Nëntë persona janë shoqëruar deri tani në policinë e Kukësit të dyshuar si shkaktarë të shpërthimit të një dite më parë në këtë qytet. Shpërthimi i djeshëm i 300 gramë tritoli nuk shkaktoi viktima. Por u dëmtuan rëndë dy zyra noterësh, një aneks i zyrave të Doganës, që ndodhen në katin e parë të një pallati pranë vendit të ngjarjes si dhe u thyen xhamat e banesave përreth. Sipas policisë pista ekzakte të hetimit të ngjarjes është e vështirë të përcaktohet, pasi pikërisht pranë vendit ku ka ndodhur shpërthimi ndodhet godina e një banke, shtëpia e kryetarit të Bashkisë, godina e Prokurorisë dhe gjykatës dhe dy zyra noterësh. Gjithsesi hetimi është përqëndruar në dy pista kryesore.
Ajo e hakmarrjes ndaj kreut të bashkisë Hasan Halili, duke marrë parasysh lidhjen që ekzistonte mes pronarit të makinës, vëllai i bashkëshortes së kryebashkiakut. Ndërsa nuk përjashtohet mundësia e hakmarrjes ndaj noterit Bexhet Gjana, i cili pak ditë më parë ka nisur një konflikt me një ish-funskionar të policisë së shtetit. Me gjithë hetimet e bëra ende s'janë identifikuar autorët e ngjarjes dhe zbardhja e motivit të krimit.