KOPLIK-Shkarkohet kryetari i Këshillit Bashkiak të Koplikut, Sami Zeka. Kanë qenë 9 vota të 17 anëtarëve të Këshillit që kanë vendosur fatin e tij si kryetar i Këshillit Bashkiak, duke e pushuar nga ky post. Sami Zeka ka treguar se kanë qenë mosmarrëveshjet që ka pasur me kryetarin e Përgjithshëm të PD-së në Koplik, Ismet Balën, që e kanë bërë atë të shkarkohet nga posti i kryetarit. Zeka ishte në këtë post si përfaqësues i partisë Lëvizja e Legalitetit. Por problemet dhe kundërshtimet që i ka bërë Ismet Balës, se po bënte marrëveshje me të Majtën në kurriz të së Djathtës e kanë çuar atë drejt pushimit nga pozita si kreu i Këshillit Bashkiak. Në fakt në qarkun e Shkodrës, është hera e parë që shkarkohet një kryetar i Këshillit Bashkiak apo Komunal. Shkarkimi i Zekës ka ndodhur sot, kur nga 17 anëtarët e këtij Këshilli kanë votuar 9 pro shkarkimit të tij, 5 kanë votuar kundër dhe 3 përfaqësues kanë qenë abstenim.
A.D