SHKODËR- Tinëzar studenti i vitit të dytë në Shkenca Sociale, ka mashtruar shumë qytetarë duke iu vjedhur karta telefoni. Artan Bardhi, 23 vjeç ka gjetur një mënyrë të paligjshme për të kryer rimbushjen e celularit të tij. Ai merrte në telefon shumë qytetarë duke folur në emër të digitalbit, si të ishte përfaqësues i tij, duke mashtruar dëgjuesit se kishin fituar disa çmime nga kjo kompani. Ai më pas iu kërkonte telefonuesve që të dërgonin në numrin e celularit të tij, një numër kartash telefonike. Dhe më pas lekët i përdorte për të përmbushur nevojat e veta. Nga ana e qytetarëve kishte pasur disa denoncime pasi ai kishte arritur të mashtronte shumë individë. Qytetarët e përfshirë në këtë ngjarje ishin kryesisht nga zona veriore e Shqipërisë, por kishte pasur edhe nga Lushnja. Për të bërë këtë ai mbante dy numra telefoni celularë dhe përveç kësaj përdorte edhe telefoninë fikse. Kapja e tij është bërë pas një sërë hetimesh në bazë të denoncimeve të qytetarëve, të mashturar dhe të vjelë nga lekët. Më në fund ai është prangosur sot nga forcat policore. Ai akuzohet për veprën penale të 'vjedhjes me anë të mashtrimit'. Artan Bardhi, studenti i vitit të dytë në Shkenca Sociale në Universitetin e Shkodrës, është nga fshati Kashniet i Lezhës.
Por 23-vjeçari Bardhi i shiste kartat e telefonit më lirë pasi klientët e tij të rënë pre e mashtrimit i dërgonin numrat e kartave, me shpresë se kishin fituar çmime nga digitalb. Një çifti pleqsh u kishtë këkruar 78 karta telefoni.