Projektligji “Për procedurat Tatimore”, i cili po diskutohet në komisionin parlamentar të ekonomisë ka miratuar sot pikën e Falimentimit të një biznesi. Kështu ndryshimi parashikon shkurtimin e afatit të falimentimit nga 3 në dy vjet, në rast se për këtë periudhë kohore biznesi rezulton me borxhe ndaj shtetit dhe ndaj të tretëve.
Opozita kërkoi që ndryshimet në ligjin për falimentin të mos kalojnë pa marrë parasysh vëretjet e biznesit. Ata kanë kërkuar konsultime me Këshillin konsultativ të biznesit para se të marrin vendim.
Vendi i fundit për procedurat e falimentimit, asnjë biznes nuk ndjek procedurat
Sipërmarrësit vendës nuk kanë asnjë mundësi për të ndjekur një procedurë të drejtë të falimentimit të biznesit të tyre. Sipas raportit të Bankës Botërore edhe gjatë vitit 2007 nuk ka pasur asnjë rast të tillë, as për statistikat e këtij institucioni. Një situatë e tillë, sipas BB vlerësohet si një tregues i qartë i vështirësive në të cilat operon biznesi vendës. Një situatë e tillë, sipas raportit, bën që në shumë vende në zhvillim të ketë humbje të mëdha nga ana e një pjesë të pjesëmarrësve në sipërmarrje. Situata në Shqipëri, në këtë pjesë të rëndësishme të zhvillimit të sipërmarrjes, mbetet tepër e errët nëse e krahasojmë me të gjithë vendet e rajonit. Në një pjesë të vendeve të krahasueshme me Shqipërinë nga ana e BB, ka një standard tjetër të këtij procesi. Kohëzgjatja e procesit të falimentimit në vendet e rajonit shkon nga 2 deri në 3 vjet dhe pjesa e të ardhurave të kthyera nga ana e procesit të falimentimit shkon nga 15%, që është rasti i Maqedonisë, në 47% për Slloveninë. Vlera të larta në rezultat, për treguesin e të ardhurave të kthyera nga ana e procesit të falimentimi paraqet edhe fqinji ynë verior, Mali i Zi. Sipas raportit në këtë vend, sipërmarrjet që shkojnë në proces falimentimi rikuperojnë rreth 42,8% të të borxheve që kanë ndaj kreditorëve.
***
Sipas specialistëve të Bankës Botërore, mungesa e një procesi të mirë të mbylljes së një biznesi ka bërë që kapitali të orientohet keq në shumë raste. Nga ana tjetër, sipas raportit ky është faktor pengues për klimën e biznesit, pasi një pjesë e mirë e kredive në këto raste mbeten të pashlyera. Ligje të mira për falimentimin, rrisin lirinë ekonomike në vend dhe inkurajojnë sipërmarrjen, sipas specialistëve. Nga ana tjetër, kjo do të thotë më shumë investime dhe punësim.
Raporti i Bankës Botërore “Të bësh Biznes në vitin 2008” e vlerëson Shqipërinë si vendin me problemet më të mëdha në botë, për procesin e mbylljes së një biznesi. Kjo sipas ekspertëve të Bankës Botërore, ka dhënë edhe një ndikim të madh në rënien në disa shkallë më poshtë të vendit në listën e vitit 2008. “Kjo rënie në klasifikimin e vendit, realisht, ndodhi pjesërisht për shkak të korrigjimit të vlerësimit të procedurave për mbylljen e një biznesi. Meqenëse për asnjë firmë në Shqipëri nuk është përfunduar ende asnjë procedurë formale për shpalljen e falimentimit, në bazë të metodologjisë, raporti bëri një klasifikim nominal “pa praktikë” në vendin e 178-të, që pati ndikim të ndjeshëm në renditjen e përgjithshme të Shqipërisë. Pesë ekonomi janë prekur në të njëjtën mënyrë këtë vit”,- sqaron raporti i BB-së.