dot, por për të bërë gjithçka do të premtojmë.
Marrë nga MAPO
Për Metën
"S'mund të mos trishtohesh kur sot, që Shqipëria kërkon të ndërrojë faqen e një historie 17 vjeçare keqqeverisjeje, një njeri i ri në moshë e i vjetër në politikë si Ilir Meta s'gjen asgjë më të hajrit për të bërë sesa të rikthejë në skenën e jetës politike, shfaqjen mizerabël të luftës joparimore e joetike brenda llojit për interesa krejt personale".
Për ndarjen
"Është krejt anormale që, në vend të komunikimit normal, ai zgjodhi rrugën e shkëputjes nga koalicioni ynë. Madje ende pa u bërë asnjë ndryshim dhe pa u marrë asnjë vendim. Ashtu siç është krejt anormale që pasi ne u ndamë si miq, e me fjalën që do të ritakoheshim sapo ai të konsultonte me njerëzit e tij të dhënat për sistemin spanjoll, "përgjigjen" negative s'erdhi të ma jepte sy më sy, bashkë me çfarëdo propozimi alternativ, siç do të ishte fare normale, po na e dha të gjithëve në televizor, në formën e një deklarate brutale".
Për bashkimin
"Jo vetëm s'jam unë dhe as Partia Socialiste shkaku i rirënies së Ilir Metës në batakun e politikës së vjetër, po as e kam dëshiruar e as nuk më vjen hiç mirë ta shoh një mik e bashkëpunëtor në këtë pështjellim të pakontrolluar, që gjeneron vetëm energji negative. Prandaj edhe s'kam asnjë arsye për të mos u përpjekur që edhe Ilir Meta të jetë pjesë e bashkimit të ri që po ndërtojmë përtej kufijve të vjetër të partive politike".
Për Kushtetutën
"Lidhur me qëndrimet konkrete të Ilir Metës për ndryshimet kushtetuese, unë do të thosha, në rastin më të mirë, janë qëndrime të pajustifikueshme për një njeri që ka qenë Kryeministër e Ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Që do të thotë se, minimalisht, duhet të ruajë etikën. Jo thjesht në kuptimin e edukatës qytetare, që është minimumi i munguar në këtë rast".
Për Berishën
"Mes meje e Kryeministrit, s'ka aks po duel politik. Është një duel që zhvillohet në një kontekst të ri, të cilin ende s'mund ta quajmë stad të ri të politikës shqiptare, po që padyshim ndryshon ndjeshëm nga konteksti i përplasjes së imponuar prej arrogancës së pashoqe të Sali Berishës, deri në pikën kulmore të zgjedhjeve të 18 shkurtit".
Për opozitën
"Opozitën se kam menduar kurrë si një shpërfytyrim etik e estetik në funksion të shtrembërimit të dhunshëm të imazhit të kundërshtarit armik, po si një sfidë etike, e pse jo estetike, në funksion të një të nesërmeje ndryshe, të cilën njerëzit duhet ta shohin në fjalët e në qëndrimet e atyre që komunikojnë me zërin e së ardhmes e jo me avazin e së shkuarës".