Pensionet dhe pagat e të gjithë shqiptarëve duhet të indeksohen çdo datë 1 Maj. Të paktën kështu e parashikon ligji shqiptar.
Taksat e larta po risin çmimet e shportës së produkteve bazë për familjarët shqiptarë. Në këtë përfundim ka arritur Partia Socialiste pas analizës që i ka bërë situatës së krijuar në vend, si dhe pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të një sërë mallrash jetike, përfshi këtu edhe bukën.
Nënsekretari për Programin Politikë në selinë rozë, Ilir Beqja, në emër të PS-së, duke shprehur shqetësimin për nivelin e lartë të çmimeve, ka denoncuar paaftësinë e qeverisë për të ndërhyrë në zbutjen e kësaj situate. Kjo rritje sipas tij ka bërë pothuajse të pandjeshme të gjitha rritjet e pagave dhe pensioneve të deklaruara nga qeveria demokratike gjatë dy viteve të fundit.
Ai ka theksuar se vetëm nga rritja më e fundit e çmimit të bukës, më shumë se 300 mijë pensionistëve të fshatit e të qytetit, shtesa mujore e korrik 2007, prej jo më shumë se 400 lekë në muaj, do të pakësohet me të paktën 150 lekë ose me 37 %.
Gjithashtu Beqja ka bërë të ditur se nga kjo rritje e çmimeve kësti mujor i ndihmës ekonomike për familjet shqiptare do të pakësohet me të paktën 700 lekë ose me 1/3.
Përballë kësaj situate Beqja ka denoncuar "paradën" e sukseseve të qeverisë në tejkalimin e planit të të ardhurave. "Ndjeshëm ky plan tejkalohet nga më shumë taksa mbi mallrat jetike, si naftë e drithëra që paguhen që në doganë.", - tha Beqja.
Ajo që është më shqetësuese për socialistët, është qëndrimi kontradiktor që kanë mbajtur qeveritar e djathtë ndaj prejardhjes së kësaj rritje dhe mënyrën e ndërhyrjes për të zbutur efektet e saja tek konsumatori.
"Partia Socialiste është shqetësuar për qëndrimet kontradiktore të zyrtarëve të lartë të qeverisë. Nga një anë thuhet që rritja e drithërave është ndërkombëtare dhe nga ana tjetër qeveria thotë që do të presë se mos dukuria është kalimtare",tha Beqja.
Në një situatë të tillë, për t'i ardhur në ndihmë në mënyrë të veçantë shtresave më të prekura nga kjo "krizë çmimesh", siç janë pensionistët PS i bënë thirrje qeverisë që të zbatojë ligjin dhe të bëjë indeksimin që nga data 1 maj.
Qeverisë i kujtojmë që sipas vendimit të saj nr. 63, 1 shkurt 2006, në shportën e mallrave të familjeve pensioniste, ushqimet zënë 62 %. Sipas këtij vendimi, indeksimi i pensioneve duhet bërë më datën 1 maj të çdo viti.
“Janë zhvilluar dy mbledhje dhe qevria nuk indekson pensionet në datën 1 maj
Në bazë të ligjit cdo datë 1 majë qeveria ka detyrimin të indeksojë pensionet, dhe aq më tepër tani që inflacioni ka fluturuar”- tha Beqja.