Sun, 06 Jul 2008 05:49:50
    

Lexoni versionin Print

Gjirokastër, restaurohet shtëpia e disidentes Musine Kokalarit

Shtëpia e gurtë e cila ngrihet në lagjen Palorto krahas vlerave historike mbart edhe vlera të veçanta arkitektonike dhe ndërtimore.

B.K
Mon, 12 May 2008 10:37:00

Kthimi në identitet i shtëpisë së gurtë në qytetin e Gjirokastrës, në të cilën disidentja Musine Kokalari kaloi vitet e fëmijërisë dhe rinisë së hershme, është përfshirë në projektet prioritare restauruese të UNESCO-s në qytetin e gurtë.

Shtëpia e gurtë e cila ngrihet në lagjen Palorto krahas vlerave historike mbart edhe vlera të veçanta arkitektonike dhe ndërtimore.

“Së shpejti në shtëpinë e Musine Kokalarit do të fillojnë punimet restauruese për kthimin në identitet të disa prej elementë të saj ndërtimor dhe arkitektonik”, thotë drejtori i Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit të Qëndrës Historike, Rajmond Kola.

Kjo shtëpi e gurtë në të cilën disidentja Musine Kokalari do të jetonte për 9 vite me rradhë, aktualisht paraqitet në gjendje të vështirë përsa i përket ruajtjes dhe mbrojtjes së elementëve të saj historik dhe arkitektonik.

Sipas Kolës, “projekti në fjalë synon restaurimin e një pjesë të mureve të gurta të shtëpisë, elementëve ndërtimore prej druri ose hekuri karakteristik etj”.

Musine Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adale, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore.

Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939.

Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.

Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e rëndë që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

Restaurimi i banesës së gurtë në qytetin e Gjirokastrës në të cilën ajo jetoi 9 vite rresht, do të krijonte mundësinë e njohjes së brezave të rinj me punën dhe veprën e kësaj disidenteje në shërbim të kombit dhe atdheut si dhe do të bënte të mundur shpëtimin nga rrënimi i plotë i njerës prej banesave të gurta gjirokastrite me vlera të rralla ndërtimore dhe arkitektonike.

Aktualisht në qytetin e gurtë ka nisur zbatimi i fazës së parë të masterplanit restauruese të UNESCO-s e cila kap një shifër prej 600 mijë eurosh. Gjatë zbatimit të tij do të restaurohen shtëpia e Angonatëve, Kabilatëve, Çene, Kikino, Babameto-Çabej, Gurgai si dhe 7 objekte në Pazarin karateristik të Gjirokastrës.

Punimet të cilat do të realizohen nga firma “Gen Red” pritet të përfundojnë në 31 mars 2009. Përfundimi i punimeve restauruese në shtëpinë e gurtë të korifeut të letrave shqipe Ismail Kadare, gjuhëtarit të shquar Eqrem Çabej dhe disidentes Musine Kokalari do të krijonte një trekëndësh të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kulturor në qytetin e Gjirokastrës. 


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklama.shekulli@abissnet.al

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML