Presidenti i Republikës, Bamir Topi do të niset sot në krye të nje delegacioni zyrtar për në Izrael ku është i ftuar të marrë pjesë në Konferencën Presidenciale "Përballja me të nesërmen", e cila do të zhvillohet në Jeruzalem.
Në Konferencën që mbahet me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Shtetit të Izraelit, do të trajtohen tema të rëndësishme të sfidave globale me pjesëmarrjen e liderëve dhe personaliteteve të shquara botërore si Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh W. Bush, krerët e shteteve të Letonisë, Polonisë, Sllovenisë, Kroacisë, Ukrainës, etj, si edhe ish-presidentë dhe kryeministra si Toni Bleir e Mikail Gorbaçov.
Presidenti Topi do të zhvillojë takime bilaterale me Presidentin e Shtetit të Izraelit, Shimon Perez, Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Jashtme Cipi Livni dhe është i ftuar nga Presidenti amerikan Bush në pritjen e veçantë me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Shtetit të Izraelit.
Kreu i Shtetit shqiptar do të zhvillojë edhe një takim të posaçëm me bashkësinë shqiptaro-hebreje që jeton prej vitesh në Izrael, ku do të shfaqet edhe dokumentari "Toka e Besës".