Një ditë pas bllokimit në Tepelenë të 600 kilogramë bimë narkotike e llojit marihuanë, grupi hetimor i ngritur në Policinë e Shtetit ka mundur të zbardhë origjinën dhe destinacionin e drogës.
Burime nga policia bënë të ditur se kjo sasi droge mendohet se kishte për destinacion tregtimin e saj jashtë vendit. Nga hetimet paraprake, rezulton se marihuana ishte marrë në qytetin e Delvinës dhe do të trafikohej jashtë shtetit.
Kjo çështje do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila mësohet se ka administruar aktet procedurale për zbardhjen e trafikut të lëndëve narkotike dhe personave të tjerë që mendohet se janë përfshirë në të. Rreth 600 kilogramë marihuanë u gjet e fshehur në një kamion, që drejtohej nga shtetasi Besnik Bronkeri, 35 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Vlorë.
Gjatë operacionit të zhvilluar në aksin rrugor Tepelenë- Fier, 35 vjeçari Bronkeri nuk i është bindur urdhrit të policisë, kur iu kërkua të hapte karrocerinë e kamionit.
Madje, ai tentoi të rrëmbente me forcë pistoletën e njërit prej punonjësve të patrullës së policisë, duke u larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Por, policia e neutralizoi duke e plagosur në këmbë. Pas kësaj, 35 vjeçari Bronkeri është transportuar në Spitalin e Tiranës, ku po kurohet për plagën e marrë në këmbë. Gjëndja e tij shëndetësore paraprakisht nuk paraqet rrezik për jetën. Ndërkohë, ndaj tij është marrë masa e arrestit në flagrancë për trafik të lëndëve narkotike.