12 maj, ora 18:07- Kryeministri shqiptar Sali Berisha është dakord me Presidentin për sa i përket ligjit të legalizimeve. Berisha ka deklaruar se ky ligj duhet të rishikohet ashtu siç ka kërkuar Presidenti i Republikës Bamir Topi. "Ky dekret duhet të studiohet dhe të punohet për pasqyrimin e vërejtjeve të Presidentit në ligj ashtu edhe të objeksioneve të partisë republikane, e cila ka kërkuar mosdekretimin e ligjit"- është shprehur Berisha. Në fakt Presidenti ka kthyer për rishqyrtim ligjin e legalizimeve, duke mos e dekretuar atë. Dekreti i presidentit Topi "Për kthimin për rishqyrtim të ligjit për legalizimet", i ndryshuar përmban një sërë vërejtjesh që nisin nga skema e dëmshpërblimit të ish-pronarëve, që në ligjin aktual është e shoqëruar pa një afat kohor, tek reduktimi i kompetencave të pushtetit vendor duke ia dhënë Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, duke e shndërruar këtë të fundit nga një organ bashkërendues në një organ vendimmarrës, e deri tek mbivendosja e kompetencave që lejojnë ndryshimet e ligjit. Më pak fjalë, Presidenti i Republikës ka paraqitur një sërë objeksionesh të detajuara që prekin rreth 10 nene të ligjit të ndryshuar. Madje në fund të argumentimit që ai jep për çdo nen të kontestuar, Presidenti i Republikës sugjeron se ndryshimi i shpeshtë dhe i shpejtë i akteve ligjore, si dhe mungesa e analizës së nevojshme juridike, përveçse nuk sjell rezultatet e pritshme në drejtim të përmirësimit cilësor të ligjit, por krijon edhe një praktike të gabuar legjislative.
Nga ana tjetër Republikanet e kundërshtojnë përmbajtjen e ligjit të ndryshuar, pasi sipas tyre, drafti në fjalë nuk përcakton drejt rolin e pronarëve të ligjshëm. PR-ja gjykon se amendimi i këtij ligji nuk garanton transparencë dhe nuk përcakton qartë afatet e rimbursimit të pronarëve të ligjshëm.