Enjte, 04 Dhjetor 2008 23:22:22

Lexoni versionin Print

Rrogat e pensionet, dështon rritja në korrik

Shkurtimet e shpenzimeve buxhetore me synim ruajtjen e inflacionit, pritet të prekin rritjen e shumëpremtuar të pagave dhe pensioneve, në gjysmën e dytë të këtij viti.

Gjergj Erebara
Merkure, 14 Maj 2008 10:57:00

Shkurtimet e shpenzimeve buxhetore me synim ruajtjen e inflacionit, pritet të prekin rritjen e shumëpremtuar të pagave dhe pensioneve, në gjysmën e dytë të këtij viti. Lajmi u dha nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka e Shqipërisë, dje, ndërkohë që qeveria vijon të premtojë një "rritje selektive të të ardhurave për shtresat më në nevojë", pa sqaruar detajet.

"Buxheti aktual ka hapësirë për të rritur pagesat e ndihmës sociale, por nuk ka shumë hapësirë për të rritur pagat dhe pensionet në terma reale", - deklaroi Gerwin Bell, përfaqësuesi i Misionit të FMN-së. Rritja "në terma reale", nënkupton që pagat të rriten më shumë sesa inflacioni, gjë që nuk pritet të ndodhë këtë vit. Kjo do të thotë që pensionistët dhe buxhetorët mund të shpresojnë për një rritje të ardhurash prej jo më shumë se 5% këtë vit dhe se nga kjo rritje mund të përfitojnë vetëm "shtresat më në nevojë", sipas deklaratës së FMN-së.

"Rritja e pagave duhet të jetë e studiuar, për të shmangur efektet anësore dhe nxitjen e një cikli të ri inflacionist, ku çmimet rrisin pagat dhe pagat rrisin çmimet",- deklaroi guvernatori i BSH, Ardian Fullani.

Qeveria pati programuar rritje pagash dhe pensionesh me 10%, duke filluar nga 1 korriku i këtij viti, gjë që do t'i kushtonte buxhetit rreth 6 miliardë lekë. Kjo rritje tashmë duket tepër e kushtueshme, përballë rritjes së kostos së energjisë elektrike, rrugës së Kukësit dhe nevojës për të ulur shpenzimet buxhetore për të përmbajtur inflacionin.

Rritje vetëm për ndihmën ekonomike

Me këshillë të FMN-së dhe Bankës Botërore, qeveria ka pranuar të rrisë pagesën si ndihmë ekonomike për familjet në nevojë. Kjo politikë sociale është këshilluar gjerësisht gjatë muajve të fundit, në krizën botërore të rritjes së çmimeve të ushqimeve. Sipas analizave, të varfrit shpenzojnë pjesën dërrmuese të të ardhurave për ushqime dhe rritja e çmimeve rëndon ata më shumë se këdo tjetër. Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur me 7 deri në 10% në muajt e fundit. Ndonëse teorikisht kjo është një masë e drejtë, praktikisht, ngjan shumë cinike. Qeveria e z.Berisha uli numrin e familjeve përfituese të ndihmës ekonomike nga 117 mijë, në rreth 80 mijë vitin e kaluar dhe deklaroi se në skemë ishin "shumë familje që nuk e meritojnë" asistencën. Përveç uljes së numrit të familjeve përfituese, u ul edhe ndihma ekonomike. Në dhjetor 2006, asistenca e plotë sociale qe 23.6 euro për familje ndërsa ajo e pjesshme, vetëm 16 euro për familje. Pas reformës së qeverisë, u ul përkatësisht në 19.8 dhe 13.3 euro për familje. Ndihma ekonomike i kushton qeverisë gjithsej rreth 100 milionë euro në vit.

Teorikisht, fondi për ndihmë ekonomike për familjet në nevojë përcaktohet duke marrë parasysh numrin e familjeve nën minimumin jetik dhe paratë që këto familje kanë nevojë për të arritur minimumin jetik. Praktikisht, në Shqipëri vlerësohet se 20% e popullatës ose 600 mijë vetë jetojnë nën nivelin e varfërisë. Ndihmën ekonomike e përfitojnë pak më shumë se gjysma. Pavarësisht shifrave, qeveria zakonisht pëlqen të thotë se në këtë skemë ka shumë abuzime.


POSTO NE:

diggdigg it   YahooYahoo MyWeb   GoogleGoogle   SlashdotSlashdot   deliciousdel.icio.us   technoratiTechnorati

Emri juaj:
E-mail juaj:
Titulli:
Komenti juaj:


Reklama ne Shekulli Online


Tel: 042256994
Fax: 042256015
Cel: 0692187272
E-Mail:  reklamashekulli@yahoo.com

© 1997 - 2008 shekulli.com.al Biznesi Online Sporti Shqiptar Revista Spekter Botimet Max Arti i Kuzhines Arkivi
© 2008 Te gjitha te drejtat Shekulli Kontakt Stafi Online Preview Chanel Lidhja RSS/XML